Peshëngritësja shqiptare Evangjelia Veli është shpallur Kampione Europe në stilin e shkëputjes dhe dygarësh për peshën deri në 55 kg në Kampionatin Europian të Peshëngritjes që po zhvillohet në Tiranë, ndërsa mori medaljen e argjendtë në stilin e shtytjes.
Sportistja shqiptare realizoi të tre provat me siguri duke ngritur 91, 93 dhe 95 kilogramë, të cilat i siguruan vendin më të lartë në podium në këtë stil, ndërsa la pas me një kilogram më pak Konotop të Ukrainës dhe Sterck të Belgjikës.
Në stilin e shtytjes Veli realizoi me sukses provën e parë 108 kg, që i mundësoi të pozicionohej mirë me një avantazh të thellë në dygarësh. Prova e dytë e realizuar me sukses prej 111 kg, i dha asaj sigurinë se do të ishte në zonën e medaljeve edhe në dygarësh.
Konotop e Ukrainës ngriti 113 kg dhe e kaloi në renditjen e përgjithshme. Por realizimi i të njëjtën peshë nga Veli bëri që të siguronte medaljen e argjendtë në këtë stil dhe vendin parë e medaljen e artë edhe në dygarësh me peshën e përgjithshme 208 kg.
Kryeministri Edi Rama ka uruar peshëngritësen shqiptare, Evangjeli Veli, e cila u shpall kampione e Europës deri në peshën 55 kg për femra, hera e parë që ndodh për një sportiste shqiptare.
Kreu i qeverisë ka postuar në Facebook, momentin e triumfit të shtangistes Veli.
Postimi i Ramës:
Kampionati Europian i Peshëngritjes në TIRANË – Peshëngritësja shqiptare Evangjeli Veli është shpallur Kampione e Europës për peshën deri në 55 kg