BOTA

50 tonë kokainë/ Arrestohet në Rusi Salvatore (Shpëtim) Aliu

Salvatore alias Shpëtim Aliu, i shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare dhe i konsideruar nga SPAK si një prej figurave kyçe të trafikut të kokainës nga Amerika Latine në Shqipëri është arrestuar ditën e sotme në Rusi, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.

Salvadore Aliu, ndaj të cilit është lëshuar një urdhërarrest nga SPAK, i konsideruar si “kumbari” i grupeve shqiptare të narkotrafikut i dyshuar për trafikun e 50 tonëve kokainë. Ai dyshohet se ka pastruar në Shqipëri të paktën 30 milionë euro të siguruara nga aktivitetet kriminale.  Aliu ishte personi që ka luajtur një rol universal në gjithë skemën e trafikimit të lëndës narkotike, duke shërbyer si hallka furnitore.

Figura kyçe, duket se ka qenë i vëllai, Isa Aliu (në foton lart), i cili ka zyrtarisht 4 kompani të ndryshme të përdorura për investime në blerje pasurish të paluajtshme, vila, apartamente, troje, apo dhe në ndërtime, edhe hotelesh në zona turistike të vendit.

Salvadore, ashtu si dhe drejtuesit e tjera të grupeve kriminale përdorte platformën SKY për komunikimet e tij, ku ai njihej me emra të ndryshëm si “Dala”, “Qero”, “Qerosi”, “Viktori” apo “Albo Pelon”. 

Nga zbardhja e këtyre komunikimeve, në një bisedë në gusht të vitit 2020, me vëllain Isa Aliu, ky i fundit e njofton se kishte në gjendje 6 milion euro. Dy javë më pas, Salvadore njofton Isain se do të marrë edhe 20 milionë euro të tjera. Në pritje që paratë të investohen për t’u pastruar, ai e udhëzon vëllanë, se si t’i fshehë paratë, duke i sugjeruar, ndër të tjera dhe futjen e tyre në fuçi 50 litërshe e më pas groposjen.

Hetimi që çoi në zbulimin dhe identifikimin e Salvadore Aliut kishte nisur në maj të vitit 2020, pas një referimi nga policia. Ai, dhe persona me lidhje  familjare dyshohet të jenë përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës nga Ekuadori, drejt vendeve europiane.

Në rrjetin ku bënin pjesë dhe të huaj, Salvatore është identifikuar të ketë pasur rolin e drejtuesit, duke mbikëqyrur çdo hallkë të trafikut që nga sigurimi i kokainës, te financimi I ngarkesave dhe furnizimi i grupeve të tjera. 

Ai ishte figura qendrore që furnizonte me kokainë grupet e Shpëtim Gjikës, Eldi Dizdarit dhe Armando Pacanit. Salvatore Aliu dyshohet nga SPAK se furnizonte me drogë disa nga grupet kriminale shqiptare, mes tyre edhe organizatën e Çopjave. /LAPSI.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button