Ballkani i udhëhequr nga tekniku Ilir Daja kanë shpartalluar me rezultatin e thellë 4-1, bjellorusët e BATE Borisov, në sfidën e parë të vlefshme për fazën “play-off” të kualifikueseve të Conference League.
Miqtë e nisën më mirë duke kaluar të parët në avantazh që në minutën e 10-të me Denis Laptev. Ballkani do të barazonte me Jashanicën, duke e mbyllur kështu pjesën e parë të lojës me rezultatin e barabartë 1 me 1.
Me fillimin e pjesës së dytë, djemtë e Ilir Dajës arrijnë të shënojnë dhe plot 3 herë të tjera në portën kundërshtare, fillimisht me një dopietë në minutat 58-të e 67-të nga këmbët e Bleart Tolajt dhe një gol nga Armend Thaqi.
Ballkani me këtë fitore ka hedhur një hap të sigurt drejt grupeve të Conference League, njëlloj si në sezonin e kaluar.