Teksa ekonomia e vendit në këto 30 vite tranzicioni është rritur nga viti në vit, përfitimet nga rritja nuk po reflektohen tek kapitali human, sidomos tek të rinjtë.
Pas emigracionit të lartë, zhvillimet e brendshme në sistemin arsimor dhe tregun e punës për të rinjtë tregojnë përkeqësim.
Një botim i fundit i ‘INSTAT’ mbi mirëqenien e adoleshenteve tregoi se për vitin 2021 gati 32% e 20-vjeçareve nuk ishin në shkollë dhe as në punë. Gati një e treta e e grupmoshës 20-24 vjeç nuk bën asgjë për formimin profesional qoftë nga arsimi qoftë nga tregu i punës.
Gjendja e të rinjve sot është pasqyra e se nesërmes së shoqërisë. Synimet për tu larguar nga vendi po i mbajnë të rinjtë larg shkollës dhe tregut të punës, teksa shifrat tregojnë për një braktisje të lartë të arsimit bazë.
Nga ana tjetër treguesit e arsimit tregojnë braktisje të lartë të arsimit bazë dhe rikthimit të analfabetizmit në nivele të frikshme. Fenomeni i braktisjes së shkollës që u rrit gjatë pandemisë u përforcua edhe më tej gjatë vitit 2021 në vend që të ulej pas kthimit të vendit në normalitet.
Anketa më të detajuara që lidhen me emigracionin tregojnë se braktisja e shkollës në arsimin bazë në nivele të larta lidhet me zhvillimet e vrullshme demografike. Në fshatrat e thella të vendit shkollat mungojnë ose mësimi është i organizuar me klasa kolektive me një rënie drastike të cilësisë.
Në vend është kthyer braktisja e shkollës e sidomos nga femrat.