Digjet tregu i fruta-perimeve në Lushnje, dyshohet zjarr i qëllimshëm – dhjetëra tregtarë pësojnë humbje të mëdha

Lushnje – Një zjarr i rënë në orët e para të mëngjesit ka përfshirë pjesërisht tregun e fruta-perimeve me pakicë në qytetin e Lushnje, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme për tregtarët e vegjël.
Sipas informacioneve paraprake, flakët janë shfaqur rreth orës 03:30 në pjesën fundore të tregut. Kanë qenë banorët e zonës ata që kanë njoftuar menjëherë shërbimin zjarrfikës dhe policinë. Falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave zjarrfikëse, u bë i mundur izolimi i vatrës së zjarrit, duke shmangur djegien totale të tregut, i cili ka një strukturë me mbulesë plastike dhe rrezikonte të përfshihej i gjithi nga flakët.
Rreth 25 tregtarë ambulantë kanë mbetur pa asnjë nga produktet që mbanin në tezgat e tyre, të vendosura brenda tregut. Ata shprehen se dëmet janë të mëdha dhe prekin drejtpërdrejt ekonomitë familjare.
Edhe pse tregu ruhet me roje private dhe survejohet me kamera sigurie, hetuesit dyshojnë se zjarri mund të ketë qenë i qëllimshëm. Kamera e sigurisë, e vendosur vetëm tre metra mbi zonën e përfshirë nga flakët, nuk ka arritur të fiksojë asnjë pamje të autorit apo autorëve të dyshuar.
Sipas tregtarëve, brenda tregut përdoren çadra dhe mbulesa të tjera për mbrojtjen e mallrave nga reshjet dhe dielli. Këto pengesa, së bashku me lartësinë e madhe të strukturës së tregut, kanë bllokuar fushëpamjen e kamerave të sigurisë.
Ndërkohë, grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të zjarrit, ndërsa grupi i emergjencave civile pranë bashkisë po evidenton dëmet e shkaktuara për secilin tregtar të prekur.


Deklaratat e tregtarëve pritet të hedhin më shumë dritë mbi situatën dhe vështirësitë me të cilat po përballen pas kësaj ngjarjeje.









