Film për masakrën e Reçakut/ Rolin kryesor e ka pranuar Robert De Niro

Për masakrën e Reçakut gjatë luftës së Kosovës, mund të xhirohet një film me aktorë të njohur të Hollywood-it. Rolin kryesor thuhet se e ka pranuar ta luajë legjenda e kinematografisë botërore, Robert De Niro.
Sipas Klan Kosova ai thuhet se do ta luajë rolin e një shqiptari që fillimisht plagoset, e më pas digjet i gjallë nga ushtria serbe.
Producenti i filmit, Fitim Krasniqi thotë se De Niro, pavarësisht famës që ka, nuk e pati edhe fort të vështirë që ta bindë për të marrë rolin. Në një prononcim dhënë për mediat ai tha se De Niro e pëlqeu skenarin sapo e lexoi. Tashmë sipas tij janë duke u koordinuar periudhat e xhirimeve për të përputhur agjendat edhe me aktorët e tjerë.
Masakra në fjalë ishte vrasja e 45 civilëve shqiptarë në fshatin Reçak të Kosovës, me 15 janar 1999. Masakra u organizua dhe u krye nga forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe. Edhe sot e kësaj dite Serbia refuzon të pranojë se e ka kryer këtë masakër.









