Valentino, kush ishte “Perandori i fundit” i modës

Ludovico Clemente Garavani, i njohur thjesht si Valentino, ndërroi jetë në moshën 93-vjeçare. Stilisti, krijues i markës me të njëjtin emër, u nda nga jeta në Romë, në shtëpinë e tij. Njoftimi u bë nga Fondacioni Valentino Garavani dhe Giancarlo Giammetti, bashkëthemelues i shtëpisë së modës dhe shoqërues i stilistit. Ceremonia për përcjelljen në banesën e fundit do të mbahet në Romë më 21 dhe 22 janar ndërsa funerali të premten, më 23 janar, në Bazilikën e “Santa Maria degli Angeli e dei Martiri” në kryeqytetin italian.
Ai e konsideronte veten një njeri me fat. Kishte gjithçka në jetë: dashuri, sukses dhe para. “Ky ishte pasioni im. Të krijoja rroba. Jam një katastrofë në çdo gjë tjetër!” – thoshte shpesh ai, me atë përzierje ironie dhe qartësie që e dallonte gjithmonë. Edhe pse i dha lamtumirën e tij të dhimbshme modës në vitin 2007, Valentino Garavani, i konsideruar si “Perandori i Fundit”, nuk u largua kurrë nga pasarelat.
Ai vazhdoi të dizenjonte fustane të veçantë për miqtë dhe për aktivitete artistike. Ai merrte letër dhe laps, dhe në një kohë shumë të shkurtër, fustanet e çmuara do të merrnin formë, si ato që krijoi në vitin 2012 për Baletin e Qytetit të Nju Jorkut, për të cilin krijoi 25 kostume ëndrrash.

Një nga paraqitjet e tij të fundit publike ishte në vitin 2019 në Romë, në Teatro dell’Opera, për operën “La Traviata” të Sofia Coppola-s. Ai kishte dizenjuar kostumet për të, një vepër për të cilën ishte shumë krenar. Atje në skenë, i emocionuar dhe i lumtur nga duartrokitjet, gjithmonë elegant në mënyrë perfekte, ai nuk mundi t’i fshihte shenjat e dukshme të sëmundjes që e kishte goditur.
Më pas bëri disa paraqitje të shkurtra deri në daljen në pension, duke e ndarë kohën midis rezidencës së tij të bukur në Gstaad dhe shtëpisë së tij në Romë.

Në krah të tij, deri në fund, duke mos e braktisur kurrë, ishte Giancarlo Giammetti: partneri i tij, krahu i djathtë dhe shoqëruesi i jetës që nga fillimi të një karriere profesionale që zgjati mbi 45 vjet, pothuajse tërësisht të kaluara në pasarelat pariziene.
Që në moshë shumë të re, Valentino e dinte se moda do të ishte jeta e tij. Në fillim të viteve 1950, ai u largua nga Voghera për në Paris, ku studioi dhe filloi të bashkëpunonte me shtëpitë e mëdha të modës Haute Couture, duke punuar së bashku me Jean Dessès dhe Guy Laroche.

Duke u kthyer në Itali, falë babait të tij, ai mundi të hapte atelienë e tij të parë në Via Condotti, por ishte takimi i tij me Giammetti, atëherë student i arkitekturës, që e nisi vërtet aventurën. Valentino merrej me anën krijuese, Giammetti merrej me biznesin dhe komunikimin, një rol që ai e ndau gjatë viteve me Daniela Giardina, një figurë kyçe në shtëpinë e modës.
“E di çfarë duan gratë”
Suksesi erdhi në vitin 1962, me sfilatën e famshme të modës në Palazzo Pitti. Shtypi italian dhe ndërkombëtar ishte unanim. I shkëlqyer, i rafinuar, një dashnor i bukurisë dhe i fiksuar pas përsosmërisë, Valentino shkroi një nga kapitujt më të rëndësishëm në historinë e modës.
“Unë jam një punëtor i palodhur, një krijues i modës” –tha ai me krenari. “Kam realizuar ëndrrën e jetës sime: të krijoj veshje për gra. E di çfarë duan gratë” – shtoi ai. Kur pyetej se çfarë dëshironin vërtet gratë, përgjigjja ishte gjithmonë e njëjtë: “Ato duan të jenë të bukura.”

Rrobat e tij elegante dhe të përjetshme “i fuqizuan gratë”. Ai nuk i pëlqente ta përcaktonte elegancën, por dikur tha: “Eleganca është ekuilibri midis përmasave, emocionit dhe surprizës”. Një besimtar i vërtetë, para çdo sfilate mode, prapa skenës, pasi kontrollonte që gjithçka ishte perfekte, ai recitonte një lutje si një ritual supersticioz.
E kuqja Valentino
E kuqja e tij Valentino është ikonike, një ngjyrë e përzier me një prekje portokalli, me të cilën ai u dashurua gjatë një udhëtimi në Spanjë. “Kur sheh një grua të veshur me të kuqe, ndjen një lehtësim të madh. E kuqja është një ngjyrë që zbukuron shumë”- shpjegoi ai.

Një sukses i konfirmuar edhe nga numrat. 8 aktore kanë marrë çmimin Oscar duke veshur një nga veshjet e tija. Ai ishte gjithashtu ndër të parët që e kuptoi rëndësinë e identitetit vizual. “V”-ja e famshme metalike, e lançuar në vitin 1968 me koleksionin historik të bardhë, u bë një shenjë dalluese e rafinimit.
Yjet që u veshën prej tij
Bota e Valentinos shkëlqeu jo vetëm për rrobat e tij, por edhe për gratë që i vishnin ato dhe që ndanin udhëtimet, festat dhe aktivitetet. Jackie Kennedy, Liz Taylor, Sophia Loren, Sharon Stone, Mbretëresha Rania e Jordanisë, Julia Roberts, Gwyneth Paltrow, Anne Hathaway. I gjithë ky univers është kronikuar në dokumentarin e vitit 2008, “Perandori i Fundit”, i cili paraqet debatet e famshme – të gjitha në frëngjisht – midis Valentinos dhe Giammettit, të ndjekura nga pajtimet e shpejta.
Valentino shpesh portretizohej i rrethuar nga qentë e racës pug, qentë e tij të dashur, së bashku me pasionet e tij të mëdha: moda, kopshtaria, festat dhe shtëpitë e tij luksoze dhe spektakolare. Në Romë, ai jetoi në një vilë në Appian Way, në Londër në një apartament me vepra të Picasso-s, në Nju Jork në Park Avenue dhe në Gstaad në një vilë. Por vendi i tij më ikonik mbeti Château de Wideville, pak jashtë Parisit, një rezidencë e shekullit të 17-të e ndërtuar nga Louise XIV për Louise de La Vallière.
Familja e zgjeruar
Ai e donte një jetë luksoze. E rrethonte veten me gjëra të bukura dhe kishte krijuar një familje të vërtetë të zgjeruar rreth tij. Përveç Giammetti ai kaloi kohë pranë ish-modelit amerikan Bruce Hoeksema dhe brazilianit Carlos “Cacà” Souza, të cilin e takoi në Rio në vitin 1973 dhe gruas së tij Charlene Shorto de Ganay. Valentino dhe Giammetti ishin kumbarë të djemve të Souzës, Anthony dhe Sean.
Fati i markës “Valentino”
Para lamtumirës së tij nga moda, ai ia shiti markën e tij “Hdp Holding” në vitin 1998. Në vitin 2002, marka i kaloi grupit Marzotto derisa përfundoi në kompaninë luksoze të Sheika Mozah, gruas së Emirit të Katarit. Pas tij, Alessandra Facchinetti, më pas Maria Grazia Chiuri dhe Pierpaolo Piccioli dhe tashmë ajo është në dorën e Alessandro Michele që vazhdoi trashëgiminë e tij krijuese.

I kthjellët deri në fund, Valentino e pa të tashmen pa kompromis: “Sot, ata që kanë para nuk kanë gjithmonë klas dhe kujtesë.” Në lidhje me të ardhmen, me shpirtin e tij të pagabueshëm teatral ai u shpreh: “Pas meje, u bëftë përmbytja.” Valentino Garavani nuk krijoi vetëm rroba. Ai ndërtoi një ide të përjetshme të bukurisë. Dhe kjo, me të vërtetë, nuk del kurrë nga moda.











