POLITIKË

Berisha: Ju them kush e dorëzoi në SPAK dosjen për Veliajn

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha thotë se kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u arrestua nga vetë kryeministri Edi Rama. I ftuar në emisionin “Debat” në A2CNN, Berisha tha se opozita nuk i ka pasur të dhënat që dolën në dosjen e SPAK dhe se ato mund t’i siguronte vetëm qeveria.

“Erion Veliaj është arrestuar mbi bazën e një dosjeje të dorëzuar nga qeveria. Sa për dosjet e opozitës, mos të mendojë njeri se do të arrestohej. Ai nuk u akuzua kurrë për dosjet e opozitës. As i ka hyrë një gjemb në këmbë për to.

Erion Veliajn e arrestoi Edi Rama, mos të krijojmë iluzione. Ato të dhëna unë nuk mund t’i siguroja dot, vetëm qeveria,” – tha Berisha që bëri akuza të forta edhe për ministrin e Pushtetit Vendor, Arbian Mazniku.

“A e dini ju që Mazniku është bashkëkryetar i 5D, me Erion Veliajn. A e dini që Mazniku është i implikuar te dosja e mafias Ndrangheta? Çfarë ndodh me të? Ai kryeson, udhëheq Qarkun e Elbasanit” – tha Berisha.

“Porosinë e dhomës dopio dhe me një shtrat fëmije, atë e thotë vetëm ai që përgjon telefonat”, – shtoi kreu i Partisë Demokratike.

Berisha hodhi poshtë edhe akuzat ndaj tij për lidhje me prokurorin Ols Dado që ka në dorë hetimet për Erion Veliajn dhe gjyqtarin Erion Bani, që e la pas hekurave kryebashkiakun e Tiranës.

I pyetur nëse janë këta njerëz të drejtësisë, të cilëve Rama u referohet si kamikazë, që i dorëzojnë dosjet e krimit dhe përgjimet e Sky ECC dhe EncroChat, Berisha e mohoi kategorikisht.

Madje Berisha tha se ai ka hedhur një akuzë në drejtim të Dados, kur deklaronte se kishte lidhje me të fortin e Shijakut, Altin Hajri, por për të cilën kërkoi ndjesë më vonë.

“Absolutisht kurrë, as njëri as tjetri. Unë e kam dëgjuar emrin e Ols Dados, që u bë prominent, u bë kur unë e akuzova atë pa të drejtë se e lavdëronte Altin Hajri. Doli prokuroria menjëherë tha nuk është ky Olsi, është tjetë, por secili ishte Olsi nuk e tregoi Altin Dumani. Kaq di unë për të.

Po kështu Bani. E kam dëgjuar për herë të parë emrin e Banit, kur kthehu me guxim dosjen e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja. Kur tha të hetohet. Edhe ajo mu duke akt i guximshëm i tij. Akt i guximshëm”, – u shpreh Berisha.

Kryedemokrati u ndal edhe te tërheqja e gjyqtares së Apelit të Posaçëm, Ilirjana Olldashi nga çështja “Veliaj”, duke thënë se ajo është kërcënuar.

“Çfarë ndodhi me këtë Ilirjana Olldashin? E futën në depresion, dha dorëheqjen, në një akt tmerri. Dhe thotë nuk jam mirë. Tha jam sëmurë. Dolën me dhjetëra deklarata se po e kërcënojnë nga të gjitha anët atë, Ilirjana Olldashin, e cila është një zonjë absurde në veprimet e saj ndaj meje, por prapë se prapë nuk jam kurrë për ta kërcënuar”, – deklaroi Berisha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button