
Një ndeshje me emocione të forta dhe përmbysje dramatike u zhvillua në Ballsh, ku Bylisi mposhti 2-1 Flamurtarin, duke marrë tri pikë jetike në luftën për mbijetesë në Kategorinë Superiore.
Pjesa e parë nuk ofroi shumë spektakël, me të dyja skuadrat që u treguan të kujdesshme dhe pa raste konkrete. Megjithatë, loja mori tjetër ritëm në pjesën e dytë, ku filluan edhe momentet vendimtare.
Bylisi kaloi në avantazh në minutën e 83-të me Përndrecën, që shfrytëzoi një situatë të krijuar pas një goditjeje standarde për të dërguar topin në rrjetë. Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt fitores së vendasve, Flamurtari reagoi në minutat shtesë. Në minutën e 90+4, pas një goditjeje dënimi të ekzekutuar nga Trashi, topi u devijua në zonë dhe Bintsuka me kokë barazoi shifrat në 1-1.
Por drama nuk përfundoi aty. Vetëm pak minuta më vonë, në 90+7’, një goditje këndi për Bylisin solli episodin vendimtar: Trashi mbajti në mënyrë të dukshme Përndrecën në zonë, duke shkaktuar penallti dhe duke u ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë. Nga pika e bardhë, Muriç u tregua i saktë në minutën e 90+8’, duke vulosur fitoren 2-1 për Bylisin.
Më herët, Flamurtari kishte edhe një mundësi të artë me Bintsukën, ndërsa Abdullahi u ndal nga portieri Aleksovski në një kundërsulm të rrezikshëm.
Një sukses dramatik për Bylisin, që i jep frymëmarrje në renditje, ndërsa Flamurtari del pa pikë nga një sfidë që u vendos në sekondat e fundit.
Në stadiumin “Adush Muçaj” Ballsh
Bylis. – 2
Flamurtari – 1
Bylis) Josa – Ne ishim në fitore dhe e fituam ndeshjen, Flamurtari është një ekip i fortë e ka bër shumë përmirësime.
( Flamurtari) Memushi – Një pjesë e parë ku Bylis pati vetëm një rast. Ne kishim raste më shumë. Në pjesën e dytë ne kishim më shumë raste. Nuk e di isha dhe i nervozuar sepse arbitri i 4 dha shtesë mbi shtesë, nuk e kuptova këtë veprim të tij.











