
Flamurtari ka marrë një vendim të fortë pas humbjes 2-1 ndaj Bylisit, duke përjashtuar kapitenin Lorenc Trashi. Klubi vlonjat pretendon se lojtari ka shkaktuar me dashje penalltinë në minutat shtesë, episod që vulosi fatin e ndeshjes.
Pas këtij zhvillimi, ka reaguar edhe grupimi i tifozëve “Flota kuqezi”, i cili ka mbështetur hapur vendimin e presidentit Sinan Idrizi. Në një komunikatë të ashpër, tifozët nuk i kursyen akuzat ndaj ish-kapitenit.
“Turpi e ka emrin Trashi. Flota kuq e zi mbështet plotësisht vendimin e klubit për përjashtimin e kumarxhiut Lorenc Trashi. Pas rasteve të dyshimta të përsëritura të kumarxhiut Lorenc Trashi, përjashtimi i tij është më se i merituar!”, thuhet në reagim.
Më tej, grupimi thekson rëndësinë e fanellës dhe kërkon largimin e elementëve që, sipas tyre, dëmtojnë klubin: “Fanella e Flamurtarit është më e rëndësishme se këta individë. Do të kujtohesh gjithmonë në Vlorë si njeri i shitur. Duam afër klubit tonë ata që e ndiejnë të luajnë për këtë fanellë, jo ata që e shesin, jo ata që shiten, jo dallaveraxhinjtë. Larg dallaveraxhinjtë nga Flamurtari”.
Situata te Flamurtari mbetet e tensionuar pas kësaj ngjarjeje, ndërsa pritet të shihet në vijim se si do të ndikojë ky vendim në ecurinë e skuadrës në fazën vendimtare të sezonit.









