Një incident i rëndë ka ndodhur gjatë kësaj të hëne në një nga uzinat e Kurum International në ish- kombinatin Metalugjik të Elbasanit. News24 që citon burime të tij jo-zyrtare raporton se gjatë provave të instalimit të një makinerie ka ndodhur një aksident i rëndë. Për pasojë, ka mbetur i plagosur inxhinieri Mikel Caku, i cili është vëllai i ish-ministres së Arsimit dhe njëherazi deputetes së PS-së, Evis Kushi.
Ai është janë transportuar fillimisht në Spitalin Rajonal të Elbasanit dhe më pas për një trajtim më të specializuar në një spital privat pasi një shufër hekuri e shkëputur nga makineria e ka dëmtuar në këmbë. Sipas të njëjtave burime, dyshohet se aksidenti ka ndodhur si pasojë e mosnjohjes së procesit teknologjik të makinerisë që inxhinieri dhe një punëtor po tentonin ta vinin në punë. Ndërkohë policia e Elbasanit ka dokumentuar ngjarjen e cila po hetohet nga Prokuroria.
“Elbasan/Më datë 08.01.2024, në spitalin e Elbasanit, ka shkuar për asistencë mjekësore shtetasi M. C., 58 vjeç banues në Elbasan. Pas marrjes së njoftimit, Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan dhe grupi hetimor kanë shkuar në spital dhe më pas në vendngjarje dhe kanë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale, për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti.
Nga veprimet hetimore rezultoi se në ambientet e “Kurum”, shtetasi M. C., 58 vjeç, me detyrë ekspert për sigurinë e zjarrit, gjatë ekspertimit tek Sektori i Petëzimit, është dëmtuar aksidentalisht në këmbë nga një shufër hekuri e shkëputur nga makineria e prodhimit.
58-vjeçari është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme” – thuhet në njoftimin e policisë.