Byroja Kombëtare e Hetimit ka zbarkuar këtë të diel në Portin e Durrësit. Kjo pasi dyshohet për një tjetër sasi të konsiderueshme lënde narkotike në kontejnerë të ardhur nga Amerika Latine.
ABC raporton se BKH ka disa sinjalizime që vijnë nga përgjimet për persona të përfshirë në trafik droge. Bëhet fjalë për kontejnerë të riskut të lartë, të cilët do të kontrollohen imtësisht nga autoritetet përkatëse.
Agjentët e BKH do të qëndrojnë disa ditë. Pritet që 81 kontejnerë t’i nënshtrohen kontrollit në ditët në vijim. Kujtojmë se tre ditë më parë në Portin e Durrësit u gjet një sasi prej 33.5 kg kokainë.
Droga u gjet në kontejnerë me banane, rast ky i përsëritur pasi kjo nuk ishte hera e parë që gjendej kokainë në kamionët e kompanisë së bananeve.