Debat në Francë teksa avancon nisma për të ndaluar rrjetet sociale për adoleshentët

Franca po shkon drejt ndalimit të rrjeteve sociale për adoleshentët nën 15 vjeç, ndërsa në Asamblenë Kombëtare ka nisur debati për një ligj të ri. Projektligji parashikon bllokimin e aksesit në platforma si Snapchat, Instagram dhe TikTok, ndërsa Presidenti Emmanuel Macron ka kërkuar që ndalimi të hyjë në fuqi deri në shtator, në fillim të vitit shkollor.
Macron ka argumentuar se rrjetet sociale dëmtojnë shëndetin mendor të fëmijëve, duke thënë: “Nuk mund ta lëmë shëndetin mendor dhe emocional të fëmijëve tanë në duart e njerëzve që kanë si qëllim të vetëm të fitojnë para prej tyre.”
Sipas projektligjit, autoriteti shtetëror i mediave do të hartojë një listë të rrjeteve që konsiderohen të dëmshme dhe ato do të ndalohen për nën 15-vjeçarët. Disa faqe më pak të rrezikshme mund të lejohen vetëm me miratimin e prindërve. Një klauzolë tjetër parashikon ndalimin e telefonave celularë në gjimnaze, ndërsa ky ndalim është tashmë në fuqi në shkollat më të ulëta.
Projektligji ka gjasa të miratohet me mbështetje nga kampi i Macronit, e djathta tradicionale dhe e djathta populiste. Franca do të duhet të krijojë gjithashtu një sistem verifikimi të moshës, i ngjashëm me atë që përdoret për faqet pornografike.
Nisma franceze është pjesë e një trendi global: vende si Danimarka, Greqia, Spanja, Irlanda dhe Britania po shqyrtojnë masa të ngjashme, duke ndjekur shembullin e Australisë. Megjithatë, një ligj i ngjashëm francez i vitit 2023 u rrëzua nga gjykatat pasi u konsiderua në kundërshtim me ligjin evropian.









