
Fëmija juaj i ëmbël është zhdukur dhe në vend të tij është shfaqur një i panjohur që përplas dyert dhe ju trajton si armikun? Një trajner i performancës së të rinjve thotë se prindërit po bëjnë një gabim që i mban fëmijët të distancuar prej tyre. A mund t’i rikthejë vërtet një pyetje e vetme dhe e thjeshtë?
Shndërrimi i adoleshentëve në qenie krejtësisht të ndryshme dhe shpesh shumë më të pakëndshme kur hyjnë në moshën e adoleshencës, është një histori e njohur për shumë prindër të dëshpëruar.
Ky është një tranzicion që trajnerit të performancës Tony Griffin i është përshkruar shumë herë. Ai ka punuar me mijëra adoleshentë gjatë 20 viteve të fundit dhe është autor i udhëzuesit bestseller Teenager’s Book of Life (Libri i jetës së adoleshentit), i cili tashmë është në edicionin e tij të tretë.
Griffin, ish-lojtar yll i lojës tradicionale irlandeze të hedhjes së topit me shkop (hurling), shpjegon se libri përmban gjithçka që ai ka mësuar ndër vite duke dëgjuar adoleshentët. Ai na tregon:
“Bëhej fjalë për temat e përbashkëta me të cilat ata përballeshin. Por synimi im ishte të shkruaja në një mënyrë të tillë që ata ta dëgjonin vërtet atë që po u thosha. Mësova si të komunikoja me ta në nivelin e tyre, në mënyrë që të ruanin lidhjen me mua.
Ky është çelësi absolut. Ndonjëherë, si të rritur, mendojmë se duhet t’i kemi të gjitha përgjigjet dhe të përmbushim rolin e prindit. Nuk po them se do të jeni gjithmonë miku i tyre më i mirë, por ekziston një mënyrë për të komunikuar me ta që u përcjell mesazhin dhe i prek. Ata e dallojnë gjykimin që larg.
Duhet të jemi të gatshëm të mësojmë prej tyre po aq sa ata mësojnë prej nesh.”
Atëherë, si mund të krijojnë prindërit lidhje me adoleshentët?
1. Tregoni kureshtje
Griffin vë në dukje se prindërit shpesh kalojnë shumë kohë duke dhënë udhëzime, sepse familja duhet të funksionojë. Por, përveç udhëzimeve të domosdoshme, duhet të ketë edhe momente kur tregojnë kureshtje, thotë ai.
“Thjesht bëni disa pyetje dhe nuk e kam fjalën për pyetje të tilla si ‘Si shkoi shkolla?’, të cilat mund ta bëjnë adoleshentin tuaj të ndihet sikur po merret në pyetje. E kam fjalën për pyetje më të përgjithshme.”
Ai thotë se rëndësi nuk ka vetëm përmbajtja e pyetjes, por thekson se po aq vendimtare është edhe mënyra se si silleni kur e bëni atë pyetje, si dhe fakti që i lini hapësirë për t’u përgjigjur.
“Për shembull, një moment shumë i mirë për ta bërë këtë është kur jeni duke udhëtuar me makinë dhe jeni ulur krah për krah. Thjesht bëni pyetje të tilla si: ‘Hej, cila ishte gjëja më e bukur që të ndodhi sot?’”
2. Kërkojuni këshilla
Thjesht t’i kërkosh këshilla një adoleshenti është një mënyrë shumë e mirë për të krijuar lidhje me të, thotë Griffin, si dhe një mënyrë e mirë për ta ndihmuar të ndihet më mirë me veten.
“T’u kërkosh këshilla është një mënyrë e shkëlqyer për t’i bërë adoleshentët të kuptojnë vlerën e tyre”, thotë ai. “Papritur, ata ndihen shumë të vlerësuar dhe kjo ndryshon mënyrën se si komunikojmë me ta: nga mënyra se si komunikonim kur ishin fëmijë, fillojmë t’i shohim më shumë si njerëz që dinë më tepër nga sa e kuptojmë ne.”
3. Mos e merrni personale
Ndërsa truri i adoleshentëve zhvillohet, ata fillojnë të shkëputen gradualisht nga prindërit që në periudhën para adoleshencës dhe kjo është pjesë e procesit evolucionar, shpjegon Griffin.
“Ne duam të krijojmë grupin tonë, ndaj fillojmë të largohemi nga shtëpia për sa i përket drejtimit ku përqendrojmë energjinë tonë. Kështu, fillojmë të dëshirojmë më shumë shoqërinë e bashkëmoshatarëve”, thotë ai. “Prindërve u them: mos e shihni këtë si një refuzim ndaj jush, por si një shenjë se ata po përgatiten për botën. Dhe, nga këndvështrimi evolucionar, pikërisht këtë duhet të bëjnë.”
Ky ndryshim në pavarësinë e adoleshentëve dhe në lidhjet e tyre shoqërore mund ta bëjë të vështirë komunikimin me ta, por Griffin shpjegon:
“Ata nuk flasin shumë shpesh, sepse nuk janë të sigurt po përpiqen t’i kuptojnë gjërat.
Nuk ka të bëjë me ju personalisht as ata nuk e kanë përjetuar më parë këtë. Ndonjëherë do të kenë nevojë për ndihmën tuaj për t’i kuptuar gjërat, ndërsa herë të tjera thjesht duan të përpiqen t’i bëjnë vetë. Pra, shumë shpesh, kjo është arsyeja pse nuk janë aq të hapur me ju dhe janë më të hapur me miqtë.”
4. Përpiquni të mos i gjykoni
Griffin thekson se adoleshentët janë “të programuar nga natyra për t’u ndier të gjykuar” dhe thotë se këtë e ka vënë re shumë herë gjatë punës me mijëra adoleshentë.
“Ata kanë aq shumë frikë se mos gjykohen negativisht, saqë kjo është arsyeja pse janë të prirur të përshtaten me të tjerët dhe të përpiqen të pëlqehen”, shpjegon ai.
Për të kundërshtuar këtë frikë të vazhdueshme nga gjykimi, prindërit duhet të shqyrtojnë qëndrimin e tyre gjykues ndaj adoleshentit dhe Griffin u rekomandon të shkruajnë në letër gjërat që pranojnë te djali ose vajza e tyre.
Ai thotë:
“Nuk bëhet fjalë për të thënë: ‘Do të doja që të ishte më i/e sigurt në vetvete, sepse unë nuk kam qenë i/e sigurt në vetvete dhe kjo më ka penguar gjithmonë’. Kjo ju lejon t’i pranoni dhe t’i takoni aty ku janë, jo aty ku dëshironi që të jenë. Dhe vetëm kjo do të bëjë që ata të vijnë më natyrshëm tek ju.”
5. Ndihmojini t’i kuptojnë ndjenjat e tyre
Griffin thotë se prindërit duhet t’i ndihmojnë adoleshentët të kuptojnë se çfarë po ndodh brenda tyre dhe të sigurohen që ata të kenë mjetet e nevojshme për të rregulluar botën e tyre të brendshme emocionale.
Ai thotë:
“Duam t’u mësojmë të ndiejnë atë që po ndiejnë dhe mënyra më e mirë për ta bërë këtë është të përpiqemi ta bëjmë vetë, ta mishërojmë vetë këtë sjellje. Pra, nëse shihni një adoleshent që është shumë i zemëruar, nën zemërimin e tij shpesh fshihet frika, trishtimi, dhimbja, ndjenja e turpit ose diçka që ai mendon se nuk ka fuqi ta ndryshojë.
Ndaj, t’i ndihmosh të rinjtë, veçanërisht djemtë, të krijojnë lidhje me këto ndjenja, do të thotë që ata të mos përpiqen t’i fshehin apo të largohen prej tyre përmes formave të tjera të sjelljes, siç mund të jenë drogat, alkooli apo pornografia.”
6. Ndihmojini të kuptojnë të tjerët
Griffin thotë se shumë adoleshentë nuk e kuptojnë se edhe njerëzit e tjerë nuk i kanë të gjitha gjërat të qarta dhe të zgjidhura.
“Ajo vajza popullore, në të vërtetë, ka problemet dhe sfidat e saj. Prandaj, t’i ndihmosh të rinjtë të kuptojnë të tjerët dhe mënyrën se si të krijojnë marrëdhënie me ta, është diçka për të cilën ata kanë nevojë”, thotë ai.
7. Ndihmojini të kuptojnë se periudhat e vështira i përjeton çdokush
Përvoja e jetës u mëson prindërve se të gjithë humbasim njerëz të dashur dhe se, herë pas here, ndihemi të humbur dhe të zhgënjyer. Griffin thotë:
“Ndihmojini të kuptojnë se kjo nuk është fundi i historisë. Mund t’i kaloni periudhat e vështira dhe do të dilni prej tyre më të fortë.”
8. Jepuni hapësirë pasi t’u keni bërë të ditur se jeni aty për ta
Prindërit nuk kanë nevojë t’i bombardojnë adoleshentët me pyetje. Griffin thotë se thjesht duhet t’u japin hapësirë që të vijnë vetë tek ata, nëse dëshirojnë, duke theksuar:
“Ata thjesht duhet ta dinë se ne jemi aty për ta.”
Ai këshillon që të zgjidhet një moment kur pengesat emocionale janë më të ulëta, për t’u thënë se mund të drejtohen tek ju për çdo gjë dhe se ju do të jeni aty për ta.
“Mund t’u duket pak e çuditshme, por në mendjen e tyre do të thonë: ‘Në rregull, ky është vendi im i sigurt ku mund të gjej strehë nëse kam nevojë.’”
9. Keni një person të besuar ku mund të drejtoheni të dy
Mund të ketë ndonjë të afërm ose mik me të cilin adoleshenti juaj shkon veçanërisht mirë. Prandaj, Griffin sugjeron se mund të jetë ide e mirë t’i kërkoni këtij personi që herë pas here të interesohet për adoleshentin tuaj dhe ta pyesë nëse gjithçka është në rregull.
“Në njëfarë mënyre, ju po vendosni në rrugën e tyre njerëz tek të cilët mund të drejtohen. Kështu e bënim dikur në shoqëri i gjithë komuniteti ndihmonte në rritjen dhe edukimin e të rinjve.”
10. Tregoni cenueshmërinë tuaj
Lejojini adoleshentët të shohin pak më shumë se kush jeni në të vërtetë, përtej rolit tuaj si prindër.
“Jini të gatshëm të tregoni edhe anën tuaj të brishtë”, këshillon Griffin.
“Nëse keni kaluar një periudhë të vështirë në jetë, mos kini frikë t’u tregoni se edhe ju jeni si ata. Jeni njerëz dhe kjo do t’i bëjë ata shumë më të prirur të vijnë tek ju.”
Ai shton:
“Kjo nuk është diçka që thjesht duhet ta duroni kjo mund të jetë një aventurë, mund të jetë argëtuese. Po, ndonjëherë mund të jetë e vështirë dhe ata mund t’ju vënë në provë durimin, por do t’ia dalin. Të gjithë ia dalim.”/DPA News












