Saturday, July 27, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeSPORTHistori/ Si u arratisën nga Memaliaj në ’96 futbollistët e "Bylis"-it

Histori/ Si u arratisën nga Memaliaj në ’96 futbollistët e “Bylis”-it

Nga ERJON HAMITAJ

Dje isha pushim, si ditë e tillë vendosa të udhëtoj në Ballsh, aty ku kam ende prindërit e mi. Duke qenë se në darkë nuk po më rrihej brenda ambientit të shtëpisë, vendosa të dal në qytet. Por, çuditërisht njohjet e vjetra janë larguar që aty, kanë mbetur pak njerëz që i njoh, shumë janë moshë e madhe.

Rashë në gjurmët e një antene “wireless”, pyeta kamerierin dhe vendos kodin. Hyra aty, e padashur u gjeta në botën e internetit, ashtu si shumë të tjerë që dinë të përdorin teknologjinë. Duke lundruar në Instagram, nga cepi i një tavoline tjetër dëgjoj disa emra, që me dhe pa dashje më ngacmuan në palcë kureshtjen. “Isha unë, Luan Asllani, Zheni Lutaj, Nikua, Lad’ Fejzaj, trajner ishte Migjeni…”. Mësova se po flitej për Bylisin e para vitit 1999, kohë kur “Adush Muçaj” mbushej plotë, por edhe tarracat e shtëpive përreth tij, madje në transfertë shkonin aq tifozë, aq sa shkojnë sot në ditë ndeshje në Ballsh.

Saktësisht tema e muhabetit lidhej me tifozët në stadiume, sa e ndjekin skuadrën sot dhe si përjetohej më parë, 20 vjet e kusur vite më parë. “U nisëm për në Memaliaj, ndeshjen e parë e patëm fituar në nëntor të vitit 1995 në fushën tonë me rezultatin 2-0”, tha personi që po tregonte ngjarjen.

“Morëm vesh që çunat tanë nuk donin të shkonin atje, sepse në atë kohë dilnin bandat te ura e Memaliajt, jo që do hanin dru, por ku i dihet se çfarë mund të ndodhte. Pa sigurinë e forcave speciale askujt nuk ia mbante të nisej, edhe pse ishte ndeshje vendimtare. Por me ndërhyrjen e Lukes (President i Bylis dhe kompanisë së borjave Astir në sezonin 1995-1996) dhe disa dashamirësve të futbollit të Bylisit, forcat speciale vendosin që të shoqërojnë skuadrën drejt Memaliajt. Bashkë me ekipin u nisëm dhe ne. Me të shkuar në Memaliaj, dukej sikur gjithçka ishte përgatitur për luftë. Na pritën shumë keq, mua më gjakosën, Lukes i thyen kamerën që kishte marrë për të filmuar ndeshjen në atë kohë. Periudhë të fortësh”, dëgjoja me kureshtje tifozin e Bylisit që tregonte ngjarjen në tavolinën ngjitur, ndërkohë që nisa të përfytyroja sesi Memaliaj mund të organizohej në mënyrë të atillë, duke qenë se sot kanë mbetur apo nuk kanë mbetur 2 mijë banorë në qytezë.

“Futem brenda në dhomat e zhveshjes i gjakosur, më mjekon Nori (Jetnor Sulaj), atëherë doktor i skuadrës. U them djemve: Luani për ne, fitoni për ne. Pas fjalëve të mia është trajneri Migjen Skënderaj që iu jep udhëzime: ‘Mos u trembni, në fushë jeni 11 kundër 11, jashtë fushe mos u mendoni ju, ka kush përgjigjet’. Aty unë e kuptoj që ndodheshin dhe dy djem, më i vogli 18 vjeç, Vladimir Fejzaj dhe Shkëlzen Lutaj 19 vjeç, nuk mendoja se do ishin aty. Kur i kam takuar më pas, më kanë thënë: ‘Na kapi frika kur të pamë të gjakosur, por edhe na u shtua inati për të fituar ndeshjen’. Më tej dolën në nxehje, fusha sportive, sepse stadium nuk mund të quhej një vend i rrethuar veç me kangjella, ishte e mbushur me aq shumë njerëz, si te filmi ‘Gladiatori’ pak a shumë. Dalin çunat në fushë dhe aty nga inati Luan Braçaj kthehet dhe shan tifozët, të cilët nuk ndalen, shajnë e bëjnë të hyjnë në fushë, kurse çunat tanë detyrohen që të stërviten vetëm në mesin e fushës, pasi afër hekurave çdo gjë ishte e acaruar”.

“Loja filloi, e fortë, shkelmi ishte gjëja më e vogël, por djemtë ja dolën, 0-0, historike për ne që donim të hynim patjetër në Kategorinë e Parë, sot i thonë Superiore”.

“I bukur barazimi, por ndërkohë që luhej, jashtë stadiumit dy furgonat që sollën lojtarët dhe stafin, i dogjën, i kthyen me rrota përpjetë. Ajo që ishte më e keqja dhe që nuk ma kanë zënë sytë ndonjëherë në sport, ishin sekondat kur arbitri fërshëllen për mbylljen e ndeshjes. Çunat tanë u lëshuan me vrap drejt dhomave të zhveshjes, ndërsa tifozët nisën të gjuanin me gurë, dukej si lum i bardhë, por policat ngritën skafandrat dhe bënë mburojë që ata të hynin brenda. Situatë e paimagjinueshme në ditët e sotme”.

“Eh, kjo nuk ishte asgjë, më e keqja duket se ishte pas ndeshjes. Të fortët e Memaliajt hynë brenda godinës që përdorej për dhoma zhveshje e për arbitra. Ndërkohë që shefi i policisë së Ballshit kishte udhëtuar me skuadrën, i veshur civil, por kishte marrë pistoletën e shërbimit me vete. Atë e kapi frika më shumë nga të gjithë, sepse nuk donte që të ndeshej me të fortët, pasi fundi do të ishte katastrofë. Për të shmangur incidentin, pistoletën ia jep Shkëlzen Lutajt, i thotë që ta fusë në çantë sepse ishte më i vogli dhe askush nuk mund ta kontrollonte, ishte futbollist dhe nuk do dyshonin tek ai për efekt moshe. Por, për fat të mirë kjo gjë nuk ndodhi (kontrolli nga të fortët). Lojtarët mbaj mend që kanë qëndruar mbi një orë e gjysmë në dhomat e zhveshjes, pasi tifozët nuk iknin. Pritën që të errësohej dhe më pas dolën një nga një dhe shkuan afër lumit Vjosa, nga qyteti nuk kalohej gjallë”.

“Morën rrugën në këmbë dhe ecën mbi një orë anës lumit e më pas dolën në rrugën nacionale për të gjetur makina të rastit. Disa udhëtuan drejt Gjirokastrës, për t’u kthyer të nesërmen në Ballsh dhe disa të tjerë i morën makinat e policisë që i çuan në Ballsh”.

“Kur u ktheva në Ballsh, aty te Kinemaja, tifozët ishin mbledhur, thërrisnin emrat e lojtarëve si të ishin heronj, sepse atëherë e përjetonim shumë futbollin, madje kur kishim skuadër të mirë dhe donim të ngjiteshim patjetër në Kategori të Parë. Mbaj mend që iknim nga stadiumi nëse skuadra fitonte më pak se 5 me 0. Më kujtohet kur mblidheshim dhe u thoshim se kishin toleruar kur fitonin 4-0. U mësuam me 7 a 8 me 0 në çdo ndeshje”, mbaroi së thëni tifozi që ka qenë prezent në këtë ndeshje.

Atë vit Bylisi arriti që të shënonte 124 gola në total dhe të pësonte vetëm 21. “France Football” atëherë shkroi dhe artikull të veçantë për këtë skuadër, që ishte e para në botë për numrin e golave të shënuar dhe të pësuar.

Në sezonin 1995-1996 në Kategorinë e Dytë (sot e Para) luanin 10 skuadra dhe zhvillonin tre ndeshje. Dy të parat me sistem vajtje-ardhje, ndërsa takimi i tretë luhej në fushën e skuadrës që kishte marrë më shumë pikë në dy ndeshjet direkt. Atëherë Bylisi i pati fituar të gjitha ndeshjet në fushën e tij dhe jashtë kishte vetëm 3 barazime. Që do të thotë se ndeshjet e fazës së tretë i priti në Ballsh.

Rival për Kategorinë e Parë (Superiore sot) ishte Memaliaj, që në ndeshjen e kthimit duhet të fitonte patjetër 3-0 që të luante ndeshjen e tretë në fushën e saj, pasi në takimin e luajtur në Ballsh çdo gjë ishte mbyllur 2-0 për mallakastriotët. Nuk ia dolën pas rezultatit 0-0 dhe kështu Bylisi i atij viti u ngjit për herë të parë në elitën e futbollit shqiptar.

Skuadra që luajti në Memaliaj u rreshtua 4-4-2: Në portë: Nikollaq Divija. Në mbrojtje: Shkëlzen Lutaj, Luan Asllani, Altin Dhamo, Adriatik Hamitaj. Në mesfushë: Altin Pelari, Nuri Rexha, Hektor Paço, Dashnor Dume. Në sulm: Agim Meta, Luan Braçe. Trajner: Migjen Skënderaj. Ndeshja përfundoi me rrjeta të paprekura.

* Në fotografinë kryesore ndodhet ekipi që luajti ndaj Memaliajt

Pjesa e dytë: Bylisi në Superiore, si i morën 2 yje Tiranës kampione dhe si në Shkodër një tifoz 7 vjeçar irritoi një stadium të tërë.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME