Efikasiteti dhe efektiviteti i autoriteteve vendore është i kufizuar, me pasoja negative tek ofrimi i shërbimeve publike. Një përpjekje për decentralizim në vitin 2014 transferoi përgjegjësinë për sigurimin e shërbimeve te publiku nga qeveria qendrore tek autoritetet vendore.
Ndërsa fryma e kësaj nisme ishte pozitive, zbatimi ka qenë sfidues, duke rezultuar në shërbime publike të mangëta në zonat kritike, duke përfshirë furnizimin me ujë, menaxhimin e mbetjeve, transportin publik, arsimin, kujdesin për fëmijët dhe reagimin ndaj fatkeqësive – analizoi Banka Botërore në marrëveshjen e re që nënshkroi me qeverinë shqiptare vitin e kaluar.
Banka vuri në dukje se shumica e autoriteteve vendore kanë rezultuar të paafta për të fituar kapacitetin operacional dhe financiar për të menaxhuar dhe
për t’i ofruar këto shërbime në mënyrë të qëndrueshme. Për rrjedhojë shërbimet e ofruara janë të pamjaftueshme dhe me cilësi të ulët të shërbimit. Nga ana tjetër,
kjo ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë negativ në kapitalin njerëzor, mjedisin dhe mundësitë ekonomike.
Nisur nga kjo situatë, Banka Botërore në ciklin katërvjeçar të bashkëpunimit 2023-2027 do të adresojë shumë problematika në menaxhimin lokal.
Banka Botërore rekomandoi një koordinim efektiv ndërmjet ministrive dhe ndërmjet qeverisjes qendrore dhe vendore dhe duke e vendosur si objektiv të politikave të saj në marrëveshjen aktuale. Koordinimi ndërmjet ministrive
dhe agjencitë ishte sfiduese, veçanërisht në angazhimet transformuese ndërsektoriale. Shumë prej projekteve të planifikuara kanë mbetur në udhëkryq pasi ka përplasje të kompetencave ndërmjet institucioneve qendrore dhe atyre lokale.
Përpjekjet për decentralizim në vitin 2014 transferuan përgjegjësinë për ofrimin e shërbimeve publike (furnizimin me ujë, kanalizimet, menaxhimin e mbeturinave, arsimin, kujdesin për fëmijët në arsimin parashkollor dhe reagimin ndaj fatkeqësive) nga qeveria qendrore tek autoritetet lokale.
Analiza e detajuar e Bankës Botërore vuri në dukje se shumë autoritete lokale nuk kanë qenë në gjendje të fitojnë kapacitetin operacional dhe financiar për të menaxhuar dhe për të siguruar këto shërbime në mënyrë të vazhdueshme, duke rezultuar në ofrim të pamjaftueshëm dhe cilësi të ulët.
Mangësitë në koordinim, mungesa e standardeve dhe mekanizmave të llogaridhënies kanë kontribuar që mangësitë të vazhdojnë dhe të kenë ndikim të drejtpërdrejtë negativ në kapitalin njerëzor, mjedisor dhe ekonomik.
Qeverisja e dobët e bashkive e ka bërë sfidë zhvillimin e qëndrueshëm kryesisht në pesë drejtime referon Banka Botërore:
Së pari, ofrimi i shërbimeve publike ishte i mangët në zonat rurale dhe ndikoi në thellimin e mëtejshëm të pabarazive.
Së dyti, zonat urbane përfitojnë nga një mbulim më i mirë me shërbime publike, por cilësia e shërbimeve është dhe shpesh ka krijuar probleme sociale dhe mjedisore.
Së treti, nivelet e larta të ndotjes, mbipopullimi dhe planifikimi i mangët po gërryejnë cilësinë e jetës.
Së katërti, mangësitë në menaxhimin e mbetjeve të ngurta dhe ujërave të zeza minojnë konkurrencën dhe zhvillimin e qëndrueshëm në sektorët e bujqësisë dhe turizmit.
Së pesti, mungesa e shërbimit të kujdesit për fëmijët minon aftësinë e grave që të marrin pjesë në aktivitete ekonomike./MONITOR