BOTA

Ç’po ndodh? Tronditje në hierarkinë e ushtrisë kineze

Hetimi ndaj gjeneralit më të lartë të Kinës, Zhang Yuxia, i ka çuar për herë të parë “operacionet anti-korrupsion” në Ushtrinë Çlirimtare Popullore (PLA) brenda rrethit të ngushtë të Presidentit Xi Jinping. Analistët i shohin zhvillimet si një “mesazh” se edhe marrëdhëniet më të ngushta personale nuk garantojnë imunitet kur bëhet fjalë për çështje besnikërie ndaj udhëheqjes së partisë komuniste.

Largimi i gjeneralit, i cili ishte një aleat i gjatë i Xi dhe anëtar i Byrosë Politike të partisë, përqendron në fakt edhe më shumë pushtet në duart e presidentit kinez, por gjithashtu sugjeron se një sulm ndaj Tajvanit në të ardhmen e afërt është më pak i mundshëm.

Gjenerali Zhang Yuxia – Foto: Reuters

“Largimi i Zhang do të thotë që askush në udhëheqje nuk është më i sigurt”, – thotë Jonathan Chin i Institutit Brookings me seli në Uashington, i cili e quajti hetimin “mahnitës”. Chin, i cili punoi për vite me radhë si analist i lartë i Kinës në Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA), thotë se hetimi ndaj gjeneralit më të lartë të vendit shënon një “ndryshim të thellë” në politikën kineze. Spastrimet e mëparshme në ushtri kishin në shënjestër individë që mund të kishin pasur ndonjë lidhje me Xi-në, por nuk kishin lidhje të forta personale. Këtë herë, gjërat dukeshin të ndryshme.

Ministria e Mbrojtjes e Kinës njoftoi të shtunën se po hetonte Zhang “për shkelje të dyshuara serioze të disiplinës dhe ligjit”. Wall Street Journal raportoi se gjenerali akuzohet për rrjedhje informacioni në lidhje me arsenalin bërthamor të vendit në Shtetet e Bashkuara dhe për marrje ryshfeti brenda vendit, duke përfshirë ngritjen në detyrë të një oficeri në pozicionin e ministrit të mbrojtjes. Një tjetër zyrtar i lartë, Liu Zhenli, kreu i Shtabit të Përgjithshëm të Komisionit Qendror Ushtarak, është vënë gjithashtu nën hetim.

Pastrim dhe “superfuqi”

Ushtria ka qenë në qendër të një fushate të gjerë kundër korrupsionit për vite me radhë. Spastrimet arritën deri në Forcën Raketore, e cila mbikëqyr armët bërthamore, si dhe raketat konvencionale, në vitin 2023. Dy ish-ministra mbrojtjeje janë shkarkuar gjithashtu nga Partia Komuniste në pushtet vitet e fundit për shkak të korrupsionit.

“Mendoj se shqetësimet për korrupsion janë ndoshta reale, megjithëse ato zakonisht janë më shumë një pretekst për të larguar dikë nga politika kineze”, – thotë Qin. “Xi ka eliminuar udhëheqjen e lartë të Ushtrisë Çlirimtare Popullore si asnjë udhëheqës tjetër para tij”, – thotë Neil Thomas, një studiues në Shoqërinë e Azisë.

Në editorialin e saj në faqen e parë të dielën, gazeta “PLA Daily” e quajti hetimin një arritje të madhe, duke shtuar se dy gjeneralët “minuan dhe shkelën seriozisht” të ashtuquajturin “sistem llogaridhënieje” të presidentit.

Sipas ligjit, Xi, si kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, është i pajisur me “autoritet suprem ushtarak për vendimmarrje”. Ky sistem funksionon gjithashtu si “një rregullim institucional për ushtrimin e lidershipit absolut të partisë mbi ushtrinë”.

“Përfshirja e “sistemit të llogaridhënies” (struktura institucionale që siguron që Partia Komuniste, nëpërmjet presidentit, të mbajë kontroll absolut mbi ushtrinë) sugjeron që Zhang kishte pushtet të tepruar”, – thotë Lyle Morris, një bashkëpunëtor i lartë në Qendrën e Analizës së Kinës në Institutin e Politikave të Shoqërisë Aziatike. “Fakti që Xi bëri një veprim kaq dramatik sugjeron dy gjëra: se Xi ka mbështetjen e plotë të PKK-së dhe se ai është i bindur në konsolidimin e pushtetit të tij mbi ushtrinë”, – shtoi Morris.

“Kostoja” e amputimeve

Për shkak të fushatave kundër korrupsionit dhe kulminacionit të spastrimit të gjeneralëve të vendit, analistët po ngrenë pyetje se si do të veprojë ushtria më e madhe në botë që nga tani e tutje.

“Sinqerisht, nuk është e qartë se si funksionon hierarkia, veçanërisht duke pasur parasysh që shumë nga oficerët që përndryshe do të ishin të kualifikuar për të zëvendësuar anëtarët e larguar janë larguar vetë”, – thotë Chin.

Thomas beson se Xi po kërkon të rinovojë udhëheqjen ushtarake dhe mund të presë deri në Kongresin e Partisë Komuniste në vitin 2027 për të “shqyrtuar me kujdes kandidatët e përshtatshëm për pozicionet vakante”.

Megjithatë, ai theksoi se “spastrimi i komandës së lartë të Ushtrisë Çlirimtare Popullore sugjeron që Xi nuk po planifikon një përshkallëzim të madh ushtarak kundër Tajvanit në të ardhmen e afërt . Masat goditëse synojnë kultivimin e një grupi gjeneralësh më të aftë dhe besnikë . Xi është një njeri me qëllime. Ai do të bëjë gjithçka që duhet për të siguruar që partia dhe ushtria e tij të jenë politikisht besnike dhe të përkushtuara ideologjikisht.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button