Saturday, December 14, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeMODËLIFESTYLEÇmimi Nobel shitet nga gazetari rus për fëmijët ukrainas

Çmimi Nobel shitet nga gazetari rus për fëmijët ukrainas

Cili është çmimi i paqes?

Kjo pyetje mund të marrë pjesërisht përgjigje të hënën mbrëma, kur gazetari rus Dmitry Muratov të nxjerrë në ankand medaljen e tij të Çmimit Nobel për Paqe. Të ardhurat do t’i shkojnë drejtpërdrejt UNICEF-it në përpjekjet për të ndihmuar fëmijët e zhvendosur nga lufta në Ukrainë.

I vlerësuar me medaljen e artë në tetor të vitit 2021, Dmitry Muratov ndihmoi në themelimin e gazetës së pavarur ruse Novaya Gazeta dhe ishte kryeredaktor kur gazeta u mbyll në mars mes shtypjes së Kremlinit ndaj gazetarëve dhe mospajtimit publik në vazhdën e agresionit rus ndaj Ukrainës.

Ishte ideja e zotit Muratov për të nxjerrë në ankand çmimin e tij, pasi kishte njoftuar tashmë se do të dhuronte çmimin shoqërues prej 500,000 dollarësh për bamirësi. Ideja e donacionit, tha ai, “është t’u japë fëmijëve refugjatë një shans për një të ardhme”.

Në një intervistë për agjencinë Associated Press, zoti Muratov tha se ishte veçanërisht i shqetësuar për fëmijët që kanë mbetur jetimë për shkak të konfliktit në Ukrainë.

“Ne duam të kthejmë të ardhmen e tyre,” tha ai.

Ai shtoi se është e rëndësishme që sanksionet ndërkombëtare të vendosura kundër Rusisë të mos pengojnë ndihmat humanitare, si ilaçet për sëmundje të rralla dhe transplantet e palcës së kockave, të arrijnë tek ata që kanë nevojë.

“Duhet të bëhet si një shembull për t’u ndjekur, në mënyrë që njerëzit të nxjerrin në ankand pasuritë e tyre të vlefshme për të ndihmuar ukrainasit,” tha zoti Muratov në një video të publikuar nga kompania Heritage Auctions, e cila po merret me shitjen, por nuk merr asnjë pjesë të të ardhurave.

Dmitry Muratov ndau Çmimin Nobel për Paqe vitin e kaluar me gazetaren Maria Ressa nga Filipinet.

I nderuar për këmbënguljen

Dy gazetarët u nderuan për betejat e tyre për të ruajtur lirinë e fjalës në vendet përkatëse, pavarësisht sulmeve nga qeveritë e tyre dhe madje edhe kërcënimeve me vdekje.

Dmitry Muratov ka qenë shumë kritik ndaj aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe luftës së nisur në shkurt që ka bërë që afro 5 milionë ukrainas të shkojnë në vende të tjera për siguri, duke krijuar krizën më të madhe humanitare në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Gazetarët e pavarur në Rusi janë nën vëzhgim nga Kremlini. Që nga ardhja e Putinit në pushtet më shumë se dy dekada më parë, janë vrarë afro 22 gazetarë, duke përfshirë të paktën katër që kishin punuar për gazetën e zotit Muratov.

Në prill, Dmitry Muratov tha se ai u sulmua me bojë të kuqe ndërsa ishte në një tren rus.

Zoti Muratov u largua nga Rusia për në Evropën Perëndimore të enjten për të filluar udhëtimin e tij në qytetin e Nju Jorkut, ku do të fillojë ankandi i drejtpërdrejtë të hënën pasdite.

Ofertat online filluan më 1 qershor për të përkuar me Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve. Oferta e drejtpërdrejtë e së hënës përkon me Ditën Botërore të Refugjatëve.

Që nga mëngjesi i së hënës, oferta më e lartë ishte 550,000 dollarë. Çmimi i blerjes pritet të rritet, ndoshta në miliona./ VOA

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME