Nga Ndriçim Kulla – Nesër mbyllet “epoka” Meta do të thonë disa media, me ironinë e hidhur të propagandës, nesër Shqipëria merr një drejtim normal, do t’i bëjnë jehonë media të tjera, me padijen e ligë të mosnjohjes së Shqipërisë normale, por më e keqja akoma dhe ajo që dhemb më shumë, me dëshirën dhe orvatjen e qëllimtë, nën rrogoz e me të gjitha mjetet e ligjshme e të paligjshme, për të shfaqur pikërisht para syve të njerëzve dhe të ndërkombëtarëve, se jeta politike, ekonomiko-sociale dhe e shtetit ligjor, gjatë periudhës 5 vjeçare të ushtrimit të presidencës së zotit Ilir Meta, ka qenë normale.
Asgjë nuk ka qenë e tillë, duke filluar që nga pasojat e lëvizjes kanabiste të mandatit të Ramës së parë, që la plagë të hapura krimi dhe korrupsioni, të frikshme për trupin e Shqipërisë. Ajo qe vrasja e parë masive e shpresës së shqiptarëve, sepse është aq e pamundur për t’u përballur me mjetet demokratike. Pastaj erdhi vrasja e dytë masive, popullore, jo vetëm e shpresës, por edhe e ekonomisë shqiptare, koncesionet qindra miliona dollarë që ia thithën e do ia thithin në dhjetëvjeçarë taksat dhe buxhetin brezave të rinj. E së fundi, korrupsioni masiv, shtetëror, gjeti fytyrën e e vet më të qartë të arrogancës dhe mosdashjes në themel të shqiptarëve, me vjedhjet dhe masakrën e padëgjuar të taksave të tyre nga ana e aferës së djegsëve, qelbin dhe pështirësinë e së cilës po e ndjejmë të shpërhapet përditë nga faktet dhe provat e paimagjinuara se mund të ndodhin në një vend tashmë me negociata të hapura.
Dhe për të mos munguar skeletosja e ekonomisë, erdhi paralelisht edhe minimi i themeleve të demokracisë shqiptare, minimi i votës së lirë, si pasojë e ushtrimit të të gjitha mjeteve të paligjshme për të tjetërsuar votën, duke filluar nga blerja, pagesat dy ditë përpara zgjedhjeve të detyrimeve dhe bonuseve të tërmetit, nga mbledhja e votave me përfaqësues të krimit dhe non-grata, e një mori e tërë liste e zezë, që na u bë e njohur më pas. Ja, kjo ishte Shqipëria e presidencës Meta, një Shqipëri që duke mos qenë në asnjë komponent, jo normale, por tërësisht një regjim, kërkonte detyrimisht, në mbrojtje të ligjit dhe kushtetutës, një reagim dhe një qëndrim, krejtësisht jo të zakonshëm, jo të ekuilibruar dhe asnjanës, sic mund të qe në një presidencë normale. Gjithçka ishte dhe është e kapur, dhe për të mbrojtur institucionin e fundit të shtetit, si zë dhe kurajë për të mbrojtur shpresën dhe të ardhmen e demokracisë shqiptare, duheshin qasje dhe veprime të veçanta, unike, të paprecedenta.
E tillë qe klima politike shqiptare, në mazhorancë dhe opozitë, as e ekuilibruar dhe as bashkëpunuese, mes lënies së mandateve dhe fitores tragjike për demokracinë shqiptare të të gjitha bashkive nga një parti. Nëse do të qe përgjigjur butë, normalisht, pa koloritin e caktuar, kur shprehjet marrin fuqinë për të shprehur pikërisht mesazhin e fortë, demokracia shqiptare dhe shteti ynë ligjor e kushtetues, do të qenë groposur thellë e më thellë. Për këtë çdo shqiptar racional duhet t’i jetë mirënjohës. Nuk mund të kishte rrugë tjetër përballë një radikaliteti të padëgjuar, nëpër të cilin jetoi këto vitet e fundit Shqipëria. Atëherë mund të dukej se radikaliteti pjell radikalitet dhe dhuna verbale dhunë, por sot kur kemi parë e kuptuar se Basha dhe Rama ishin në një lojë të urdhëruar shahu për të asgjësuar opozitarizmin, kuptojmë jo vetëm mprehtësinë po dhe largpamësinë e qëndrimit të presidencës Meta. Ndoshta ai ka pasur më shumë informacione, ndoshta përvoja dhe pjekuria e gjatë politike e ka bërë ta kuptojë dhe zbulojë me kohë këtë lidhje dhe thikë pas shpine ndaj demokratëve, por si do që të jetë, është fakt i pamohueshëm, se ai u përpoq me të gjitha mjetet, ngandonjëherë dhe radikale, për të mbrojtur minimin e një tjetër institucioni thelbësor të së ardhmes së cdo vendi, opozitën. Ja, edhe për ketë mbrojtje, cdo njeri i pandikuar nga militantizmi qeveritar, duhet t’i jetë mirënjohës
Nëse opozita arriti të mos humnerizohet deri në atë pikë sa të mos ngrihet më, siç u ngrit brenda një kohe të shkurtër nën udhëheqjen e Sali Berishës, nëse trupi i saj i sfilitur nga masakrat e votave të vjedhura, nuk arriti të atrofizohej deri në mos-ripërtëritje, merita duhet t’i njihet patjetër edhe luftës së paepur dhe gati heroike të bërë nga presidenti përgjatë gjithë periudhës së tij në krye të shtetit. Për më tepër, që në këtë luftë, ai arriti të zgjerojë e të shpjerë në një nivel model dhe tashmë të kthyer në standard, edhe raportin e ngushte jo vetëm institucional, por parësisht shoqëror, kulturor e intelektual, me të gjitha grupet e interesit të gjendura në nevojë të ethshme mbrojtjeje, nga ushtrimi i tejskajshëm e deri tiranik i pushtetit të mazhorancës ndaj tyre. Kështu ndodhi me demonstruesit e unazës për një vit rresht, e mbi të gjitha me ata të teatrit për gjithë ato kohë që i paraprinë shkatërrimit të tij proverbial. Ishte ky dimension social e popullor ai që e dalloi më së shumti presidentin nga paraardhësit, po njëlloj si dhe dimensioni i tij mbarëkombëtar, nga shqiptarët e Preshevës te arbëreshët e Italisë, dhe veçanërisht shqiptarët e Kosovës. Ishte një simbolikë e bukur uniteti mbarë-kombëtar përfundimi i mandatit në një vizitë në Prishtinë, dhe çelësi i atij qyteti ndoshta do t’i japë më shumë kurajë e mprehtësi zotit Meta për të vazhduar të luftojë e të gjejë, nisur nga parimet dhe idealet që e udhëhoqën gjatë gjithë kësaj përvoje të pazakontë të presidencës së tij, një çelës zgjidhjeje edhe në betejat e demokracisë dhe votës së lirë me të cilat përballet sot Shqipëria. Kontributi i tij në këtë luftë do të qe vulosja e gjithë betejës që ai kreu në këto vite. Ndaj, vazhdimësia është më tej se përligjje, është detyrë dhe mision kombëtar.