Princ Leka martohet me Blerta Celibashin

Oborri Mbretëror Shqiptar ka njoftuar zyrtarisht martesën e Leka II Zogu, Princ i Shqiptarëve, me Blerta Celibashin.
Sipas komunikatës zyrtare, martesa është kremtuar në një ceremoni private, duke ruajtur karakterin intim dhe solemn të këtij momenti.
Fotografia zyrtare e publikuar me këtë rast është realizuar në Kështjellën Apponyi në Sllovaki, një vend me rëndësi historike për familjen mbretërore.

“Oborri Mbretëror Shqiptar ka kënaqësinë e veçantë të njoftojë martesën e Lartësisë së Tij Mbretërore, Leka II, Princ i Shqiptarëve, me Zonjushën Blerta Celibashi. Martesa u kremtua në një ceremoni private, duke ruajtur karakterin e saj intim dhe solemn. Fotografia zyrtare e publikuar me këtë rast është realizuar në Kështjellën Apponyi në Sllovaki”.
“Përzgjedhja e këtij mjedisi historik, rezidencë e familjes fisnike të Lartmadhërisë së Saj Mbretëreshës Geraldinë, u bë për të nderuar trashëgiminë e saj të çmuar dhe origjinën hungareze, e cila mbetet një pjesë e pandarë e historisë së Familjes Mbretërore Shqiptare. Pas martesës, Princeshë Blerta do të mbajë mbiemrin e familjes Zogu dhe titullin Princeshë e Shqiptarëve. Familja Mbretërore e ndan këtë lajm të gëzueshëm me kombin shqiptar dhe me miqtë e saj anembanë botës”, thuhet në komunikatën zyrtare.










