Dita e shtatë e grevës së urisë në Marinzë – përkeqësohet gjendja shëndetësore, grevistët kërkojnë ndërhyrjen e shtetit dhe barazi pagash (foto e video)

Marinzë – Greva e urisë e punëtorëve të kompanisë Bankers Petroleum ka hyrë në ditën e saj të shtatë dhe situata në vëndin ju zhvillohet greva dhe protesta në Marinzë mbetet e tensionuar…
Gjendja shëndetësore e disa prej grevistëve është përkeqësuar ndjeshëm, ndërsa mjekët ndodhen në gatishmëri në rast emergjence. Punëtorët, megjithatë, mbeten të vendosur të mos tërhiqen pa marrë përgjigje konkrete për kërkesat e tyre.

Grevistët në Marinzë vijojnë protestën edhe pse gjendja e tyre shëndetësore po rëndohet dita-ditës.
Kërkesa për drejtësi dhe barazi pagash
Punëtorët e Bankers kërkojnë balancim të pagave dhe rritje sipas kategorive të punës dhe vështirësive në terren, duke denoncuar pabarazitë e mëdha mes tyre dhe punonjësve të huaj.
“Nuk është e drejtë që punëtorët shqiptarë të marrin 600 apo 800 euro në muaj, ndërsa punonjës të huaj, veçanërisht kinezë, paguhen me 20 deri në 30 mijë euro. Edhe disa shqiptarë në administratë marrin 4 deri në 5 mijë euro. Kjo është padrejtësi e pastër,” – shprehen grevistët.
Ata theksojnë se shteti duhet të ndërhyjë si garant i barazisë dhe ligjshmërisë në marrëdhëniet e punës.
“Kërkojmë që qeveria të mos heshtë, por të ulin palët në tryezë për një marrëveshje të drejtë,” – shtojnë protestuesit.

Punëtorët mbajnë pankarta ku kërkojnë rritje page dhe ndërhyrjen e institucioneve shtetërore.
Histori që prekin – një baba me vajzën në grevë
Një moment që ka prekur të gjithë të pranishmit është ai i një protestuesi që kishte marrë vajzën e tij të vogël në grevë, pasi nuk kishte me kë ta linte në shtëpi.
“Gruaja është në punë, nuk kisha me kë ta lija vajzën. Jam detyruar ta marr këtu në protestë. Nuk kam zgjidhje tjetër,” – tregon ai.
Pamja e vajzës që qëndron pranë babait të saj në vendin e grevës është bërë simbol i sakrificës së punëtorëve që kërkojnë drejtësi për familjet e tyre.


Një nga grevistët është detyruar të marrë vajzën e tij në protestë, për mungesë kujdesi në shtëpi.
Gjendja shëndetësore përkeqësohet
Sipas informacioneve nga terreni, disa prej grevistëve kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ndërsa mjekët janë të pranishëm për çdo rast emergjent.
“Jemi të lodhur, por nuk dorëzohemi. Kjo është një betejë për dinjitetin tonë dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë,” – thonë grevistët.
Priten negociata me kompaninë
Në orët në vijim pritet një takim mes përfaqësuesve të grevistëve dhe drejtuesve të kompanisë Bankers Petroleum, që mund të përcaktojë të ardhmen e kësaj greve.
Burime nga grupi i punëtorëve thonë se do të shkojnë në tryezë vetëm nëse ka vullnet real për zgjidhje dhe jo për vonesa të reja.
Ndërkohë, qytetarë dhe familjarë të grevistëve po bashkohen çdo ditë në shenjë solidariteti, duke e kthyer grevën në një kauzë që po merr gjithnjë e më shumë mbështetje.


Mbështetja për grevistët po rritet nga dita në ditë, me pjesëmarrjen e familjarëve dhe banorëve të zonës.
Një grevë që po kthehet në simbol qëndrese
Në Marinzë, tensioni mbetet i lartë dhe vëmendja është tashmë tek negociatat që priten. Punëtorët kërkojnë dinjitet, drejtësi dhe trajtim të barabartë për punën që bëjnë çdo ditë në kushte të vështira.
Greva e urisë në Marinzë po kthehet dita-ditës në një simbol të qëndresës, dinjitetit dhe kërkesës për barazi në vendin e punës.
Redaksia ALB365.com do të ndjekë nga afër zhvillimet në Marinzë dhe do të raportojë në vijim mbi ecurinë e negociatave dhe gjendjen e grevistëve. / ALB365/ Xhemil Beharaj











