Emrat/ Clean School” në Fier, 4 të arrestuar për shpërndarje droge pranë shkollave

Fier – Policia e Fierit ka finalizuar operacionin e koduar “Clean School”, duke goditur një grup që dyshohet se shpërndante lëndë narkotike në afërsi të shkollave në qarkun Fier. Në kuadër të operacionit janë arrestuar 4 persona, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Gjatë kontrolleve, policia ka sekuestruar 2.9 kilogramë Cannabis Sativa, dy peshore elektronike dhe katër telefona celularë.
Njoftimi i policisë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Clean School”.
Goditet një grup kriminal që shpërndante lëndë narkotike në afërsi të shkollave.
Vihen në pranga 4 shtetas, si dhe shpallet në kërkim një tjetër.
Sekuestrohen 2.9 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa, 2 peshore elektronike dhe 4 aparate celularë.
Pas një hetimi disa mujor, të ndjekur me metoda speciale të hetimit, nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, u bë i mundur dokumentimi i veprimtarisë kriminale të pjesëtarëve të një grupi që shpërndante lëndë narkotike në afërsi të institucioneve arsimore në qarkun Fier.
Bazuar në provat e siguruara, Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Seksionin e Mbështetjes Operacionale të Hetimit, finalizoi operacionin policor të koduar “Clean School”.
Gjatë operacionit u ekzekutuan 4 nga masat e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuara nga Gjykata, konkretisht për shtetasit:
Kevin Bare, 28 vjeç, Dejvi Ferko, 25 vjeç, Marjus Zhaka, 48 vjeç dhe Taulant Çela, 52 vjeç, të katërt banues në Fier.
Ndërkohë, vijon puna për kapjen e shtetasit E. B., 38 vjeç, banues në Fier, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit personal “Arrest në burg”.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e personave të arrestuar, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2.9 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa, 2 peshore elektronike dhe 4 aparate telefonike celularë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.
DVP Fier vijon angazhimin për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, me fokus të veçantë parandalimin dhe luftën kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike në afërsi të institucioneve arsimore, me qëllim garantimin e sigurisë së nxënësve dhe komunitetit.












