31 tetori është dita kur fëmijë dhe të rinj trokasin nëpër dyer dhe kërkojnë ëmbëlsira. Por përse vishen si fantazma?
Kur vjen muzgu ata dalin rrugëve, nga dy nga tre, të maskuar si vampirë, si fantazma, si shtriga dhe trokasin nëpër dyer duke thirrur: Të ëmblën a të thartën? (Süßes oder Saures). Është Halloween – dita kur fëmijët lejohen të ngacmojnë fqinjët, sepse nëse ata nuk u japin ëmbëlsira, mund t’u bëjnë ndonjë rreng, pra, për t’i thartuar. 31 tetori është dita kur duhet të kesh ca ëmbëlsira në dollap.
Nga të korrat te shenjtorët
Po nga vjen ky zakon? Thonë që është një shpikje e industrisë amerikane të konsumit, si Coca Cola, ose Santa Claus, apo trëndafilat e Shën Valentinit. Sepse edhe industria e Halloween-it nuk lodhet së tregtuari kunguj plasikë dhe maska të frikshme në mbarë botën. Ca thonë që vjen nga keltët, pra nga një festë e tyre në fund të tetorit,e quajtur “Samhain”, me të cilën keltët festonin korrjet në fillim të dimrit. Por kisha, e cila bënte ligjin në të gjithë Evropën në Mesjetë, e shpalli natën duke u gdhirë 1 nëntori në festën e Të Gjithë Shenjtorëve. Që atëherë 1 nëntori është ditë pushimi, pra, festë zyrtare në disa lande të Gjermanisë me shumicë katolike.
Halloween rrjedh nga “All Hallows Eve” – mbrëmja para Ditës së Gjithë Shenjtorëve. Është dita e përkujtimit dhe lutjeve për të vdekurit. Të cilët, sipas besimit të krishterë presin Ditën e Fundit, që përkon me rishfaqjen e Krishtit. Në krishterimin e hershëm njerëzit besonin se kjo ditë do të vinte shpejt. Por kjo nuk ndodhi. “Dhe pastaj,” shpjegon antropologia kulturore nga Boni Dagmar Hänel, “njerëzit pyesnin veten gjithnjë e më shpesh: Çfarë po ndodh në të vërtetë me shpirtrat, çfarë po bëjnë ata? Si mund ta kalojmë këtë periudhë në mënyrë të kuptimtë? “Dhe kështu lindi koncepti i purgatorit: një lloj stacioni i ndërmjetëm midis vdekjes dhe përjetësisë, në të cilin njeriu fillon të pastrohet nga mëkatet.
Lidhje me botën e përtejme
Dagmar Hänel: “Ky besim është i pranishëm në të gjitha fetë: Ne mund të ndikojmë në jetën e përtejme dhe anasjelltas. Pra, ne lutemi, bëjmë bamirësi, dhurojmë – dhe kjo ka një efekt të drejtpërdrejtë në vuajtjet e shpirtrave të varfër në purgator. “Në mesjetë, njerëzit shkonin shtëpi më shtëpi natën para Ditës së Gjithë Shenjtorëve për të kërkuar dhurata. Në disa zona rurale të Gjermanisë ky zakon ka vazhduar edhe sot e kësaj dite: Beqarë kalojnë nëpër fshat, luten, këndojnë dhe bekojnë dhe si këmbim kërkojnë para ose ushqim. Në SHBA, ky zakon është kthyer në festë fëmijësh: “Trick or Treat”.
Me ardhjen e iluminizmit në shekullin e 18-të dhe në fillim të shekullit të 19-të, kishat u bënë skeptike ndaj zakoneve të vjetra dhe madje i ndaluan disa, thotë antropologja kulturore Hänel. Përveç kësaj, në rrjedhën e industrializimit, kishte një rrjet social më të dendur, kështu që nuk kishte më nevojë për të mbledhur kaq shumë dhurata për të varfërit. Veç kësaj me ligjet sociale të nxjerra nga Bismarku në fund të shekullit të 19-të, kjo nevojë u zhduk. Sepse tani ishte shteti përgjegjës për sigurimin e të varfërve. Dhe kështu ky zakon u zhduk.
Riimportim nga SHBA
Por: zakoni nuk vdiq tërësisht. Ishin emigrantët irlandezë që do ta merrnin Halloweenin në Amerikë, gjatë eksodit të tyre në shekullin e 19-të. Ata ishin të varfër, por zakonet i ruajtën. Lars Winterberg, një ekspert i antropologjisë historike dhe etnologjisë evropiane, beson se Halloweeni në fillim festohej kryesisht në zonat e emigrantëve të qyteteve të mëdha. “Integrimi rrallëherë funksionon si një rrugë njëkahëshe,” thotë Winterberg, “në fakt, pothuajse gjithmonë ka një përzierje të kulturës së migrantëve me atë të shoqërisë pritëse.”
Kështu u përhap zakoni i Halloween në të gjithë SHBA-në. Në fillim ishte më shumë një festë fëmijësh. Më vonë u “zgjerua”, nisën festat e para, kostumet, dekorimet. Gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, festa u kthye në Evropë: Të parët që festuan Halloweeenin ishin ushtarët amerikanë të stacionuar në Gjermani. Por gjermanët nisën të miqësoheshin me këtë festë shumë vite më vonë vetëm nëpërmjet filmave dhe serialeve. /W/
*Silke Wünsch redaktore e kulturës