POLITIKË

BE ultimatum Ramës për Ballukun? Lëvizjet e fundit dhe një sms te Kryeministri

Bashkimi Evropian do të zhbëjë gjithë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë për në BE, nëse Edi Rama vijon deri në fund të mbrojë me imunitet Belinda Ballukun. T

ë paktën kështu pretendon Hashtag.al në një shkrim të publikuar së fundi, duke iu referuar një qëndrimi të vendeve të unionit që shqyrtojnë ecurinë e shteteve që synojnë integrim në BE.

Media në fjalë pretendon se i referohet një burimi të nivelit të lartë në BE dhe një mesazhi që Edi Ramës i mbërriti në celularin e tij më 29 janar 2026. Më poshtë pjesë nga raportimi i Hashtag.al 

Të enjten e 29 janarit 2026, kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama i shkoi një SMS në telefonin celular: “COELA doli me qëndrim zyrtar, më vjen keq”. Miku që e informonte e kishte paralajmëruar më herët atë se atje tej në Berlin, qeveria gjermane ishte tepër e shqetësuar mbi mbrojtjen arbitrare që Rama po i bënte Belinda Ballukut.

COELA është një grup pune i ministrave për Evropën të shteteve anëtare të BE-së. Ky grup shqyrton ecurinë e shteteve që synojnë anëtarësim, si Shqipëria.

Përfaqësimi në COELA është në nivel ministror, zakonisht ministrat për Evropën ose ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së.

Një burim i nivelit të lartë në BE, informoi Hashtag.al mbi atë çfarë ka ndodhur:

“E gjithë iniciativa për ndëshkimin e Shqipërisë në COELA është e nxitur nga qeveria gjermane, ata janë seriozisht të shqetësuar mbi mënyrën si Edi Rama po sulmon drejtësinë dhe po shkërmoq institucionet për mbrojtjen e ministres Balluku. Kjo iniciativë e gjermanëve është mbështetur fuqimisht nga qeveria e Austrisë, Belgjikës, Holandës etj, ndërsa qeveria italiane, franceze dhe greke mbajtën një qëndrim më neutral në takim. Por nuk ka asnjë rëndësi kjo për sa kohë që dhe një shtet si Bullgaria mund të vendosë veton kundër Shqipërisë, e për më tepër Gjermania është lokomotiva e BE-së.”, tha burimi.

Ndërsa i njëjti burim i nivelit të lartë më pas shtoi:

“Në mbledhjen e COELA është vendosur që nëse Rama do mbrojë imunitetin e Ballukut, BE-ja do dalë me vendimin e paprecedentë për të zhbërë gjithë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë. I bie që do jetë ndëshkim ekzemplar, i ashpër, i pari në llojin e vet. Kryeministri juaj e di shumë mirë këtë gjë siç unë po e them”, – saktësoi burimi.

Hashtag.al kontaktoi sot zyrtarisht dhe zyrën e Delegacionit të BE-së në Tiranë duke u drejtuar vetëm një pyetje: Si e komentonin ata qëndrimin e ministrave të Jashtëm të Gjermanisë, Austrisë dhe Holandës?

Nga zyra për shtypin e këtij Delegacioni na erdhi sqarimi se ambasadori i BE-së në Tiranë zoti Gonzato, e kishte të pamundur ta procesonte me shpejtësi këtë pyetje pasi ai ndodhej në disa takime pune. Hashtag.al kërkoi një reagim brenda ditës nga Delegacioni i BE-së, kjo strukturë nuk e ka për traditë një kthim përgjigje në këto afate.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button