Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka treguar në emisionin Pressing në T7 se çfarë ka biseduar për “Ballkanin e Hapur” me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama në Samitin e Ohrit.
Ahmeti njihet si përkrahës i kësaj nisme, por shton se ka pasur rezervat e veta rreth kësaj çështje.
“I thashë në takim edhe Edi Ramës edhe Aleksandër Vuçiçit. Edhe përfaqësuesi i Malit të Zi ishte aty. U thashë: “Ju e keni marrë përsipër këtë çështje. Çfarë doni të arrini?
Edhe unë dua t’u jap fund pritjeve në kufi, por unë e kam kuptuar ndryshe këtë nisme. Ky është një mision që shkon drejt pajtimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Deri në Luftën e Dytë Botërore, ishin luftëra fetare. Lufta që i dha fund paqes ishte Lufta e Parë Botërore. Nëse i jeni futur kësaj rruge për të përfunduar luftën, jam para juve. Sepse kështu e kam kuptuar”, – tha Ahmeti.
“Vuçiç më tha: “Zoti Ahmeti, do na provosh pas një viti. U ktheva nga Edi. Më tha: “S’kam çfarë të shtoj. Pas një viti frytet do të shihen” – tha Ahmeti që këmbënguli se Kosova duhet të vijojë dialogun me Serbinë.