AKTUALITET

Zjarri në Selenicë, digjen dhjetëra makina në një pikë grumbullimi automjetesh për pjesë këmbimi

Një zjarr i rënë rreth mesditës së kësaj të mërkure në fshatin Penkovë, në Bashkinë e Selenicës, ka përfshirë dhe një pikë grumbullimi automjetesh për pjesë këmbimi. Si pasojë e flakëve janë djegur rreth dhjetëra automjete, ndërsa janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë punuar për vënien nën kontroll të flakëve dhe për të shmangur përhapjen e tyre në zonën përreth. Shkaqet e rënies së zjarrit nuk dihen ende, ndërsa pritet hetimi i autoriteteve për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Sipas pronarit të biznesit Tomian Hysaj, dëmi ekonomik i shkaktuar nga flakët llogaritet në rreth 35 milionë lekë të vjetra. Ai kërkon mbështetje nga Bashkia e Selenicës dhe institucionet shtetërore për të përballuar humbjet.

Shefi i Emergjencave Civile pranë Bashkisë së Selenicës Arqile Kokalli bëri me dije se ndërhyrja e përbashkët e zjarrfikësve nga Selenica, Vlora dhe Himara bëri të mundur lokalizimin e flakëve, duke shmangur përhapjen e mëtejshme të zjarrit në zona të tjera. Megjithatë, puna në terren vijoi deri në shuarjen e plotë të vatrave aktive dhe mbajtjen e situatës nën kontroll.

Fatmirësisht nga zjarri nuk pati persona të lënduar, ndërsa dëmet janë vetëm materiale. Shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta dhe pritet të zbardhen nga hetimet e institucioneve përgjegjëse.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button