Ja ku ndodhet luani që kafshoi burrin në kokë, policia do ta largojë nga banesa

Prej më shumë se 24 orësh, një video është bërë virale në rrjet, ku shfaqej një luan, i cili kafshoi në kokë një burrë, i cili tentoi ta përkëdhelte.
U desh ndërhyrja në moment e të zotit të luanit, i cili e goditi me shuplakë, duke bërë që kafsha të tërhiqej dhe burri të shpltonte fatmirësisht pa lëndime serioze.
Luani ndodhej në shkallët e një ballkoni të një vile dhe nga e folura, kuptohej se bëhej fjalë se ngjarja kishte ndodhur në jug të vendit, pa e ditur vendin ekzaktësisht.
Mediat raportojnë se luani që u bë viral ndodhet në fshatin Zharrëz të Fierit, ku një familje e mban në banesë si “mace shtëpie”. Këtë fakt e dinin të gjithë banorët e zonës, por askush nuk kishte denoncuar tek autoritetet.
Pas bërjes virale të videos, mësohet se sot kafsha e egër nuk është parë më në banesë, e cila është larguar nga të zotët e shtëpisë nga frika e ligjit.
Mediat raportojnë se Policia e Fierit po bashkëpunon me autoritetet për largimin e kafshës nga ambienti i banimit, por edhe ndëshkimin e përgjegjësve sipas ligjit. Gjithsesi, deri më tani nuk ka patur asnjë komunikatë.
Mbajtja e një kafshe të egër dhe të rrezikshme si luani në ambiente shtëpie është jo vetëm e papërgjegjshme, por përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë publike.
Policia
Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, në të cilën shfaqet një kafshë e egër (luan) që kafshon një shtetas, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier kanë kryer veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale për përcaktimin e përgjegjësisë dhe zbardhjen e rrethanave.
Në përfundim të këtyre veprimeve u identifikua shtetasi që kishte në pronësi kafshën, A. H., 52 vjeç, banues në fshatin Zharrëz, për të cilin, pas konsultimit me prokurorin, nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shkelja e karantinës së bimëve dhe kafshëve”, pasi dyshohet se e ka mbajtur kafshën, në banesë, në kundërshtim me rregullat.
Shtetasi A. H. ka deklaruar se kafshën e ka gjetur në Lushnjë, në rrugë, 6 muaj më parë, kur ajo ishte e vogël dhe e ka mbajtur në banesën e tij, për disa kohë. Më tej, ai ka deklaruar se para 1 muaji e gjysmë, kafsha ka ngordhur.
Punohet për dokumentimin e rrethanave të këtij rasti.