Ngjarjet e fundit kanë nxjerrë me më shumë forcë në pah një stereotip të pështirë burokrati që për hir të së vërtetës, nuk i ka munguar asnjëherë peizazhit shqiptar. Një grua, deri një ditë më parë zv.ministre e një dikasteri të një vendi të NATO-s, pranon të largohet nga detyra e saj, dhe që të nesërmen e nis punën e re, duke zbatuar një urdhër që paraardhësi refuzonte ta plotësonte: i fut ruspat një biznesi turizmi në kulm të sezonit, pa dashur të dijë se shteti i kishte dhënë leje dhe e kishte toleruar për vite me radhë.
Disa të ngjashëm të saj, nisur nga një email anonim, pranojnë të bëhen kamikazë të ç’autoritetit të dosjeve, për ti shërbyer regjimit që të eliminojë një nga kundërshtarët kryesorë politikë. Një grup prokurorësh, nga ata që ambasadorët na i servirin si “heronjtë e fëmijëve tanë”, marrin në në duar një denoncim qesharak, dhe vihen në punë për të njëjtin qëllim, pas një direktive të shefit, se i gjithë vendi e do në burg rivalin e tij.
Kur përmend këto raste pyetja e parë që të vjen në mendje është: ç’janë këta njerëz. A shpjegohet devotshmëria e tyre për të shërbyer në kundërshtim me ligjin, përulësia që tregojnë ndaj urdhrave dhe aftësia për të kërrusur kurrizin, vetëm me karakterin dhe formimin e tyre? Nëse një dallëndyshe e merr nga shitëse dhe e bën drejtoreshë, a është e aftë ajo pastaj për gjithçka? A luajnë rol frustrimi seksual, të qenit e padëshiruar nga seksi tjetër, smira njerëzore, ligësia apo hakmarrja e atij që ngrihet nga margjinat për tu shfaqur në ballin e shoqërisë, në aftësinë për të shërbyer si kamxhik në duart e eprorëve?
Ky lloj burokrati “yes-man” mund të jetë edhe një kombinim i të gjitha këtyre bashkë, por një identikit të tij, të shkaqeve se përse vepron kështu, të efekteve që sjell dhe të dëmeve që prodhon e ka skicuar Hannah Arendt, në esenë e saj të shumë diskutuar, “Eichmani në Jeruzalem”. Të gjithë e dinë se ai është një nazist i fmashëm, një ingranazh kryesor në kampet hitleriane të shfarosjes në masë, historia e kapjes të së cilit nga shërbimet sekrete izraelite dhe gjykimi i tij në shtetin e ri të hebrenjve e bëri filozofen Arendt të ndiqte procesin, për të bërë radiografinë e kësaj mostre.
Ajo mbërriti në konkluzionin shumë të debatueshëm se e keqja është banale. Portreti që ajo bëri për njeriun që zbaton në mënyrë çmendurake urdhrat e Hitlerit ishte befasues. Ai është një njeri i zakonshëm, “normal”, i pa mbrujtur me asnjë ideologji dhe i pa përsosur nga asnjë aspiratë. Eichmann është i pa aftë të mendojë dhe i kryen në mënyrë mekanike krimet e tij, sikur të bëhej fjalë për një aktivitet banal ditor. Ai i bindet sistemit pa ngritur pyetje për veten, i zhveshur nga dialogu i brendshëm, madje fare moskokëçarës për faktin se jeton në një botë të cilën është i detyruar ta ndajë me ata që mendojnë ndryshe nga ai. Pra nëse mund ta përkufizojmë, kjo mostër që simbolizon banalitetin e së keqes, ka të bëjë sipas Arendt, me mungesën e një rezistence etike në skenën publike.
Po ta krahasojmë tani profilin e njeriut që në luftën e dytë botërore çonte hebrenjtë ne krematoriume me karakteristikat e zyrtarëve që përdorin ruspat pa pyetur për ligj, që fabrikojnë nga e para dosje të së shkuarës, që nënshkruajnë tendera milionësh pa asnjë lloj animoziteti se po vidhet para e madhe, që rrëmbejnë pronat e qytetarëve, prishin shtëpi dhe biznese vetëm se kështu kanë vendosur ata sipër, ngjashmëria është e frikshme. As këta të dytët nuk mendojnë, as këta nuk kanë skrupuj për mënyrën se si i shohin të tjerët përveç shefit edhe ata janë të zakonshëm, “normalë”, thjeshtë ingranazhe qorre të një sistemi abuziv, të zhveshur nga aftësia për të bërë rezistencë etike në sferën publike. Në një sistem të ndryshëm, më të drejtë, më të hapur, më demokratik, ata mund të mos ishin bërë as mëkatarë as kriminelë. Por është verbëria e tyre, paaftësia për të vënë trurin në punë, një lloj pandjeshmërie për sentimentin e krupës që ngjallin tek të tjerët, që i shndërron në vegla të një njeriu dhe të piramidës që ka ngritur ai.
Historia e treguar këtu e gjysmë shekulli më parë nga Hannah Arednt tregon se regjimi çnjerëzor i Hitlerit, nuk mund të mbahej në këmbë pa këta përfaqësues banalë të së keqes. Ndaj sa herë ndeshemi me shembuj të tillë gjithmonë duhet të na mundojë pyetja se mos ndoshta kjo është një farë që rimbin vazhdimisht: Mos duke parë dallëndyshet që godasin me ruspa, që fabrikojnë dosje, që hapin procese me urdhër, duhet të ngremë vallë pyetjen për lindjen e një lloji të ri fashizmi, nga ai që shfrytëzon njerëz banalë, për të zaptuar shtetin? Një gjë është e qartë, ekzistenca e tyre e shtuar nuk është një ogur i mirë. /Lapsi.al/