Agjenturat komandojnë Shqipërinë

Nga Hajro Limaj – Prej vitesh në disa kanale televizive dhe në shtypin e përditshëm, veçanërisht në gazetën “Sot” dhe në gazetën “Bota Sot”, kam folur me shqetësim dhe i kam shkruar me profesionalizëm se shteti shqiptar është i pushtuar nga agjenturat e huaja, gjë e cila reflektohet në zhvillimet dhe qëndrimet e politikës, ekonomisë, marrëdhënieve ndërkombëtare, të sovranitetit dhe tërësisë territoriale, të cilat kanë tronditur unitetin dhe sigurinë kombëtare. Dhe mbërriti kulmin me masën “arrest shtëpie” dhe shkarkimin nga detyra të kreut të SHISH-it, Vlora Hyseni.
Më datën 26 Prill 2025 në gazetën “SOT” shkruhej se: “Të gjitha vendet e botës në drejtimin e institucioneve të sigurisë dhe të mbrojtjes kombëtare përzgjedhin dhe emërojnë personalitetet më të besuara dhe më të profesionalizuara, mbasi në duart e tyre menaxhohen informacionet më të klasifikuara dhe më jetësore për vendin. Por edhe pse ky është ligji i sigurisë së vendit, vetëm Shqipëria, në qeverinë e Edi Ramës, dy herë rresht, ka emëruar ministër të Mbrojtjes një person me shtetësi greke, Pirro Vengu, shtet i cili edhe sot ka në fuqi ligjin e luftës kundër Shqipërisë… Nuk kanë fund çuditë.
Emëron kryetare të Shërbimit Informativ Shtetëror të Shqipërisë, SHISH, znj. Vlora Hyseni, ish-nënkryetare e Shërbimit Informativ të Kosovës dhe për 4 muaj edhe kryetare e këtij shërbimi (Dhjetor 2020 – Prill 2021). Në 30 Qershor 2021 ajo është shkarkuar me propozim të kryeministrit Albin Kurti dhe dekret të presidentes Vjosa Osmani. Presidenti shqiptar Bajram Begaj, me propozim të Edi Ramës (17.03.2023), e emëron atë kryetare të SHISH-it shqiptar, kur SHISH është institucioni qendror në Republikën e Shqipërisë dhe instrument i rëndësishëm i arkitekturës së sigurisë së vendit, i ngarkuar për sigurimin dhe prodhimin e inteligjencës nga brenda dhe jashtë vendit…
Kur mediat raportojnë se znj. Hyseni është shkarkuar nga shërbimet e inteligjencës në Republikën e Kosovës me dyshimet për “zbulim ose mosruajtje të informacioneve të klasifikuara”. Ajo zëvendësoi shqiptarin me shtetësi kanadeze, Visho Ajazi, ish-drejtorin e Zbulimit Politik të SHIK-ut të viteve 1992-1997, periudhë e cila rrënoi shtetin shqiptar. Të afrosh pranë vetes, qoftë si këshilltarë politikë apo si drejtues institucionesh, figura që, në njërën këmbë a tjetrën, kanë qenë a janë të lidhur me botën e shërbimeve informative të nëntokës serbe, nuk është modernitet…”. Dhe shkon më larg. Kryeministri Edi Rama emëron ish-kryetarin e SHIK-ut të Rumanisë këshilltar për sigurinë, gjeneralin rumun Florian Coldea, të shkarkuar nga kjo detyrë me propozim të kryeministrit nga presidenti i Rumanisë, i cili pas disa muajsh arrestohet nga autoritetet e Rumanisë për një rrjet të madh trafiku.
Emërimi i tij vërtetohet me shkresën e datës 11/09/2023 të firmosur nga sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Bardhyl Agaçi, dërguar Kuvendit. Kryeministri i Rumanisë, Viktor Ponta, me arrestimin e Florian Coldeas deklaroi: “Nuk e di pse Rama kishte nevojë për këshilltarin Coldea. Por jam absolutisht i bindur se të gjithë në Rumani e dinin që ai ishte këshilltar i Edi Ramës”. Zyrtarja e lartë e Policisë së Shtetit Shqiptar, Ervina Gjana, me bashkëjetuesin serb Renato Hristić, kontrollon Policinë e Shtetit shqiptar. Serbi Hristić ka qenë shoqërues i Ergys Agasit, ndërsa Gjana mban funksionin e drejtoreshës së krimit kibernetik në Policinë e Shtetit… Skandali me Ambasadën në Gjermani: Ambasada e Shqipërisë në Berlin është përfshirë në një hetim penal për shkeljen e rregullave të sigurisë në përfaqësinë diplomatike.
Më 8 gusht 2025 ka nisur procedimi penal me numër protokolli 6025 ndaj ambasadores shqiptare, Aida Sakiqi, dhe shtetasit rus Walter Borisoviç, të punësuar si këshilltar i ambasadës. Policia federale gjermane po kryen verifikimet përkatëse për veprimet e dyshuara të kryera në territorin gjerman. Hetimi ka evidentuar shkelje të rregullave të sigurisë në lidhje me punësimin e personave me shtetësi të huaj në ambasadë, mes tyre shtetasi rus Walter Borisoviç dhe shtetasja bullgare Biljana Naumov. Për largimin urgjent të Borisoviç nga struktura e ambasadës kanë ndërhyrë shërbimet e sigurisë gjermane. Ky zhvillim vjen në një moment delikat për marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.
Shikoni median: Sa politikanë, personalitete shkencore, gazetarë, punonjës të sigurisë kombëtare, liderë politikë e kështu me radhë financohen fshehurazi nga shërbimet e fqinjëve tanë? Sa politikanë apo njerëz me influencë në spektrin politik, në biznes, në kulturë, në sferën fetare dhe në media janë në shërbim të politikave të shteteve të tjera? Sa projekte me interes kombëtar sabotohen apo ngadalësohen nga vendimmarrësit e shtetit tonë në dobi të politikave të fqinjëve tanë? Sa veprime politike merren për interesa të ngushta dhe jo kombëtare? Zbulimet e huaja hedhin valle në Tiranë. Dhe në librin “Rrugëtimi i Shqipërisë për Integrimin në NATO dhe pasiguritë e saj për Sigurinë dhe Mbrojtjen Kombëtare”,
këtë temë e trajtoj që me ndryshimin e sistemit e deri më sot, duke vendosur edhe shumë emra të cilët janë vërtetuar ose janë akoma aktivë të agjenturave përreth Shqipërisë. Emërimin e Vlora Hysenit si kryetare të SHIK-ut e kam kundërshtuar hapur që ditën e parë deri me mesazhe drejtuar kryeministrit Rama, duke nënvizuar se, përveçse ajo nuk ka garancitë e nevojshme, drejtuesi duhet të zgjidhet nga djemtë dhe vajzat më të mira të Shqipërisë.
Me arrestin shtëpiak të Vlora Hysenit, informacionet e gjithanshme që po jepen dhe të tjerat që nënkuptohen vërtetojnë se shtetin e drejton mafia, e cila ka rekrutuar të gjitha nivelet shtetërore dhe mediatike nëpërmjet krimit të organizuar ekonomik. Agasi i arrestuar tashmë emëronte dhe shkarkonte ministrat, u rekrutonte dashnore… etj. Plotësisht mafie. Me dhimbje, me paanshmëri të plotë, por si një kuadër i vlerësuar në fushën e inteligjencës dhe të diplomacisë ushtarake, kam mbërritur prej vitesh në konkluzionin se Shqipëria është në udhëkryq.
Presidenti i Republikës është krejtësisht inaktiv. Do të ishte me vlerë që nën drejtimin e Presidentit dhe të Kryeministrit të organizohej një mbledhje me dyer të mbyllura, ku të thirren institucionet e pavarura të sigurisë, Dynamic, institutet, ish-personalitete, diplomatë dhe të diskutohet hapur e të merren masat urgjente, nëse dëshirojnë të shmangen kjo vazhdimësi e rrënimit të shtetit dhe kërcënimi ekzistencial i Shqipërisë.










