KRYESOREPOLITIKË

Blushi: PL do të ulë çmimin e energjisë për pensionistët dhe të gjithë konsumatorët familjarë në vlerën 8 lekë/kwh

Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi në një komunikim me mediat u shpreh se PL do të ulë çmimin e energjisë për pensionistët dhe të gjithë konsumatorët familjarë në vlerën 8 lekë/kwh

Blushi: Korrupsioni i tmerrshëm kriminal në sektorin energjitik të drejtuar nga Belinda Balluku shkëlqeu mbrëmë si drita e diellit me zhytjen e më shumë se gjysmës së vendit në errësirë totale, me pasoja të rënda për ekonomitë familjare dhe atë kombëtare.

Ky stakim i dytë, që ndodh pas “blackout”-it të Qershorit, në kushtet kur digat janë plot, kur miliona euro taksa të shqiptarëve janë harxhuar për investime elektorale në rrjetin energjitik, kur qindra milion euro vijojnë të hanë “Tigri 1” dhe “Tigri 3” (dy TEC-e lundruese në Vlorë) që jo vetëm nuk ka prodhuar por nuk do të prodhojë asnjëherë asnjë kilovat energji në dobi të konsumatorit familjar, provon se fokusi i vetëm i Edi Ramës dhe Belinda Ballukut është vjedhja e përbindshme dhe jo garantimi me energji i qytetarëve.

Aq shumë janë të fokusuar sa edhe vjedhja është përqëndruar vetëm brenda kabinetit qeveritar, siç provon fakti se të gjitha tenderat korruptivë për përmirësimin e rrjetit energjitik, në Vlorë, Durrës dhe Shkodër fitohen nga vëllai i Ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha.

Korrupsioni do të vijojë për sa kohë nuk respektohet kodi i transmetimit dhe kodi i shpërndarjes, nuk respektohen planet e zhvillimit të miratuara nga ERE për sistemin e transmetimit dhe shpërndarjes si dhe për sa kohë do të zhvillohen projekte klienteliste që u shërbejnë interesave që rrezikojnë sigurinë e furnizimit me energji elektrike për popullatën dhe shërbimet jetike të saj.

Përballë kësaj situate shumë të rëndë, që provon se në 12 vite keqqeverisje të “Rilindjes” sektori energjitik është trajtuar si plaçkë për të pasuruar në mënyrë të paligjshme Edi Ramën, Belinda Ballakun dhe zyrtarët e lartë të “Rilindjes”, në kushtet kur furnizimi me energji elektrike është rikthyer në periudhat më të errëta, aq sa edhe fshatrat e Fierzës që furnizon me energji të gjithë Shqipërinë prej javësh janë pa energji elektrike, dhe duke marrë në konsideratë se çmimi aktual i energjisë elektrike është pothuajse i papërballueshëm për më shumë se gjysmën e popullatës, Partia e Lirisë angazhohet për uljen e çmimit të energjisë pas zgjedhjeve të 11 Majit.

Duke qenë se konsumatori privat si klient i Furnizimit të Mundësisë së Fundit (FMF) tarifohet me çmim tregu, ka qënë më i lartë se 18.4 lekë/kwh dhe ky konsumator privat konsumon 1 Teravat/orë sipas bilancit vjetor të publikuar nga vetë ERE, kjo është një arsye për uljen e çmimit për konsumtorët familjarë dhe sidomos për mbi 790 mijë pensionistë.

Duke qënë se mbi 2100 klientë privatë kanë dalë në treg të lirë dhe energjia që i shet OSHEE është 18.4 lekë/kwh dhe konsumi për fashën e klientëve privatë sipas bilancit të ERE është 1.2 Twh, ky është një faktor tjetër pse duhet ulur çmimi për konsumatorët familjarë e sidomos për pensionistët.

Duke qënë se sasia e energjisë që OSHEE i shet familjarëve shqiptarë është 3.1 Twh (teravat) dhe kjo sasi është prodhim i garantuar nga KESH sipas mesatares shumë-vjeçare të prodhimit edhe ky është një faktor tjetër, përse duhet ulur çmimi për për konsumatorët familjarë e sidomos pensionistët.

Duke qënë se kosto e energjisë, që furnizon konsumatorin familjar e cila është energji që mund të prodhohet vetëm nga KESH, është rreth 8 lekë/kwh, atëhere edhe ky është veçse një argument tjetër për uljen menjëhershme të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorin familjar e në mënyrë të veçantë për pensionistët.

Pra është krejtësisht e mundur dhe e realizueshme ulja e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorin familjar nga 11.4 lekë/kwh të paktën në vlerën 8 lekë/kwh.

Me Partinë e Lirisë në Qeveri, nga 1 janari 2026 të gjithë konsumatorët familjarë do të paguajnë energjinë elektrike në vlerë 8 lekë/kwh.

Nga kjo masë do të përfitojnë në veçanti rreth 790 mijë pensionistë, në qytet dhe në fshat, që janë sot konsumatori kryesor familjar në Shqipëri dhe që e kanë të pamundur të ushqehen me pensionin e tyre e jo më të blejnë barna dhe akoma më tej të paguajnë faturat e energjisë elektrike me një çmim kaq të lartë, që nuk ka më asnjë justifikim, as në planin ndërkombëtar, as në planin e brendshëm.

Për qindra mijë pensionistë, në veçanti për ata që kanë lënë kockat në të gjithë ato vepra publike që i ka dhe sot sistemi ynë energjetik, edhe nuk e kanë marrë atë shpërblimin e merituar në atë kohë dhe nuk meritojnë ata të paguajnë çmime të jashtëzakonshme sot, kur nuk ekziston më asnjë arsye për këto çmime të cilat janë jo vetëm të papërballueshme po tërësisht spekulative, Partia e Lirisë angazhohet për uljen e menjëhershme për konsumatorët familjarë, nga 11.4 lekë/këh të paktën në vlerën 8 lekë/këh, e sidomos për të gjitha kategoritë në nevojë që nuk kanë mundësi t’i përballojnë këto çmime.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button