
Deputeti i Partisë Socialiste dhe ish-kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi ka dalë pas gati dy orësh nga Prokuroria e Posaçme.
I pyetur nga gazetarët për arsyen e paraqitjes së tij për herë të dytë në SPAK, Peçi nuk dha asnjë detaj në përgjigjen e tij.
“E dinë ata”, u shpreh Peçi shkurtimisht për gazetarët.
Ai u pyet nga gazetarët nëse paraqitja e tij ka lidhje me përplasjen që pati me kryeministrin Edi Rama gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS në Gjirokastër. Në përgjigjen e tij, Peçi ironizoi gazetarin duke thënë: Po, po Afganistani.
Ende nuk dihet arsyeja konkrete për të cilën Peçi ka shkuar në SPAK, por mund të lidhet me kallëzimin e kryer ndaj tij në prill të vitit 2025 nga Partia Demokratike. Kallëzimi erdhi pasi Peçi mori mandatin e deputetit nga radhët e Partisë Socialiste.









