AKTUALITETEKONOMITOP-NEWS

Fermerët e luleshtrydheve në protestë: Na marrin prodhimin lirë, e shesin trefish

Frakull – Fermerët e luleshtrydheve në zonën e Frakullit kanë dalë sërish këtë të mërkurë në protestë në aksin Levan–Tepelenë, duke shprehur pakënaqësi për çmimin e ulët të grumbullimit të prodhimit dhe mungesën e mbështetjes financiare nga shteti.

Sipas fermerëve protestues, lulështrydhja blihet aktualisht nga pikat e grumbullimit me rreth 5 mijë lekë të vjetra për arkë, ndërsa më pas grumbulluesit e shesin tek konsumatori deri në 12 mijë lekë të vjetra për arkë. Një arkë përmban 9 vasketa, secila me 2 kg, që përkthehet në rreth 250 lekë të reja për kilogram.

Fermerët theksojnë se kjo diferencë e madhe tregon për abuzim të hapur në treg, duke i lënë ata më të dëmtuarit.

Një tjetër shqetësim madhor i ngritur nga protestuesit është mungesa e subvencioneve për bujqësinë dhe çmimi i lartë i naftës, i cili përbën një nga kostot kryesore të prodhimit.

Fermerët kërkojnë që qeveria të ndërhyjë për të ulur çmimin e karburantit dhe të mbështesë inputet bujqësore, si pesticidet dhe plehrat kimike, duke ulur kështu edhe çmimin final për konsumatorët.

Protestuesit paralajmërojnë përshkallëzim të reagimit nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, duke theksuar se pa ndërhyrje urgjente, bujqësia vendase rrezikon falimentimin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button