Fier – Angazhim maksimal i shërbimeve të Policisë, në çdo shkollë të qarkut, për të garantuar zbatimin e Paketës për Sigurinë në këto ambiente, si dhe në vijim të megaoperacionit “Tempulli”.
Arrestohet një 15-vjeçar që iu shiste doza cannabisi, 2 gjimnazistëve, në banesën ku vuante masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për të njëjtën veprimtari kriminale.
15-vjeçari, i proceduar penalisht 9 herë më parë, ishte arrestuar nga Policia, me datë 4 tetor, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”.
Procedohen penalisht dy 17-vjeçarë që u kapën në banesën e arrestuarit, duke blerë doza cannabisi.
Sekuestrohet një sasi e kësaj lënde narkotike, e ndarë në doza.
Si rezultat i kontrolleve intensive në të gjithë territorin e qarkut, i hetimeve të ndjekura proaktivisht, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, si dhe i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë, për të garantuar që fenomenet kriminale të mos depërtojnë në shkolla, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier kanë konstatuar dhe goditur një tjetër rast të shitjes së dozave të lëndës narkotike cannabis sativa.
Gjatë kontrolleve në banesën e një 15-vjeçari, në lagjen “11-janari” (ku ky shtetas vuante masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, sepse ishte arrestuar nga Policia, me datë 4 tetor, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”), ky shtetas u kap në flagrancë duke iu shitur 2 gjimnazistëve 17-vjeçarë, doza të lëndës narkotike cannabis sativa.
Në vijim të veprimeve procedurale u arrestua 15-vjeçari, u proceduan në gjendje të lirë dy 17-vjeçarët, si dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza të gatshme për shitje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.