POLITIKË

Bardhi: Sa herë ka skandale e afera sakrifikohet një ministër, Rama lan duart

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi reagoi sërish ndaj mbetjes në fuqi të pezullimit të Belinda Ballukut, duke theksuar se Shqipëria është më e korruptuar, më e kriminalizuar, më e shtrenjtë dhe më e padrejtë pas 13 vjetësh në pushtet të mazhorancës. Bardhi theksoi se sa herë ka skandal ose aferë sakrifikohet një ministër, ndërsa përgjegjësia bie te vetë kryeministri.

“S’ka më alibi! Problemi i Shqipërisë ka emër: Edi Rama!

Edi Rama ka ndryshuar mbi 50 ministra në 13 vjet. Por si është sot Shqipëria? Më e korruptuar. Më e kriminalizuar. Më e shtrenjtë. Më e padrejtë. Më e zbrazur.

Belinda Balluku është simboli më i dukshëm i këtij sistemi keqbërës, por nuk është përjashtim. Ajo është simbol i pushtetit të korruptuar dhe të kriminalizuar të Edi Ramës. Dhe ky është i vetmi që nuk mban kurrë asnjë përgjegjësi!

Sa herë ka skandal, sakrifikohet një ministër. Sa herë ka aferë, Edi Rama lan duart dhe bën të paditurin. Ministrat ndryshojnë, degradimi vazhdon, sepse problemi mbetet i pazgjidhur. Ai nuk është emri i radhës së një ministri. Problemi është arkitekti i këtij sistemi: Edi Rama.

Të martën protestojmë kundër Edi Ramës, sepse shqiptarët po paguajnë shumë shtrenjtě çmimin e korrupsionit të tij. Sepse pa ndryshuar kokën, peshku do të vazhdojë të qelbet. Të martën, datë 10 Shkurt, ora 17:00, Shqipëria flet. Sepse s’ka më alibi”, shkruan Bardhi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button