Emrat/ Zhvatën shqiptarët dhe i çuan drejt vdekjes, mashtruesit e mikrokredive me nga 2 avokatë në SPAK!

Shkruar ngaNewsbomb
Nje pjese e permbaruesve te çuar perpara drejtesise
Maksiprocesi i mashtrimit të mijëra shqiptarëve nga e ashtuquajtur banda e mikrokredive, ka vijuar edhe këtë të premte, datë 3 Tetor, në seancën e dytë paraprake. Gjyqtarja e posaçme Flojera Davidhi ka dëgjuar palët, ndërsa prokurori i SPAK, Ervin Kondili ka mbrojtur interesin e viktimave që përgjatë viteve janë zhvatur nga kompanitë mashtruese të mikrokredive.
Në bankën e të akuzuarëve dolën 15 personat e marrë të pandehur nga organi i akuzës dhe 31 persona që kanë rënë pre e mashtrimit, pavarësisht se në realitet numërat janë më mijëra.
Newsbomb.al raporton për një fakt të padëgjuar më parë në analet e gjyqësorit shqiptar, se 15 të pandehurit e këtij procesi kanë 22 avokatë mbrojtës, ku 90% e tyre janë gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar nga vettingu.
Emra të njohur e të spikatur të gjyqësorit dhe të akuzës shqiptare ndër vite, të konvertuar në avokatë, janë vendosur si “mur” mbrojtës, për “bandën” e mikrokredive që shkaktoi mijëra viktima social-ekonomike por edhe viktima në jetë njerëzore, për dhjetëvjeçarin e fundit.
Të akuzuarit nga SPAK dhe avokatët e tyre:
1- Elda Ibro pronare e MCA mbrohet nga av. Ardian Kalija, ish-gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë (i shkarkuar) dhe av. Shpëtim Kurti, ish-prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë (i shkarkuar).
Elda Ibro dhe dy avokatet e saj, ish-prokurore
2- Arben Meskuti pronar i ZIG dhe Final mbrohet nga av. Besnik Muçi, ish-prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë (i shkarkuar) dhe av. Adam Jahja.
Meskuti dhe nje nga dy avokatet e tij, ish-prokurori Besnik Muçi
3- Alban Kote i ZIG, ADCA mbrohet nga avokatët Ilir Murati, ish-OPGJ, Prokuroria Tiranë (i shkarkuar) dhe av. Geri Murati (i biri).
4- Aldo Daka i STAR, FS mbrohet nga kryetari i Dhomës së Avokatëve, av. Maks Haxhia dhe ndihmësi i tij, av. Dritan Jahaj.
5- Albert Gega i ZIG, STAR mbrohet nga av. Zhylien Ristani.
6- Andis Gjoka, administrator i MCA, mbrohet nga av. Përparim Kulluri, ish-prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës për Krime të Rënda Tiranë (i shkarkuar).
Andis Gjoka dhe avokati i tij ish-prokuror
7- Vasil Bakallbashi, administrator i Final, mbrohet nga av. Ervin Metalla, ish-gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë (i shkarkuar) dhe av. Lauren Sheshi, bashkëshort i Blerona Hasës, aktualisht gjyqtare pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.
8- Yljana Sejfo, eksperte e pasurive të paluajtshme, mbrohet nga av. Adriatik Çama, ish-prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë (i shkarkuar), dhe av. Ardian Visha, ish-prokuror pranë Gjykatës së Lartë deri në vitin 2008.
Sejfo dhe dy avokatet e saj
9- Indrit Çuberi, i ADCA, mbrohet me av. Gridi Shehu.
10- Rigels Bejko, përmbarues privat, mbrohet me av. Andri Ymeri, ish-gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër (i shkarkuar).
11- Altin Vako, përmbarues privat, mbrohet nga av. Gerti Ymeri (vëlla i Andi Ymerit).
12- Helidon Xhindi, ish-përmbarues, mbrohet me av. Ardian Braho, ish-prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë (i shkarkuar) dhe av. Liljana Gjomema, ish-prokurore (në pension), Prokuroria e Tiranës.
13- Lefter Canaj, ish-përmbarues, mbrohet me av. Ardian Braho.
14- Fatos Alimadhi me avokat Atmir Mane.
15- Roland Deda, ish-përmbarues, mbrohet me av. Julian Bajrami.
16- Endri Myftari mbrohet me av. Orgesa Serani.
E drejta e marrjes dhe mbrojtjes me avokat në gjithë procesin penal njihet nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe është e patjetërsueshme që pas viteve ’90. Kjo, me qëllim dhe funksion të një procesi sa më të drejtë, dhe për t’i dhënë siguri të pandehurit, që del para prokurorit akuzues apo gjykatës që vendos kur dëgjon të dyja palët.
Në këtë pikë, askush nuk do guxonte të shihte me dyshim që, mashtruesit e mijëra njerëzve, kanë marrë për t’u mbrojtur jo një por dy avokatë.
Në pikëpyetje mund të vihet forca financiare e të pandehurve që kanë mundësi të marrin kaq shumë avokatë, përballë pafuqisë së mijëra viktimave të tyre që nuk mundën të mbroheshin nga padrejtësitë “me avokat” nëpër gjykata, kur u mashtruan masivisht.
Maksiprocesi i sotëm, edhe pse në seancë paraprake të tij, duket se ka përmbysur fuqinë ligjore që ka SPAK dhe GJKKO, para një “ushtrie” me avokatë, që praktikisht kanë qenë pjesë e sistemit të drejtësisë deri pak muaj apo vite më parë. Vetëm një prokuror i SPAK dhe një gjyqtare e GJKKO, u gjendën në sallën e gjyqit, për t’u përballur me 22 avokatë, shumica ish-kolegë të tyre, dhe 15 të pandehur që ata mbronin, për të dhënë drejtësinë që pret një opinion i tërë publik.
Prokurorët dhe gjyqtarët e shkarkuar nga vetting, në pjesën më të madhe të tyre janë sot avokatë të të njëjtave salla gjykimi, por me një ndryshim: ndërsa prokurorët e SPAK dhe gjyqtarët e GJKKO i paguan Reforma në Drejtësi, avokatët e shkarkuar prej saj janë në borderotë e pjesës më të “inkriminuar” të shoqërisë.












