Fshati Verbas në Patos zhytet në errësirë, rrjeti energjetik i amortizuar prej vitesh

Fshati Verbas në Patos po zhytet çdo ditë në errësirë dhe ndotje, mes rrjetit energjetik të amortizuar dhe kanalizimeve të prishura. Banorët e mbetur jetojnë mes kushteve të vështira, teksa janë lënë në harresë nga qeveria.
Sa herë bie shi apo fryn erë, fshati Verbas i Bashkisë Patos zhytet në errësirë totale. Familjet dhe bizneset mbeten për orë të tëra pa energji elektrike, ndërsa askush nuk merr masa.
Banorët denoncojnë se rrjeti energjetik është i amortizuar dhe nuk është prekur me dorë që prej viteve ’90. Linjat janë të dobëta, tensioni i paqëndrueshëm dhe dëmet të shumta: pajisje elektrike të djegura dhe kosto të papërballueshme për familjet.
Kemi fëmijë e të moshuar që kanë nevojë për shërbim, thonë ata.
Por problemet nuk mbarojnë këtu… Kanalizimet e ujërave të zeza janë kthyer në një tjetër makth. Me afrimin e sezonit të nxehtë, ato dalin në sipërfaqe dhe rrjedhin në kanalet pranë banesave, duke përhapur erë të rëndë dhe rrezik serioz për shëndetin e banorëve.
Dikur një fshat me rreth 100 shtëpi, sot Verbasi po boshatiset dita-ditës. Nga një komunitet i gjallë, kanë mbetur më pak se 150 banorë që jetojnë mes errësirës dhe ndotjes.









