Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar në lidhje me dhunën barbare të ushtruar në rrethin e Krujës, nga fisi Rraja kundrejt atyre Maja, ku e ka quajtur si “dhunë shtazore”.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Berisha ka shprehur solidaritetin me dy të lënduarit, Bilbil dhe Jashar Maja dhe se dënon krimin e shëmtuar të bandës qeveritare të Rrajës.
Postimi i plotë:
Dhunë shtazore në Borizanë të Krujës e Xhelal dhe Flamur Rrajës, vëllezërve të deputetit Rrahman Rraja ndaj qytetarëve të pafajshëm Bilbil dhe Jashar Maja.
Të dashur miq,
Dy vëllezërit e deputetit të PS, Rrahman Rraja, Xhelal e Flamur Raja, dhe djali i këtij të fundit, kanë rrahur shtazërisht me shkopa bejsbolli dhe kërcënojnë me pistoletë qytetarët e pafajshëm, Bilbil dhe Jashar Maja, kryetar i grupseksionit të Partisë Demokratike në Borizanë.
Ky akt kriminal i fisit Rraja ka ardhur pas ankimit të vëllezërve Maja se atyre u ishte dëmtuar shtëpia nga shpërthimet në guroren që shfrytëzohej nga Rrajat. Duke shprehur solidaritetin e plotë të Partisë Demokratike, Bilbil dhe Jashar Majas, Partia Demokratike dënon me ashpërsinë më të madhe krimin e shëmtuar të bandës qeveritare Rraja dhe iu rikujton këtyre kriminelëve se drejtësia vonon, por nuk harron krimet tuaja të shëmtara.