Saraçi: ‘BE na çertifikon si të korruptuar dhe eksportues krimi’

Kryeredaktori i Syri Tv, ‘Romir Saraçi’ i ftuar sot në studion e ‘Task Forcë’ tha se reagimet e ambasadës gjermane dhe të Holandës çorrën propagandën qeveritare lidhur me procesin e integrimit dhe se respektimi i pavarësisë së drejtësisë dhe lufta pa pengesa e korrupsionit të nivelit të lartë janë kushte të panegociueshme për progresin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Jo vetëm kaq Saraçi shton se realiteti ndërkombëtar zbuloi një situatë kritike për rrugëtimin drejt Bashkimit Europian ku Shqipëria u çertifikua si e korruptuar dhe eksportues krimit dhe ka 32 kushte të reja
“Dy reagimet e ambasadave të Gjermanisë edhe të Holandës na ulën me këmbë në tokë. Për t’i treguar shqiptarëve që ky IBAR-i, është një proces që Shqipëria, me vullnetin dhe dëshirën e klasës politike mund ta kishte marrë që në 2015-ën. Edi Rama erdhi në pushtet me bllokim të rrugës së Bashkimit Europian, për Vangjel Ndrekun e famshëm, që e mbanin në status si kandidat peng dhe ka 13 vite qeverisje dhe tani diskutojmë, kemi hapur shtatë herë shampanjën.
U çelën, s’u çelën, u hapën, s’u hapën negociatat… S’ka ndryshuar gjë nga çelja e negociatave, me shtatë shampanja në kohë të ndryshme.
Hapja, e IBAR-i është një procedurë normale që Shqipëria duhet ta kishte kryer kohë më parë. Por ajo çfarë është e rëndësishme, është ajo që ne na çertifikon Bashkimi Europian që është dhe e turpshme për ne. Na çertifikon si një vend i korruptuar në qelizat më të larta të qeverisjes. Si një vend që nuk bën zgjedhje, si një vend që eksportojmë kriminalitet. Është një nga problemet që ne i kemi vënë dhe i dimë shumë mirë, dhe për këtë duhet të jemi koshientë dhe të reflektojmë.
Nuk do ndihemi pas IBAR-it, qoftë edhe në derën e Bashkimit Europian të jemi, nuk do të mund të bëhemi dot as gjermanë, as holandezë, as suedezë, në momentin që ne nuk rrisim kërkesat tona për ta ndjerë atë të qenurit gjerman këtu. Pra, BE-ja thjesht na vendosi 32 kushte të tjera, na e shkruajti në ballë që ju jeni të korruptuar dhe ju mbroni korrupsionin duke mos i hequr imunitetin Belinda Ballukut, që s’ka ndodhur në asnjë vend tjetër. Pra, IBAR-i ishte thjesht nisja e screening për situatën ku ndodhet vendi. Shqipëria nuk bën zgjedhje, thotë Bashkimi Europian.
Si mundet që një vend si Shqipëria, që nuk arrin të bëjë procesin kryesor të ekzistencës së demokracisë, edhe do kemi ne vendin në tryezën e Bashkimit Europian. Pra, duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të kuptojmë çfarë ka ndodhur. Ka ndodhur që na janë rilexuar 32 kushte, të cilat Shqipëria duhet t’i kishte plotësuar që 10 vite, që 13 vite, që 20 vite më pare” tha Saraçi.









