Saturday, November 23, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeEKONOMIÇfarë po ndodh me tregun e apartamenteve të qirasë ditore pas taksimit?

Çfarë po ndodh me tregun e apartamenteve të qirasë ditore pas taksimit?

Ndonëse sektori i qirasë ditore është në zgjerim për shkak të lulëzimit të turizmit, problematikë mbetet taksimi i tyre, pasi ky treg po zhvillohet në informalitet të lartë. Sipas Shoqatës së Hotelerisë dhe Turizmit, deri në muajin korrik të vitit të kaluar, rezultonte se 48% e strukturave të qirasë ditore ishin informale. Madje duke qëndruar jashtë sistemit të taksimit, kjo pjesë e akomodimit po godet edhe hotelerinë, nëpërmjet konkurrencës së pandershme.

Për të zgjidhur problemin, autoritetet shqiptare iu drejtuan me kërkesë platformave Booking dhe Airbnb për evidentimin e këtyre strukturave.

Pas kërkesës së autoriteteve shqiptare, platforma Booking, nëpërmjet një njoftimi, u kërkoi pronarëve të apartamenteve se nëse nuk deklarojnë NIPT-in, nga 1 Nëntori do të paguajnë 20% TVSH për komisionet që mban Booking.

P.sh. nëse qiraja ditore e një shtëpie është 100 euro, Booking merr zakonisht 12-18% komision, ose 12-18 euro. Tashmë Booking do t’u mbajë pronarëve të apartamenteve TVSH-në mbi komisionin që ajo merr, pra 20% të 12-18 eurove, ose 2.4-3.6 euro shtesë.

Këtë shumë, Booking do t’ua paguajë më pas autoriteteve fiskale shqiptare.

Ndërsa shuma që Booking do të mbajë si TVSH mbi komisionet mund të mos jetë shumë e lartë, synimi i Tatimeve është që, nëpërmjet këtyre pagesave, të identifikohen individët e regjistruar në këtë platformë, pasi të dhënat nga pagesat e kryera nga Booking do t’i dërgohen Drejtorisë së Tatimeve.

Pas identifikimit nga Tatimet, individët pronarë kanë dy alternativa: E para, ata mund të vazhdojnë që të mbajnë statusin që kanë, d.m.th. të mos regjistrohen në Tatime, por ndërkohë duhet të paguajnë 15% si tatim mbi të ardhurat që ata marrin nga qiraja.

E dyta, të regjistrohen si subjekt tregtar i kategorizuar, si struktura akomoduese për të cilat detyrimi i TVSH-së është 6%. Kategorizimi si strukturë akomoduese për përfitimin e TVSH-së 6% kryhet nga Ministria e Turizmit, dhe më tej, pas marrjes të tij, subjekti tregtar regjistrohet për NIPT në Tatime.

Ekonomistja Romina Radonshiqi më herët rekomandoi se më e leverdishme është që këto biznese të regjistrohen si struktura akomoduese me qëllim përfitimin e TVSH-së 6%.

Sipas znj. Radonshiqi, formalizimi është tepër i rëndësishëm për këto struktura, sepse nxit konkurrencën, ofron më shumë siguri për mbrojtjen e turistëve dhe krijon mundësi në zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori.

Por ky vit nuk ka nisur mirë për bizneset e qirave ditore. Vlerësimet e agjentëve imobiliarë tregojnë se shumë prej këtyre strukturave po mbyllen. “Jo të gjithë po vijojnë t’i mbajnë këto aktivitete. Shumë prej tyre po zgjasin 3 deri në 6 muaj, pastaj e mbyllin.

Kemi pasur raste që e mbyllin si biznes dhe më pas e merr dikush tjetër apartamentin me qira për ta ridhënë me qira ditore. Këto biznese po mbyllen kryesisht nga individë që, përveç të ardhurave nga punësimi, siguronin të ardhura të tjera nga qiraja afatshkurtër”, thekson Lorina Rada, nga agjencia imobiliare “Century 21 CPM”.

Stela Dhami, nga “Colliers International Albania”, thotë se viti 2023 ishte një vit testi, si për pronarët edhe për konsumatorët.

“Ata pronarë, të cilët kanë kohën/dëshirën të merren me një menaxhim ditor të pronës do të vazhdojnë ta japin atë me qira ditore/afatshkurtër. Ata të cilët kanë kuptuar vështirësitë e menaxhimit të pronës mund të rimendojnë strategjinë e tyre dhe mund ta rivendosin pronën pjesë të një tregu të qirasë afatgjatë”, pohoi ajo.

Ndërsa Eron Çumani, i agjencisë imobiliare “Saranda Property”, thotë se shumë pronarë të apartamenteve me qira ditore në Sarandë nuk janë të informuar për ndryshimet ligjore me qëllim formalizimin e tregut.

Por z. Çumani parashikon se shumë prej tyre, për shkak “të shtrëngimeve” ligjore, pritet të jepen nga apartamente me qira ditore në apartamente me qira afatgjatë. A mos ka ardhur koha që edhe ky treg të formalizohet?

Pas ligjit për formalizimin, a ia vlen të investosh për të dhënë një apartament me qira ditore?

Me çmimet e larta të shitjes së apartamenteve dhe tarifave të ulëta të qirave, krahasuar me shtetet europiane, për shumë individë blerja e një apartamenti me qëllim kthimin e investimit nëpërmjet qirasë afatgjatë konsiderohet e paleverdishme, pasi koha e investimit arrin deri në 25 vjet.

Ndërsa afati mesatar për kthimin e investimit në shtetet e Europës është 15 deri në 17 vjet.

Shumë individë zgjodhën të merrnin me qira afatgjatë një apartament apo ta blinin dhe ta jepnin me qira ditore, për shkak se fitimi ishte më i shpejtë.

Agjentët imobiliarë pohojnë se pas ndryshimeve ligjore për formalizimin e këtij sektori konstatohet që shumë struktura po mbyllen, nisur edhe nga vështirësitë e menaxhimit, pasi pronarët e tyre ishin të punësuar diku tjetër me të ardhura stabël.

Për agjentët imobiliarë, pas ndryshimeve ligjore, është më e leverdishme menaxhimi i portofolit të disa pronave, një model që më së shumti deri tani është zhvilluar nga agjencitë.

Ndërkohë, të tjerë po parapëlqejnë që këtë investim ta bëjnë jashtë sesa në Shqipëri. Vendi më i preferuar kryesisht mbetet Dubai, ku shumë shqiptarë po blejnë apartamente për t’i dhënë me qira ditore. Amarlido Stërkaj, CEO i kompanisë “Extra Real Estate”, pohon se janë të shumtë shqiptarët që blejnë apartamente për t’i dhënë me qira ditore.

Çmimet e qirave ditore në prona luksoze në Dubai variojnë nga 17,000 lekë deri 50,000 lekë nata.

Ndërsa koha e kthimit të investimit nëpërmjet qiradhënies afatgjatë në Dubai llogaritet 7 deri në 10 vjet, për shkak të çmimeve më të lira të pronave dhe qirasë më të shtrenjtë. Sipas të dhënave të Numbeos-s, ndër qytetet me afatin më të ulët të kthimit të investimit nëpërmjet qirasë afatgjatë renditet Majami në SHBA. Koha e investimit atje arrin deri në 6 vjet.

Marrë nga Monitor.al

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME