Berisha: Sot dorëzojmë ligjin që njeh vetëm dy gjini
![](https://i0.wp.com/alb365.com/wp-content/uploads/2025/01/IMG_7091.jpeg?resize=640%2C427&ssl=1)
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot në mbledhjen e grupit parlamentar se kryeministrin Edi Rama nuk do ta mbrojë askush nga afera e McGonigal. Ky i fundit, sipas Berishës, ishte një armik i egër i opozitës shqiptare dhe i presidentit Donald Trump.
Lideri demokrat njoftoi më tej se PD ka përgatitur një ligj që do ta dorëzoj në sot, me të cilin njihen vetëm dy gjini, mashkull dhe femër. Berisha tha se kanë përgatitur po ashtu ligjin me dënim për atë që flet për Prindin 1 dhe Prindin 2.
PJESË NGA FJALA E BERISHËS:
Së fundmi, çështje madhore është çështja McGonigal. Çështja McGonigal mbahet peng nga Altin Lala. Dhe ta dinë mirë shqiptarët se Dumani është një ushtar i Ymer Lalës me lidhje të vjetra me Ymer Lalën, të cilën e ka ekzoneruar nga vrasja, gjer këtu shkon. Tani, ky ka marrë përsipër gjoja të hetojë një çështje që është e hetuar gjer në palcë nga drejtësia amerikane.
E hetuar, një çështje e dokumentuar, një çështje në të cilën prokurori amerikan ka urdhëruar dy vite më parë tërheqjen e të gjithë komunikimit dixhital të Edi Ramës dhe ministrave të tij.
Dhe ky kujton se do e mbulojë me Altin Lalën. Kjo nuk mund të ndodhë. Ndaj dhe ne do bëjmë gjitha përpjekjet kombëtare dhe ndërkombëtare. Le të marrë avokat Ulsi Manjën, se Ulsiun e ka si ndërmjetës kryesor, takimet e fshehta me Dumanin i bën edhe vetë, por ia sjell edhe Ulsi në takime tek vila e diktatorit të dytë, kështu që Ulsiu nuk mund ta mbrojë Edi Ramën nga afera McGonigal. McGonigal ishte një armik i egër i opozitës shqiptare, por e vërteta është edhe i presidentit Donald Trump, siç kanë faktuar dokumentet në SHBA.
Ne kemi përgatitur një ligj në kuadrin e desorosizimit që dorëzojmë sot, me të cilin sanksionojmë se Republika e Shqipërisë njeh dy gjini, ato që i ka bërë Zoti, mashkull dhe femër. Në mënyrë që t’i japim fund çdo lloj tentative dhe përpjekje.
Ligji tjetër me dënim ai që flet për Prindin 1 dhe Prindin 2. Do ketë sanksione. Këto janë vetëm fillimet, këta e kanë shtrirë në shkolla, e kanë shtrirë në falsifikimin e historisë, uoke është bërë një rrymë e veçantë jo vetëm në media, por është degëzuar në shumë drejtime. Lufta me kulturën uoke do jetë një betejë pa kompromis e jona. Është beteja për të vërtetën. Ne nuk kërkojmë asnjë deformim. Gjërat siç janë.