Besimtarët myslimanë festojnë Fitër Bajramin me lutje dhe mesazhe paqeje

Fier – Pas përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, besimtarët myslimanë në Shqipëri dhe në mbarë botën kremtojnë sot Fitër Bajrami, një nga festat më të rëndësishme të kalendarit islam.
Që në orët e para të mëngjesit, dhjetëra besimtarë në qytetin e Fierit janë mbledhur në sheshin qendror për të falur namazin e kësaj dite të shenjtë. Ceremonia e faljes nisi në orën 06:30, ku besimtarë të grupmoshave të ndryshme kryen ritet fetare, duke përcjellë mesazhe paqeje, mirëkuptimi dhe solidariteti mes njëri-tjetrit.
Gjatë ligjëratës së tij, myftiu Mikel Hazizolli uroi të gjithë besimtarët myslimanë për këtë festë të shenjtë, duke i ftuar ata të kontribuojnë më shumë për ndërtimin e një shoqërie më dinjitoze, më të qetë dhe më solidare.
“Urojmë që kjo ditë të shërbejë si një moment reflektimi dhe afrimi mes njerëzve, për më shumë paqe dhe harmoni në shoqëri.”
Pas faljes, festa vijon në çdo familje fierake, ku besimtarët mblidhen për dreka familjare dhe ndajnë gëzimin e kësaj dite, si shpërblim për sakrificën dhe përkushtimin gjatë 30 ditëve të agjërimit në muajin e Ramazanit.









