Është identifikuar një ditë më pas personi që humbi jetën nga një shpërthim në bregdetin e Sarandës. Bëhet fjalë për 52-vjeçarin Armandi Nelaj një biznesmen në këtë qytet. Të hënën u tha se viktima po kryente zhytje dhe i ka shpërthyer bombola e oksigjenit e cila i mori jetën.
Në fillim u dyshua se bëhej fjalë për një turist të huaj, por më pas u zbulua identiteti i viktimës. Një ditë më pas duket se policia ka nisur të dyshojë pasi po heton edhe për mundësinë e ngjarjeje kriminale. Sot, pranë vendit të ngjarjes janë parë palombarë që kanë kërkuar për prova.
Disa media shkruajnë se hetuesit kanë gjetur copa metalike që dyshohet se i përkasin mjetit me të cilin po lundronte viktima, por nuk dihet lloji i tij. Shpërthimi që ndodhi rreth orës 22.00 të së hënës ishte i fuqishëm dhe është dëgjuar edhe nga kalimtarë të rastit, por në ato momente vëmendja ka qenë tek ndeshja Spanjë – Shqipëri.
Viktima u gjet nga dy turistë të huaj që po lundronin me një gomone. Ata e nxorën 52-vjeçarin nga uji dhe e transportuan drejt Portit të Sarandës. Aty ka mbërritur ambulanca që e ka dërguar në spital. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, biznesmeni nuk ka arritur të mbijetojë. Sipas mediave, biznesmeni, baba i dy fëmijëve, zotëron prej 13 vitesh një kompani të mjeteve të rënda të ndërtimit.