AKTUALITETTOP-NEWS

Gushti i përgjakshëm në rrugët e Fierit/ Bilanci tragjik i aksidenteve në të gjitha akset

Muaji gusht ka shndërruar qarkun e Fierit në një nga zonat më problematike për qarkullimin rrugor në vend. Brenda pak javësh janë regjistruar dhjetëra aksidente, duke lënë pas një viktimë, mbi 20 të plagosur dhe dëme të mëdha materiale.

Fluksi i lartë i automjeteve për shkak të sezonit turistik, shpejtësia, lagështira në rrugë dhe mungesa e sinjalistikës janë kthyer në faktorët kryesorë të këtij bilanci dramatik

Çfarë e bën situatën edhe më të rëndë është fakti se këto akse rrugore njihen prej vitesh si nyje të zeza, por qeveria nuk ka ndërhyrë për t’i rikualifikuar dhe për t’i bërë të sigurta. Rotondo e Levanit, autostrada Fier–Lushnje, kthesat e Zhupanit dhe Qafa e Koshovicës janë zona ku fatkeqësitë përsëriten çdo vit, ndërsa institucionet mjaftohen me thirrje për kujdes, pa masa konkrete infrastrukturore

Kronologjia e aksidenteve në gusht

2 gusht – Motoçikletë përplaset me automjet në aksin Levan–Tepelenë; drejtuesi i motorit mbetet i plagosur.

• 4 gusht – Makina humb kontrollin dhe përplaset me shtyllë elektrike në “Kthesën e Zhupanit”; shoferi plagoset.

• 5 gusht – Katër ngjarje: makinë e përfshirë nga flakët në Panaja; aksident zinxhir me autobot çimentoje në Fier–Lushnje (2 të plagosur); përplasje dy mjeteve në Savër (2 të plagosur).

• 6 gusht – Aksident tragjik në rotondon e Levanit: 1 viktimë dhe 5 të plagosur pas përplasjes mes një “Volkswagen Passat” dhe një “Skoda Fabia”.

• 8 gusht – Përplasjet në autostradën Lushnje–Fier krijojnë radhë kilometrike; një makinë në Qafën e Koshovicës përmbys, plagosen 4 persona.

• 9 gusht – Tre automjete u përplasën në Savër, duke shkaktuar bllokim trafiku mbi 5 km.

• 11 gusht – Shoferë të dehur përfshihen në aksidente në Zharrëz dhe rrugën “Ramiz Aranitasi” (1 këmbësor i plagosur). Dy aksidente të tjera në Varibop dhe Ferras plagosën 5 persona.

• 13 gusht – Përplasje dy automjeteve në “Kthesën e TEC-it” pranë Zhupanit, vetëm dëme materiale.

• 19 gusht – Përplasje automjeti me motor në aksin Fier–Patos, plagosen 3 persona. Rreth orës 14:20 të ditës së sotme, një aksident rrugor është regjistruar në qendër të Fierit, pranë semaforit kryesor. Dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin, duke shkaktuar panik dhe trafik. Tensione, pasi drejtuesit e mjeteve janë konfliktuar fizikisht pas aksidentit. Nga përplasja ka mbetur i lënduar edhe një fëmijë, i cili është transportuar menjëherë drejt spitalit për të marrë ndihmën mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën.


Bilanci i përkohshëm i gushtit 2025 në Fier

• 1 viktimë

• 24 persona të plagosur

• 15 aksidente të dokumentuara

• Qindra mijëra euro dëme materiale

• Bllokime të përsëritura trafiku, deri në 5 km radhë në autostradën Lushnje–Fier

Segmentet më të rrezikshme

• Rotondo e Levanit – njihet si “nyja e zezë” e trafikut; aty ndodhi edhe aksidenti fatal i 6 gushtit.

• Autostrada Fier–Lushnje – e mbingarkuar gjatë sezonit turistik, shpesh me aksidente zinxhir.

• Kthesa e Zhupanit dhe Qafa e Koshovicës – shpesh raportohen humbje kontrolli dhe dalje nga rruga.

Policia e Qarkullimit Rrugor Fier ashprehet se ka intensifikuar kontrollet dhe ka arrestuar shoferë të dehur, por kjo nuk mjafton për të ndaluar fluksin e aksidenteve. Autoritetet rrugore kërkojnë rishikimin e sinjalistikës, vendosjen e radarëve dhe patrulla të përhershme në nyjet më problematike, por deri tani nuk ka asnjë zgjidhje konkrete.
Në këtë situatë alarmante, qytetarët apelojnë për ndërhyrje të menjëhershme dhe masa konkrete që të mos përsëriten më tragjeditë që po përshkruan Fierin çdo ditë të gushtit./ XHB

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button