Detaje/ Kristian Marku u qëllua brenda në makinë në autostradë
Policia e Vlorës jep detaje në lidhje me vrasjen që u regjistrua këtë pasdite në aksin Fier-Levan. Rreth orës 18:15 në afërsi të fshatit Novoselë, në autostradën Fier-Vlorë, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip “Volkswagen”, me drejtues 30-vjeçarin Kristian Marku, i cili ka humbur jetën.
Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të Policisë së DVP Vlorë dhe grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë Njësia Fier.
“Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit”, shkruhet në reagimin e policisë.
Marku është hetuar më herët për vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Mësohet se disa minuta pas ngjarjes, në një distancë jo shumë të largët është gjetur dhe një mjet në djegie e sipër që dyshohet se iu përket autorëve. Ai u godit me breshëri automatiku në aksin Levan-Fier teksa ndodhej në makinën e tij. Moti me shi dhe mungesa e kamerave të sigurisë vështirëson punën e policisë për kapjen e autorëve, teksa në të gjitha hyrjet e qytetit bregdetar janë ngritur dhe postblloqe.
Raportohet se ai ishte i përfshirë në një ngjarje të rëndë kriminale dy vjet më parë, në mars 2023, ku u përball me akuza për tentativë vrasje në bashkëpunim, kur së bashku me persona të tjerë ai ka hapur zjarr drejt makinës së Saimir Reçit, teksa ky i fundit ndodhej brenda saj.
Ngjarja e vitit 2023 kishte ndodhur në qytetin e Rrëshenit. Kristian Marku ishte një nga personat e përfshirë në këtë ngjarje dhe u akuzua së bashku me të afërm të tij, për tentativën e vrasjes së Saimir Reçit.
Sipas hetimeve të bëra nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lezhë, ngjarja kishte ndodhur pas një përplasjeje mes Saimir Reçit dhe disa anëtarëve të familjes Bardhi, përfshirë edhe Kristian Markun alias Kristi Bardhi, ku ata kishin qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të Reçit.
Kristian Marku dhe të afërm të tij u akuzuan për “Vrasje me paramendim të mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municionit luftarak”.