ILD nis shqyrtimin e dosjes për gjyqtaren e GJKKO, Irena Gjoka

Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) ka nisur shqyrtimin e dosjes së ardhur nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) për gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka, lidhur me çështjen e dënimit të saj në Greqi dhe deklarimet në formularin e dekriminalizimit.
Pak ditë më parë, KLGJ vendosi me shumicë votash që procedura për verifikimin e gjyqtares të mos niste në këtë institucion, por dosja të kalonte për shqyrtim pranë ILD-së, si organi që konsiderohet kompetent për rastin.
Çështja lidhet me raportin e Prokurorisë së Përgjithshme, sipas të cilit gjyqtarja e GJKKO-së dyshohet se ka bërë deklarime të pasakta në formularin e dekriminalizimit, duke mos përmendur dënimin dhe dëbimin nga Greqia. Sipas këtij raporti, një pjesë e anëtarëve të KLGJ kërkuan nisjen e procedurave për shkarkimin e saj, ndërsa shumica vendosi që çështja të shqyrtohej nga ILD.
Skandali u bë publik fillimisht pas publikimeve në mediat greke dhe dokumenteve të siguruara më pas nga media shqiptare, sipas të cilave gjyqtarja kishte pasur një proces gjyqësor në Greqi për përdorim dokumentesh të falsifikuara dhe kishte autorizuar një avokat për të kundërshtuar masat ndaj saj.
Irena Gjoka ka qenë në qendër të vëmendjes publike edhe për shkak të rolit të saj në disa procese të rëndësishme të Gjykatës së Posaçme, çka e ka bërë çështjen objekt debati politik dhe institucional.
Ndërkohë, shqyrtimi nga ILD pritet të përcaktojë nëse do të ketë ose jo procedim disiplinor ndaj gjyqtares.









