BOTA

Investigimi/ Dubai, parajsa e brishtë e narkotrafikut shqiptar

Nga Edoardo Anziano, Vjolanda Peca dhe Gabriele Ciraolo/ Të hetuar, të dënuar dhe shpesh në kërkim nga policia, narkotrafikantët më të mëdhenj shqiptarë kanë zgjedhur metropolin e Emirateve si vend të përshtatshëm për tu arratisur dhe investuar. Por sot, Dubai është bërë një strehë më pak e sigurtë.

Në Dubai, në Emiratet e Bashkuara Arabe, me sa duket, për të korruptuar një gjyqtar duhen katër milionë euro. Hetimet tregojnë se Denis Matoshi, një nga trafikantët më të rëndësishëm të kokainës, ka paguar për t’u liruar nga një burg emirat.

Matoshi, një ndërmjetës i aftë të menaxhojë ngarkesa deri në katër mijë kilogramë kokainë, i konsideruar nga trafikantë të tjerë si “numri 1”, u arrestua në Dubai në shtator 2020. Italia kërkonte arrestimin e tij sepse Prokuroria e Firences e konsideron atë “një figurë të nivelit të lartë të narkotrafikut botëror të kriminalitetit shqiptar”.

Megjithatë, në burg Matoshi nuk qëndroi gjatë: pas një viti u lirua, formalisht për shkak të skadimit të afateve brenda të cilave Italia duhej të paraqiste kërkesën për ekstradim.

Në fakt, siç rezulton nga dy hetime të prokurorisë së Reggio Calabria-s dhe të policisë gjermane, lirimi i tij, që daton në vitin 2021, “ishte rezultat i një korrupsioni që arrin në katër milionë euro”. Në aktet hetimore gjendet një rrëfim, i mbetur i papublikuar, i bërë në një chat të enkriptuar ndaj një trafikanti kalabrez nga një shqiptar rezident në Dubai: Matoshi, shpjegon bashkëkombësi, ka “320 milionë euro” në bankat e emirateve dhe ka bërë një “kontratë me shtetin”, duke paguar “katër milionë” për t’u liruar dhe për të mos iu dorëzuar autoriteteve italiane.

Përmbledhje e shkurtër e investigimit

Disa nga narkotrafikantët kryesorë të kriminalitetit shqiptar, të cilët janë hetuar ose dënuar në Itali, kanë investime imobiliare në Dubai. Qyteti emirat është “vendi i mrekullive të pastrimit ndërkombëtar të parave”, thotë një hetues italian.

Dubai është gjithashtu një qytet paradoksesh. Gëzon reputacionin e një vendi pa kriminalitet, por ofron mbrojtje për kapitalet e pista dhe trafikantët e drogës. Ka mes banorëve të saj shumë të kërkuar ndërkombëtarë, megjithëse midis viteve 2020 dhe 2022 policia vendase ka ekstraduar 450 prej tyre. Parajsa për të arratisurit ka filluar të kriset. Jo për të gjithë, megjithatë: ekstradimi i kriminelëve të pasur që investojnë kapitalet e tyre është një çështje vullneti politik dhe në Dubai pushteti gjyqësor nuk është autonom.

Eldi Dizdari, alias Denis Matoshi, është një narkotrafikant shqiptar i aftë të lëvizë ngarkesa prej katër mijë kilogramësh kokainë. IrpiMedia ka zbuluar se që nga viti 2019 ai investon në prona luksoze në Dubai dhe në vitin 2021 u ka paguar katër milionë euro autoriteteve emirate për të shmangur dorëzimin në Itali.

Arben Zogu në Itali trafikonte me narkotrafikantin e Lazio-s “Diabolik”. Dy javë pasi u dëbua nga Italia, në përfundim të dënimit, ai mori një vizë për Dubai. Pionier i kriminalitetit shqiptar në Romë, Zogu u bashkua në Emirat nga kushëriri i tij Dorian Petoku, të cilit i kishte kaluar drejtimi i organizatës romane gjatë burgimit të tij.

Artur Hoxhosmani, i arrestuar në Shqipëri në vitin 2025, është hetuar për rrjetin e tij të narkotrafikut në Lombardi. Ai ka një leje qëndrimi në Emiratet që nga viti 2020 dhe në Dubai ka investuar rreth tetë milionë euro në apartamente.

Renato Muska dhe kushëriri i tij Altin Sinomati konsiderohen narkotrafikantë me “aftësi të mëdha”. I pari në Dubai ka disa prona, mes të cilave një vilë në zonën ekskluzive Palm Jumeirah, ndërsa i dyti është arrestuar në Abu Dhabi, kryeqyteti i Emirateve, sepse akuzohet si porositës i një vrasjeje nga prokuroria e Romës.

Janë bërë tashmë pesë vite që autoritetet e Emirateve nuk e ekstradojnë Matoshin. Siç shpjegon një burim në dijeni të çështjes, afatet teknike prej disa vitesh janë kthyer në kleçka normale, për shkak të kompleksitetit të këtyre procedurave.

Megjithatë, shumë gjëra në federatën e monarkive emirate “varen nga vullneti politik”, shton burimi. Në Dubai pushteti gjyqësor nuk është i pavarur nga vendimet e qeverisë autoritare të Mohammed Al Maktoum, sheikut të emirateve dhe zëvendëspresidentit të Emirateve.

Nëse përhapet ideja se Dubai është shumë i rrezikshëm për kriminelët që vijnë për të investuar kapitale të mëdha, ekonomia e tij, e cila prej dekadash përfiton edhe nga fluksi i parave të pista, “humb atraksionin”.

Një hetues italian e përkufizon Dubain si “vendin e mrekullive të pastrimit ndërkombëtar të parave”. Vendi i përsosur për të pastruar qindra miliona që vijnë nga trafiku i drogës, në një bashkëjetesë paradoksale me atë retorikë të mungesës së kriminalitetit dhe sigurisë mbi të cilën Dubai ka ndërtuar imazhin e vet, imazh ky i vënë në provë në javët e fundit nga bombardimet e Iranit.

Hetuesit pranojnë gjithashtu se Dubai nuk është më “parajsa” e dikurshme, falë disa reformave për të luftuar transaksionet financiare të paligjshme në bashkëpunim me autoritetet evropiane. Megjithatë, zbatimi i rregullave është sërish një çështje vullneti politik dhe investimi i parave të pista mbetet ende shumë i lehtë për kriminelët.

Shembulli më i mirë është krimi i organizuar shqiptar, i cili në dekadën e fundit ka marrë një rol të spikatur në trafikun ndërkombëtar të kokainës. “Shteg.org” dhe “IrpiMedia” kanë zbuluar se në Dubai, gjatë këtyre viteve, Denis Matoshi ka investuar miliona euro në vila dhe apartamente luksoze. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe narkotrafikantë të tjerë, të hetuar ose të dënuar në Itali, me shtetësi shqiptare.

“Fantazma” Matoshi

Investigimi/ Dubai, parajsa e brishtë e narkotrafikut shqiptar
Credits: hashtag.al – Denis Matoshi

Që në fillim të vitit 2019, Denis Matoshi, i njohur edhe si Eldi Dizdari, ka derdhur miliona euro në pasuritë e paluajtshme në Dubai. Kur ishte në kërkim nga prokuroria e Firences, ai bleu, për rreth tre milionë euro, një vilë prej afro 950 metrash katrorë në ndërtim në komunitetin ekskluziv Mbr City, një qytet brenda qytetit, i dëshiruar personalisht nga emri Mohammed Al Maktoum.

Vetëm dy javë pasi e përfitoi, Matoshi e rishiti, nuk dihet kujt, vilën me një milion euro më shumë. Pas lirimit nga burgu, mes viteve 2022 dhe 2023 ai shiti edhe tre prona të tjera në ishullin artificial Bluewaters dhe dha me qira dy apartamente luksoze për më shumë se 10 mijë euro në muaj.

Mungesa e transparencës së qeverisë së Dubait …

Shumë nga transaksionet imobiliare të analizuara në këtë artikull përmbajnë vetëm emrin dhe shtetësinë e pronarëve. Ato vijnë nga një rrjedhje informacioni e ndarë nga organizata C4ADS me konsorciumin e mediave ndërkombëtare të projektit #DubaiUnlocked, ku bën pjesë shteg.org për Shqipërinë dhe IrpiMedia për Italinë.

Detaje të tjera të transaksioneve nuk janë të verifikueshme sepse pas publikimit në vitin 2024 të hetimeve mbi pronat imobiliare të kriminelëve nga e gjithë bota, qeveria e Dubait ka kufizuar aksesin publik në disa seksione të kadastrës.

Në Itali, hetimet e para ndaj Matoshit datojnë që nga viti 2015. Atë verë, trafikanti i dyshuar, në atë kohë 26 vjeç dhe ende banues në Tiranë, kishte kaluar disa ditë në kampingun Al Boschetto në Condofuri Marina, në provincën e Reggio Calabria-s. Këtu ai ishte takuar me një kolumbian dhe disa anëtarë të ‘Ndranghetas, Mammoliti dhe Pelle, për t’u dakortësuar, sipas policisë, mbi furnizimin me sasi të mëdha droge.

Në të njëjtën periudhë datojnë edhe hetimet e prokurorisë së Firences, të cilat do të çonin në arrestimin e tij në Dubai. Në vitin 2016, një i dërguar i “Kompania Bello”, një grup ndërkombëtar trafikantësh shqiptarë i drejtuar nga Dritan Rexhepi, i kishte kërkuar për t’u përfshirë në biznes. Negociatat, pas një “përplasjeje të gjatë” në distancë mes dy bosëve, përfunduan me investimin e përbashkët në një dërgesë prej 600 kilogramësh kokainë që nisej nga porti i Guayaquil-it, në Ekuador.

Matoshi do të garantonte që kontenierët me kokainë, që mbërrinin në portet belge ose holandeze, nuk do t’i nënshtroheshin kontrolleve.

“Ishte ëndrra ime të bëja një marrëveshje të tillë”, komentonte i dërguari shefit të tij Rexhepi.

Pas përfundimit të negociatës, Matoshi ishte bërë, sipas hetuesve, “një lloj fantazme”.

Ai kishte filluar të përdorte sisteme komunikimi të enkriptuara, në vend të telefonave Blackberry që autoritetet në atë kohë arrinin t’i përgjonin, dhe hetuesit kishin humbur gjurmët e tij.

“IrpiMedia” dhe “shteg.org” kanë zbuluar se, që vitin pasardhës, Matoshi kishte marrë një vizë për të hyrë në Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila u shndërrua në leje qëndrimi dhe u rinovua deri në vitin 2023, pavarësisht kërkesës për ekstradim.

Kush mund të përballojë të zhvendoset në Emirate ka avantazhin të mos paguajë taksa. Mund të udhëtojë pa nevojë për vizë pothuajse kudo në botë, të blejë prona dhe të hapë llogari bankare me lehtësi. Megjithatë, ligji emirat parashikon që ai mund të dëbohet për çështje të “interesit publik” ose “sigurisë publike”. Në rastin e Matoshit kjo nuk ka ndodhur.

Matoshi dhe Rexhepi konsideroheshin nga Antimafia e Firences pjesë e një “karteli” të “grupeve shqiptare” aktive në zinxhirin e kokainës, nga furnizimi në Amerikën e Jugut deri tek shpërndarja në Itali.

Akuzat e “organizatës” u rrëzuan nga gjykata, por Rexhepi gjithsesi u dënua me njëzet vjet burg me procedurë të shkurtuar.

Në vitin 2024, (SPAK) i ka konfiskuar Matoshit, bazuar në hetimet e prokurorisë së Firences, dy apartamente, një garazh dhe një truall në Tiranë, si dhe një llogari bankare me 40 mijë euro. Për pronat në Dubai të zbuluara nga “IrpiMedia” dhe “shteg.org” nuk ka asnjë gjurmë. Kontaktimi me Matoshin ishte i pamundur por avokati i tij në Itali është përgjigjur se nuk është në gjendje t’i përcjellë klientit të tij pyetjet e dërguara nga “shteg.org” dhe “IrpiMedia”.

Zogu pionier

Arben Zogu
Arben Zogu – Credits: IrpiMedia

Të bëjnë biznes në Dubai nuk janë vetëm ata që, si Matoshi, janë në pritje të ekstradimit.

Arben Zogu, i quajtur “Ricky” ose “Riccardino’, i lindur në Lezhë, në bregdetin verior të Shqipërisë, është rasti që tregon dyert e hapura të shetit emirat. Zogu, i konsideruar si një nga pionierët e kriminalitetit shqiptar në Romë, drejtuesi i parë i asaj që quhej “bateria e Ponte Milvio” trafikonte drogë për llogari të narkotrafikantit Fabrizio Piscitelli, i quajtur “Diabolik”.

Zogu, i arrestuar për herë të fundit në vitin 2015 dhe më pas i dënuar me dhjetë vjet për vepra penale që kanë të bëjnë me trafikimin e lëndëve narkotike për shkak të hetimeve të kryera në Rromë, u dëbua nga Italia para se të vuante të gjithë dënimin. Atij iu ndalua rikthimi në Itali për dhjetë vjet. Menjëherë pas lirimit, pas një ndalese të shkurtër në Shqipëri, ai u vendos në Dubai, ku kishte investuar para më parë.

Vendimi i dëbimit nga Italia mban datën 10 dhjetor 2022. “IrpiMedia” dhe “shteg.org” kanë zbuluar se vetëm dy javë më pas, më 18 dhjetor, Zogu kishte marrë një vizë emiratine, e cila më pas u shndërrua në leje qëndrimi dhe është ende aktive.

Në Dubai, vitet e fundit ai ka marrë me qira një apartament prej 130 metrash katrorë në katin e 45-të të një rrokaqielli në zonën e biznesit të Dubait, për 3.200 euro në muaj. Sipas asaj që mësohet, prej aty ai do të vazhdonte të menaxhonte trafikun e drogës.

Në Itali, shqiptarët e grupit të Zogut fillimisht u përdorën si “rrahës”, për mbledhjen e borxheve për të imponuar sallat e basteve nga klani i Casalesëve në zonën e Acilia-s, mes Romës dhe Ostias.

Një rol krahu pune, që sipas hetimeve të prokurorisë së Napolit në vitin 2010, i bëri ata të frikshëm në territor.

Më pas, falë marrëdhënies me vëllezërit Esposito, bij të një anëtari të klanit të Camorra-s Licciardi Zogu dhe banda e tij arritën të afirmohen në zonën veriore të Romës, veçanërisht në Ponte Milvio.

Për të eliminuar konkurrencën, “Ricky” nuk kishte problem të përdorte kërcënimet.

Në telefon me një menaxher që kishte ndërmend të hapte një sallë slot në Guidonia, Zogu i thoshte në dialektin romanes, duke ngritur zërin:

“A po vjen apo vijmë ne, dy gjëra, një përgjigje duhet të japësh, po apo jo!”.

Një bashkëpunëtor i drejtësisë, duke iu referuar grupit të Zogut, u shpjegonte hetuesve se “ishte grupi i ri kriminal… që frikësonte Romën”.

Arrestimet që pësuan, mes viteve 2013 dhe 2015, lehtësuan kontakte të tjera. Në burgun e Avellino-s, Zogu ishte ftuar për dreka dhe darka nga një i burgosur tjetër, një eksponent i familjes së ’Ndrangheta-s Bellocco nga Rosarno.

Për ata që kanë hetuar, bëhet fjalë për “një fakt shumë të rëndësishëm, një kryetar i atij niveli nuk të thërret kështu, ka një nevojë”.

Një “ngritje” e mëtejshme për grupin e Ponte Milvio-s, i cili, falë kalabrezëve, kishte arritur të hynte në nivele të tjera të trafikimit të drogës.

Ndërsa Zogu ishte në burg, “lider” i shqiptarëve të Ponte Milvio ishte bërë kushëriri i tij, Dorian Petoku.

Në vitin 2018, pas një “operacioni ndëshkues”, një debitor parapagoi menjëherë një shumë prej 40 mijë eurosh. Krahu i djathtë i Fabrizio Piscitelli-t i thoshte Petokut:

“I ndajmë, i ndajmë ne, i japim pak edhe Rickyt”, në atë kohë në burg në Spoleto. Edhe “kreut të shqiptarëve” Zogut, theksonin gjyqtarët, i takonte një pjesë e “pagesave”.

Kur i mbeteshin për të vuajtur dënimin edhe dy vjet e gjysmë, në vitin 2022 Zogu u lirua dhe u dëbua nga territori italian.

Ai u vendos në Dubai, ku u bashkua me kushëririn e tij Petoku, i arratisur në mënyrë spektakolare nga rehabilitimi në Nola dhe më pas i arrestuar në Dubai në vitin 2024.

Edhe ai duhet të vuajë 10 vjet burg për trafik droge, por burimet konfirmojnë se ai sot është i lirë në pritje të ekstradimit.

Qëndimi i Arben Zogut dhe Dorian Petokut në Dubai u përmend në fillim të marsit të këtij viti edhe nga deputetja e Lëvizjes 5 Yje, Stefania Ascari.

Sipas saj ekziston rreziku, që në liri ata “mund të vazhdojnë të drejtojnë nga distanca aktivitetet e narkotrafikut”.

Gazetarët tentuan përmes avokatit të kontaktojnë me Zogun për një koment, por ai deklaroi se nuk kishte kontakte.

“Fatkeqësisht aktualisht nuk jam në kontakt me klientin tim” – deklaroi avokati i Zogut.

Ngjitja e kriminalitetit shqiptar në trafikun e kokainës …

Ngjitja e kriminalitetit të organizuar shqiptar në skenën ndërkombëtare fillon mes fundit të viteve ’90 dhe vitit 2000. Janë vitet e diasporës shqiptare që, pas rënies së regjimit komunist, kanë luajtur një rol kyç në lidhjen e trafikantëve shqiptarë nëpër botë. Shumë prej tyre u vendosën edhe në Itali, duke treguar që në fillim një prirje të caktuar për dhunë. Në vend që t’i luftonin, mafiet italiane shfrytëzuan aftësitë e tyre, duke i përfshirë në disa nga aktivitetet më të rrezikshme, si rikuperimi i drogës nga portet.

“Shumë të rezervuar dhe të pamëshirshëm, shqiptarët në një farë mënyre kanë emituar mafian siciliane të viteve të kaluara, me kodin e tyre të nderit të bazuar në një sistem patriarkal respekti” shkruante analisti Gus Xhudo në vitin 1996.

Megjithatë, të mendosh se kriminaliteti shqiptar ka mësuar nga mafiet italiane është një shtrembërim. “Që ‘Ndrangheta, Sacra Corona Unita apo të tjerë t’u kenë mësuar shqiptarëve trafikun është e pabesueshme, sepse ata kanë qenë gjithmonë shumë të zotë në kontrabandë”, shpjegon për IrpiMedia Ruggero Scaturro, autor i librit La Mafia Albanese dhe analist i GI-TOC. Mafiet italiane, vijon Scaturro, “kanë qenë një pikë hapjeje drejt kontinentit evropian për Shqipërinë, e cila në ato vite vinte nga një izolim total”.

Me kalimin e kohës ka pasur një maturim. Në fillim bëhej fjalë për banda të vogla të përbëra nga kriminelë të improvizuar, të përkushtuar kryesisht ndaj vjedhjeve, grabitjeve dhe shfrytëzimit të prostitucionit. Brenda pak vitesh, veçanërisht që nga viti 2010, organizatat kriminale shqiptare u bënë ndër më të sofistikuarat në trafikun e kokainës, falë efikasitetit dhe fleksibilitetit të tyre, aksesit në infrastrukturat portuale dhe, mbi të gjitha, pranisë së tyre në Amerikën e Jugut. Zgjerimi në Ekuador, një vend që ndan 500 kilometra kufi me Kolumbinë, prodhuesin më të madh të kokainës, ishte një intuitë strategjike.

Mes viteve 2016 dhe 2018 pati një rritje të madhe të kërkesës për kokainë dhe shqiptarët konsoliduan praninë e tyre në Ekuador, duke kontrolluar një pjesë gjithnjë e më të madhe të tregut, nga prodhuesi në Amerikën e Jugut deri te logjistika në Evropë (dhe Mbretërinë e Bashkuar).

“Struktura organizative e kriminalitetit shqiptar është horizontale, e bazuar në marrëdhënie familjare. Nuk është vertikale, por e konfederuar, me grupe të ndryshme që bashkohen për të rritur fitimet” shpjegon për “IrpiMedia” Giovanni Buda, zëvendësdrejtor i policisë së shtetit në shërbim pranë Drejtorisë qendrore për shërbimet antidrogë. Nga njëra anë, ka grupe “territoriale”, ato të ndërmjetësve që lëvizin kokainën nga Amerika e Jugut, me disponueshmëri të madhe ekonomiko-financiare, që negociojnë me prodhuesit. Nga ana tjetër janë organizatat e mëdha territoriale, që menaxhojnë tregje të shitjes “të hapura”, me një kontroll mbi territorin më “të fshehtë” krahasuar me tregjet e shitjes “të mbyllura” dhe me infiltrime në jetën e natës.

Prania e organizatave kriminale shqiptare, sot, është e dukshme në të gjitha segmentet e zinxhirit të furnizimit të kokainës. Siç shpjegon një burim hetimor për “IrpiMedia”, sot nuk është më vetëm ’Ndrangheta që blen kokainë në Amerikën e Jugut. Tani këtë e bëjnë edhe shqiptarët dhe ndodh të dëgjohen eksponentë që ankohen se rolet janë përmbysur. “Atë që bënin më parë shqiptarët tani e bëjnë djemtë e tyre”.

10 apo 15 vite më parë ka pasur hetime që kanë sinjalizuar “ngjitjen”, “në heshtje”, të organizatave shqiptare. Kur ende, për shumëkënd, “ata ishin vetëm rrahës, korrierë dhe shoferë”, ndërkohë që sot është i dukshëm shndërrimi i tyre në “sipërmarrës”.

Pavarësisht marrëdhënieve me mafiet “tradicionale” në Itali, për asnjë organizatë shqiptare nuk është vërtetuar vepra penale e organizatës të tipit mafioz.

“A është ndjenja e intimidimit që jep një organizatë në territor e lidhur vetëm me dhunën?” – pyet zv/drejtori Buda.

“Kjo lidhet me vështirësinë për të përcaktuar si mafioz një grup të delokalizuar, që shkëputet nga baza për t’u rrënjosur në një vend tjetër, pra për të vërtetuar aftësinë e tij për intimidim.

Shitësit me shumicë të Milanos dhe Romës

Arrestuar në Abu Dhabi
Arrestuar në Abu Dhabi Credits: ©IrpiMedia

Matoshi dhe Zogu nuk janë të vetmit që kanë investuar në Dubai. Këtu ka edhe shitës me shumicë dhe ndërmjetës shqiptarë që vitet e fundit kanë filluar të furnizojnë me kokainë tregjet e shitjes në Milano dhe Romë.

Si Artur Hoxhosmani alias “Lambo”, i hetuar në vitin 2025 nga prokuroria e Milanos për furnizimin me 150 kilogramë kokainë për trafikantët e familjes Barbaro nga Platì. Një tjetër kuintal, sipas një hetimi të vitit të kaluar të zhvilluar nga prokuroria e Brescia-s, Hoxhosmani ia doli ta nxjerrë nga porti i Gioia Tauro-s, falë kontakteve të tij në Kalabri, për ta dërguar në Lombardi.

Hetimet e prokurorisë shqiptare tregojnë se gjatë periudhës së Covid-it, Hoxhosmani dyshohet se organizoi trafikun e rreth katër tonë e gjysmë kokainë nga Amerika e Jugut në portet e Evropës Veriore.

Hoxhosmani, sipas prokurorëve të Milanos, ishte “faktikisht me banim në Dubai”, por në vitin 2025 u arrestua në Shqipëri dhe nuk ka qenë e mundur të gjurmohej për t’i kërkuar një koment.

“IrpiMedia” dhe “shteg.org” kanë zbuluar se ai kishte një leje qëndrimi në Emirate që nga viti 2020 dhe, në dy vitet pasuese, kishte blerë të paktën shtatë apartamente në Dubai, për një shumë midis shtatë dhe tetë milionë euro.

Figura e tij, në disa aspekte, është e ngjashme me atë të Renato Muskës, edhe ai i hetuar në vitin 2025, por nga prokuroria e Romës.

Ai konsiderohet, së bashku me kushëririn e tij Altin Sinomati, një furnizues kokaine me “aftësi të jashtëzakonshme”. Nga aftësitë e tyre kishin përfituar Giuseppe Molisso dhe Leandro Bennato, të cilët kishin hyrë në tregun romak të drogës pas arrestimit të shqiptarëve të Ponte Milvio-s dhe vëllezërve Esposito.

Falë importeve të Muskës dhe Sinomatit, Molisso dhe Bennato kishin arritur të bashkonin “tregjet më të rëndësishme të shitjes së drogës në kryeqytet”.

Në nëntor 2025, Sinomati u arrestua në Abu Dhabi, kryeqyteti i Emirateve, sepse konsiderohet porositësi i vrasjes së një bashkëkombësi, e ndodhur pesë vjet më parë në plazhin e Torvaianica-s.

Në Dubai, IrpiMedia dhe shteg.org kanë identifikuar disa prona të regjistruara në emër të kushëririt të tij Renato Muska, mes të cilave një vilë me pesë dhoma gjumi në Palm Jumeirah, ishulli artificial në formë palme, e dhënë me qira për rreth 600 mijë euro në vit. Për shkak të kufizimeve të vendosura nga qeveria e emirateve, megjithatë, nuk është e mundur të verifikohet asgjë tjetër përveç emrit të pronarit. Deri më sot nuk rezulton që Italia të ketë kërkuar ekstradimin e Muskës dhe ndaj pyetjeve të IrpiMedia avokati i tij nuk është përgjigjur.

Dy kushërinj, dyshohen nga prokuroria për një grabitje që ndodhi pothuajse dhjetë vjet më parë në Casal Lumbroso. Me urdhër të Molisso dhe Bennato, dy trafikantët shqiptarë dyshohet se vodhën, me armë në dorë, 10 kilogram kokainë nga vëllezërit Simone dhe Fabrizio Capogna, të cilët më pas u bënë bashkëpunëtorë të drejtësisë.

Gjatë marrjes në pyetje, Simone Capogna deklaroi se Arben Zogu dhe Dorian Petoku “donin të vrisnin Molisso dhe Bennato, të cilët konsideroheshin përgjegjës për vrasjen e Diabolik”, alias Fabrizio Piscitelli, i vrarë në 2019 me një plumb në pjesën e pasme të kokës ndërsa ishte ulur në një stol në Parkun e Akuedukteve.

Në qershor 2023, Capogna ishte informuar se Zogu “po planifikonte ti vriste të gjithë’”. Një burim hetimor e konfimoi këtë për IrpiMedia.

Plani i Zogut për t’u kthyer nga Dubai dhe për t’i hakmarrë vrasjes së mentorit të tij Piscitelli nuk u realizua, në emër të biznesit.

Një parajsë me themele të brishta

Dubai, zbulimi i pronave
Credits: James O’Brien OCCRP – Dubai, zbulimi i pronave

Për të provuar të sigurojë ekstradimin nga Dubai të të arratisurve (përfshirë edhe ata me shtetësi shqiptare), vitet e fundit Italia ka intensifikuar marrëdhëniet me Emiratet e Bashkuara Arabe. Në shkurt 2025, presidenti emirat Mohammed Bin Zayed Al Nahyan, gjatë një vizite në Itali, dhe kryeministrja Giorgia Meloni shprehën «kënaqësi për iniciativat e përbashkëta të zbatuara për të luftuar aktivitetet e kriminalitetit të organizuar». Në tetor, ministri i Drejtësisë Carlo Nordio takoi në Romë homologun e tij emirat. “Janë të shumta kërkesat tona për rogatori dhe ekstradim dhe jam i bindur se do të ketë zhvillime pozitive”, kishte deklaruar Nordio.

Burime të “IrpiMedia” kanë konfirmuar se gjatë këtyre vizitave është diskutuar konkretisht për çështjet në pritje, përfshirë ato të Dorian Petokut dhe Denis Matoshit.

Qeveria italiane, në përgjigje të pyetjeve të “IrpiMedia”, nuk ka sqaruar cilat janë iniciativat konkrete, duke iu referuar ministrisë së Drejtësisë. Megjithatë, dikasteri i Nordio-s nuk ka komentuar.

“Dubai, në dy vitet e fundit ka filluar të jetë një parajsë disi e pasigurt. Më parë ishte një parajsë absolute, shkoje atje dhe askush nuk të prekte” – pohon Fatjona Mejdini, drejtore e Global Initiative.

Për një kohë të gjatë, konfirmojnë disa burime hetimore, autoritetet e Dubait thjesht nuk bashkëpunonin me kërkesat për bashkëpunim gjyqësor, jo vetëm me ato të dërguara nga Italia. Disa e përkufizojnë si “një mur gome”.

Që nga viti 2016 ekiston një marrëveshje midis Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Europol-it, agjencia evropiane e policisë, por ajo nuk lejon shkëmbimin e informacionit për raste individuale.

Më pas, edhe falë presionit ndërkombëtar, gjërat filluan të ndryshojnë. Midis viteve 2020 dhe 2022, policia e Dubait ka deklaruar se ka ekstraduar ose riatdhesuar pothuajse 450 të arratisur në dhjetëra juridiksione.

Këtë e kishin kuptuar dy figura të rëndësishme të narkotrafikut ndërkombëtar: Raffaele Imperiale, në atë kohë ndërmjetës i kokainës për camorra-n, rezident prej vitesh në Dubai dhe Bartolo Bruzzaniti, narkotrafikant i familjes së Ndrangheta-s Morabito.

Në një chat të enkriptuar, Bruzzaniti këshillonte Imperialen.

“Shok, largohuni prej andej. Më dëgjoni mua. Aty e ka bërë kohën e vet, shok”. Ai e kishte kuptuar se Dubai nuk ishte më i sigurt.

“Kanë krijuar këto njësi speciale”, këmbëngulte Bruzzaniti, “dhe po i kapin kudo”.

Më pak se një vit pas bisedës, në gusht 2021, Imperiale u arrestua dhe më pas iu dorëzua Italisë.

Sot Emiratet kanë oficerë ndërlidhës pranë selisë së Europol-it në Hagë dhe disa kërkesa për ekstradim kanë pasur sukses. Arsyeja është se autoritetet emiratine kanë filluar të shqetësohen për praninë e trafikantëve të drogës ndër më të rëndësishmit në botë në territorin e tyre.

“Është vendi i mrekullive të pastrimit ndërkombëtar të parave dhe i tillë duhet të mbetet, nuk mund të bëhet qendra e narkotrafikut ndërkombëtar”, arsyeton një hetues.

Që Dubai nuk është më një parajsë për të arratisurit është e qartë. Megjithatë, vështirësitë janë ende të shumta. Sipas disa hetuesve, bashkëpunimi nga ana e autoriteteve emiratine është i lidhur ngushtë me çështje oportuniteti diplomatik dhe vullneti politik.

Emiratet janë një shtet i përbërë nga shtatë monarki, interesat e të cilave jo domosdoshmërisht përputhen. Ekonomia e kryeqytetit Abu Dhabi, e bazuar në investime institucionale, nuk dëshiron të ketë probleme reputacioni. Ndërsa ajo e Dubait rrotullohet rreth financës dhe një sektori imobiliar në zgjerim të vazhdueshëm dhe synon të tërheqë investime pa kontrolle të tepërta që do të dëmtonin tërheqjen e tij.

Është e vështirë që arrestimi i një personi të kërkuar në Dubai të jetë rezultat i një iniciative të pavarur të policisë vendase. Gjatësia e procedurave të ekstradimit lidhet më pas me formalitetet e nevojshme. Për arrestimin duhet të dërgohet një kërkesë përmes kanalit të Interpol-it, e cila mund të vërtetohet nga prokurori lokal vetëm nëse vepra penale është e ndjekshme në të dy shtetet; për të kërkuar ekstradimin, më pas, nevojitet një korrespondencë mes ministrive përkatëse të Drejtësisë, në bazë të një traktati dypalësh: nëse kërkesa nuk mbërrin brenda dy muajve, dhe kjo është praktikisht e pamundur duke pasur parasysh nevojën për të përkthyer qindra faqe dokumentesh në arabisht, personi i arrestuar në Emirate lirohet, me të vetmin ndalim për të dalë nga vendi.

Pasi paraqitet kërkesa, më pas janë të mundshme apelime dhe kundërshtime, njësoj si në Itali. Afatet e gjata, edhe prej disa vitesh, nuk duhet të habisin.

Në Dubai numri i kërkesave për ekstradim është “i madh”, tregon një burim, deri në atë pikë sa gjykatat janë “të mbingarkuara”. Autoritetet emiratine nuk i janë përgjigjur kërkesës për koment.

Për të lehtësuar bashkëpunimin, në shkurt 2026 ministria e Drejtësisë emëroi prokurorin Michele Fini si magjistratin e parë ndërlidhës italian në Emiratet e Bashkuara Arabe. Mbetet për t’u parë nëse presioni diplomatik dhe iniciativat e bashkëpunimit do të prodhojnë efektet e pritura. /Marrë nga shteg.org 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button