AKTUALITETTOP-NEWS

VIDEO/ Arrestimi i drejtorit të Spitalit të Fierit, zbardhet skema e dyshuar e tjetërsimit të 44 mijë m² tokë në Darzezë

Fier – Pamjet e arrestimit të drejtorit të Spitalit Rajonal të Fierit, Arben Vojo, sjellin në vëmendje një hetim për tjetërsimin e pronave në zonën e Darzezës. Me urdhër të SPAK-ut, Prokuroria e Fierit, në bashkëpunim me Policinë Vendore, ka zhvilluar një aksion që ka çuar në arrestimin e Vojës dhe shoqërimin e disa personave të tjerë.

Vojo është arrestuar paraditen e sotme në ambientet e Spitalit Rajonal të Fierit, ku prej kohësh mbante detyrën e drejtorit. Në pamjet filmike duket momenti i ndërhyrjes së punonjësve të Policisë dhe shoqërimi i tij në ambientet e e paraburgimit pasi ka lënë prokurorinë që u mor në pyetje nga dy prolurorë të çështjes.

Arben Vojo ka mbajtur më parë edhe poste të tjera drejtuese, mes tyre në  Kadastrën e Fierit, si dhe në Agjencinë Rajonale të Mjedisit dhe ish kryetar i komunës Seman Topojë.

Në kuadër të të njëjtit hetim është shoqëruar edhe Dilaver Shyti, ish-kryetar i Njësisë Administrative Dërmenas. Në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier janë shoqëruar gjithashtu noterja Anila Haxhiu dhe dy juristë të Kadastrës së Fierit.

Si dyshohet se funksiononte skema e tjetërsimit të pronave?

Sipas informacioneve paraprake, skema dyshohet se funksiononte përmes ndërmjetësimit të sekserëve, të cilët kontaktonin biznesmenë të interesuar për blerjen e sipërfaqeve të tokës, kryesisht për zhvillimin e projekteve të parqeve fotovoltaike.

Pasi siguroheshin marrëveshjet me qytetarët që dispononin ose pretendonin të drejta mbi tokat, procedura vijonte me plotësimin e dokumentacionit në Njësinë Administrative Dërmenas. Më pas, dosjet përcilleshin në Kadastrën e Fierit, ku, sipas dyshimeve, përfshiheshin dy juristët e institucionit.

Në fund të kësaj procedure, dokumentacioni merrte edhe firmën e ish-drejtuesit të Kadastrës së Fierit, Arben Vojo. Hetuesit dyshojnë se përmes këtij mekanizmi janë kryer veprime të paligjshme, duke mundësuar tjetërsimin e pronave nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara dhe procedurave të parregullta.

Kallëzimi i Dallëndyshe Bicit dhe dosja tjetër ndaj Vojës

Dyshimet për shkeljet në Kadastrën e Fierit janë ngritur edhe më herët. Rreth tre vite më parë, ish-drejtuesja e Kadastrës në nivel qendror, Dallëndyshe Bici, ka depozituar një kallëzim penal në SPAK ndaj Arben Vojës, lidhur me veprimtarinë e tij gjatë kohës kur drejtonte institucionin.

Ndërkohë, ndaj Vojës raportohet se ekziston edhe një dosje tjetër, e lidhur me periudhën kur ai drejtonte Agjencinë Rajonale të Mjedisit. Hetimet për këtë çështje kanë përfunduar dhe dosja është dërguar për gjykim.

Dosja e fundit lidhet me tjetërsimin e një sipërfaqeje prej rreth 44 mijë metrash katrorë tokë në zonën e Darzezës, ndërsa hetimet synojnë të dokumentojnë të gjithë mekanizmin dhe rolin e personave të përfshirë.

Aksioni i sotëm shënon një zhvillim të rëndësishëm në hetimin e kësaj çështjeje, ndërsa pritet që organet e drejtësisë të japin më shumë detaje mbi akuzat dhe masat e sigurisë të marra ndaj personave të përfshirë.
Të gjithë personat e përmendur prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë./ALB365

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button