Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati nuk ka qëndrim të ngjashëm me linjën e ndjekur nga Tirana zyrtare në raport me Kosovën dhe Serbinë. Me bindjen se Kosova është çështje e interesit kombëtar dhe jo çështje klasike e politikës së jashtme, Ditmir Bushati kërkoi që qeveria të rishikojë pozicionin e saj në raport me vendet e rajonit, veçanërisht me Serbinë.
“Politika jonë e jashtme është orientuar mes Italisë dhe Greqisë për të dëshmuar përkatësinë tonë europiane dhe mesdhetare. Serbinë duhet ta shohim përmes syve të Kosovës. Kjo nuk do të thotë se me Serbinë nuk duhet të kultivojmë një marrëdhënie nomale, por mbase as pas 50 apo 100 vitesh ne nuk do të jemi dot miq me Serbinë. Çdo lloj rruge normaliteti dhe miqësie duhet të kalojë përmes Kosovës,” – tha Bushati në një intervistë për emisionin “Pa censurë” në RTSH me gazetaren Elona Meço.
Me nota kritike ndaj qëndrimeve, sipas tij, përkëdhelëse ndaj Serbisë, Ditmir Bushati e thotë hapur se ky nuk është një qëndrim që i takon Shqipërisë ta mbajë.
“Perëndimi e ka përkëdhelur Serbinë veçanërisht 2 vitet e fundit, pas agresionit rus në Ukrainë. I ka shkelur syrin qoftë për qasjen autokratike, qoftë për qasjen ndaj fqinjëve. Shqipërisë nuk i takon ky pozicion, sepse ne, përpara se të jemi euroatlantikë, kemi interesat tona kombëtare si shqiptarë. Shihni Kroacinë si reagon për çdo gjë që bën Serbia në Kosovë. Janë kroatët më pak apo më shumë euroatlantikë se ne? Jo! Kanë një interes kombëtar më shumë se ne në Kosovë? Kurrësesi!” – theksoi ish ministri i jashtëm.
Gjatë ditëve të fundit, politika e Tiranës ka shprehur mendime të ngjashme se formati i Procesit të Dialogut Prishtinë-Beograd nuk prodhon më asgjë të re dhe se duhet ndryshuar. I të njëjtit mendim është dhe Bushati, i cili flet hapur për dështim, të këtij formati.
“Fjala dështim në një gjuhë diplomatike është pak e vështirë të pranohet, por në një gjuhë politike, mund të them që po” – shprehet zoti Bushati.
Ndryshe nga kryeministri Rama, ish ministri i jashtëm beson se zgjidhja e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të nisë nga vetë BE dhe NATO.
“BE, minimalisht, duhet të ketë një qasje në bllok. Nuk e ka këtë. Në rast se nuk ka një lëvizje nga 5shja që nuk e njeh brenda BE-së dhe nga 4shja që nuk e njeh brenda NATO-s, është e kotë që të presim, që jo Aleksandar Vuçiq, por edhe demokrati më i madh që të jetë në krye të Serbisë, ta njohë Kosovën. Hapin e parë duhet ta bëjë Bashkimi Europian,” – tha Bushati duke iu përgjigjur gazetares edhe për momentin e ndarjes me kryeministrin Rama, në 2018-ën, kur diskutohej projekti i shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ditmir Bushati: Shpresoj që procesi i dialogut të rinisë dhe në një format tjetër. Sepse në këtë format arritja e një rezultati nuk duket shumë premtues.
Elona Meço: Është i dështuar ky format?
Ditmir Bushati: Fjala “dështim” në një gjuhë diplomatike është pak e vështirë të pranohet, por në një gjuhë politike, mund të them që po. Pse? Duhet të kuptojmë që Kosova e ka ezauruar të gjithë procesin me faktorin ndërkombëtar dhe të drejtën ndërkombëtare, flas për shtetësinë e saj. Koncepti mbi të cilën është ndërtuar Kosova dhe siguria në rajon bazohet mbi liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, mbi të drejtat e etnive dhe bashkëjetesën e tyre dhe jo mbi lojën e territoreve, siç na imponon Serbia. Së fundmi, Kosova është i vetmi vend nga ish Jugosllavia, ndaj të cilit ka një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë. Këtu nisi Procesi i Dialogut në Bruksel, sepse Këshilli i Sigurimit vendosi t’ia besojë BE-së procesin e dialogut që do të normalizonte marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve. Pra, ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë e ka vendosur një autoritet gjyqësor ndërkombëtar, nuk kemi thjesht një proces politik, siç ka ndodhur në Dejton, nuk kemi një proces të butë, siç ka ndodhur në Çekosllovaki, nuk kemi një proces të njëanshëm, siç mund të ketë ndodhur në vende të tjera, por kemi një proces të certifikuar.
Elona Meço: Kur flisni për riformatim të Procesit të Dialogut, çfarë duhet të ndodhë?
Ditmir Bushati: Flas për riformatim, sepse BE, minimalisht, duhet të ketë një qasje në bllok. Nuk e ka këtë. Le t’u kujtojmë njerëzve qasjen ne bllok që BE pati në rastin e Malit të Zi. Malit të Zi i miratoi një kusht, duke thënë se do ta njohë shkëputjen e Malit të Zi nga Federata vetëm në rast se në referendum do të votojnë më shumë se 55% e qytetarëve që jetojnë në Malin e Zi. Me votën përcaktuese të shqiptarëve kjo ndodhi dhe sot Mali i Zi është vend anëtar në NATO. Edhe në rastin e Kosovës, në rast se nuk ka një lëvizje nga 5-shja që nuk e njeh brenda BE-së dhe nga 4-shja që e nuk e njeh brenda NATO-s, është e kotë që të presim, që jo Aleksandar Vuçiq, por edhe demokrati më i madh që të jetë në krye të Serbisë, ta njohë Kosovën.
Elona Meço: Pra hapin e parë duhet ta bëjë BE-ja?
Ditmir Bushati: Absolutisht! Hapin e parë duhet ta bëjë Bashkimi Europian.
Elona Meço: A zgjidhet kjo me sanksione, siç po ndodh tani me Kosovën? Apo të njëjtat duhet t’i vihen edhe Serbisë?
Ditmir Bushati: Ky ka qenë një nga gabimet më të mëdha që ka bërë BE, siç BE duhet të ishte më i kujdesshëm për të kuptuar ekzigjencat e rajonit tonë. Edhe kombinimi që, edhe përfaqësuesi i Politikës së Jashtme, edhe emisari për dialogun vijnë nga vende që nuk e kanë njohur Kosovën, nuk ishte një pikënisje e mirë për të ndërtuar një proces, ku palët kanë besueshmëri te kuadri mbi të cilën ata duhet të operojnë.
Elona Meço: Zoti Bushati, kam një pyetje pak të vështirë për ju. Ka qenë çështja e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë një nga çështjet për të cilat ju u ndatë me zotin Rama?
Ditmir Bushati: Kjo është një çështje e tejkaluar. Pozicioni im është i njëjtë me atë që kam mbrojtur kur kam qenë në qeveri.
Elona Meço: Pra keni qenë kundër shkëmbimit të territoreve dhe zoti Rama nuk ishte kundër?
Ditmir Bushati: Natyrisht që kam qenë kundër. E kam thënë qëndrimin tim duke qenë në detyrë pse kam qenë kundër. Sepse vazhdon të mbetet një nga doktrinat që orientohet politika në Serbi, etnocentrizmi, territoret, pra që serbët duhet të jetojnë në një territor sa më të madh. Ndërkohë që arkitektura e sigurisë europiane, në të cilën bazohet Perëndimi dhe unë e besoj, është krejt e ndryshme. Ajo bazohet mbi liritë dhe të drejtat e njeriut, mbi shtetet mbi bazë multietnike dhe ku minoritetet gëzojnë një status të posaçëm. /rtsh.al