AKTUALITETTOP-NEWS

Almer Toska kallzon Ballukun në SPAK

Atë që paralajmërova publikisht disa ditë më parë, sot e bëra realitet: u paraqita në SPAK ku dorëzova kallëzim penal ndaj Belinda Ballukut dhe drejtorëve të saj. Ky kallëzim nuk është një akt politik, por rezultat i një investigimi serioz që prej disa javësh po e zhvilloj si gazetar, së bashku me portalin Timoni.al, mbi atë që po rezulton një nga skandalet më të rënda infrastrukturore në Shqipëri – tuneli i Murrizit në Rrugën e Arbërit.

Nga verifikimet tona kanë dalë fakte dhe dyshime serioze për abuzime të rënda në punime dhe në përdorimin e fondeve publike. Tuneli ka shfaqur dëmtime strukturore alarmante: betoni është çarë, asfalti ka hapur vrima, toka ka rrëshqitur. Kjo nuk është thjesht cilësi e dobët ndërtimi, por një rrezik permanent për jetën e qytetarëve që kalojnë çdo ditë aty.

Skandali bëhet edhe më i rëndë pasi kam siguruar një dokument zyrtar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, ku rezulton se tuneli i Murrizit është i pakolauduar. Pra, qeveria ka hapur për qarkullim një vepër infrastrukturore pa kaluar kolaudimin teknik, duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve. Ky fakt ngre dyshime të forta se hapja e tunelit ka qenë një vendim politik dhe elektoral, për të mashtruar qytetarët se vepra ishte funksionale para zgjedhjeve.

Kjo është papërgjegjshmëri shtetërore në formën më të pastër. Përgjegjësia politike dhe institucionale bie mbi Edi Ramën, Belinda Ballukun, Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe drejtorët përgjegjës për këtë vepër. Për këtë arsye, sot, bashkë me gjithë materialet dhe provat e siguruara gjatë investigimit, depozitova kallëzim penal në SPAK, duke kërkuar hetim të plotë për një aferë që ka kushtuar rreth 40 miliardë lekë dhe ku dyshohet se janë abuzuar rëndë taksat e shqiptarëve.

Kjo çështje nuk ka ngjyrë politike. Ka vetëm një ngjyrë: të vërtetën dhe jetën e qytetarëve.
Heshtja është bashkëfajësi. Unë nuk do të hesht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button