Monday, November 25, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeAKTUALITETInvestigimi/ Hashashi, fshatrat e Krujës bëhen si Lazarati

Investigimi/ Hashashi, fshatrat e Krujës bëhen si Lazarati

Një numër i konsideruar banorësh të fshatrave Halil, Arameras dhe Nikël janë ndjekur penalisht për shkak të kultivimit të kanabisit. Vetëm gjatë vitit 2020 janë regjistruar 406 procedime penale, me 51 autorë. Banorët pretendojnë se prishja e kanaleve vaditëse nga guroret i ka detyruar që të merren me kultivimin e bimës së ndaluar.

Është vetëm 35 vjeç dhe sapo ka dalë nga burgu për të dytën herë për kultivim kanabisi. Teksa rrëfen kalvarin e betejës me “bimën e paligjshme”, ai pranon fare hapur, se nuk do të heqë dorë nga kultivimi i saj. I riu këmbëngul se është mbijetesa ajo që e ka detyruar të shkojë te kultivimi i bimëve narkotike. Në një intervistë të dhënë në kushtet e anonimatit për Investigative Network Albania-n, njëri nga dhjetëra banorët e Fushë- Krujës pohon se ka bërë gjithsej 3.5 vite burg dhe sapo ka fituar për herë të dytë lirinë, “duke paguar, – siç shprehet me kod, – 10 kokrra (10 mijë euro, red.)”.

“Të droga shkova vetëm për të siguruar bukën e gojës për familjen time. S’kam të ardhura. Firmat paguajnë 23 mijë lekë në muaj dhe hajde jeto, po deshe”, – rrëfen ai për INA MEDIA-n.

I ulur në një lokal të zonës së Fushë-Krujës, teksa përpiqet të kontrollojë ndonjë lëvizje të dyshimtë në parking, ai akuzon se janë vetë drejtorët dhe oficerët e policisë, që bekojnë lulëzimin e fushave të kanabisit, në këmbim të shumave të mëdha të të hollave.

“Drejtorët dhe oficerët (e policisë, red.) kanë nga 3 apo 4 shtëpi… Ata i marrin lekët, jo ne. Ne mund të bëjmë gjithë vitin 5 milionë lekë të vjetra, të tjerat i marrin ata. Policët janë krejt brenda. Polici më i thjeshtë mund të ketë 200 mijë euro…”, – akuzon i riu, që nuk arrin të gjejë një tjetër alternativë për të ndihmuar sadopak familjen dhe fëmijët e tij, të zhytur në varfëri.

Edhe ish-kryeplaku i fshatit Halil akuzon policinë se po i lejon vetë banorët të merren me kultivimin e kanabisit.

“Shkaktare e futjes në burg të banorëve është vetëm Policia e Shtetit, se, po nuk iu dha leje nga i plotfuqishmi i zonës, nuk guxon askush të mbjellë, qoftë një fidan”, – thotë ish-kryeplaku i fshatit Halil, Kadri Voga.

Pas shembjes së kështjellës së kanabisit në Lazarat, një zonë e dytë, e ngjashme e kultivimit të bimës së ndaluar po konfigurohet në disa fshatra pranë Fushë-Krujës. Operacione të shumta policore kanë përfunduar me ndalime masive të banorëve, duke bërë që seancat gjyqësore për caktimin e masës së arrestit të shoqërohen me zhurmnajë të pazakontë. Sipas të dhënave zyrtare të Prokurorisë së Krujës, vetëm gjatë vitit 2020 për krimin e kultivimit të kanabisit janë regjistruar 406 procedime penale, me 51 autorë, ndërsa për vitin 2021 janë regjistruar 201 procedime, me 113 autorë dhe po sipas të njëjtit burim shifrat kanë mbetur shqetësuese edhe gjatë vitit 2022.

Statistikat zyrtare të Prokurorisë së Krujës për krimin e kultivimit të bimëve narkotike në zonën e Krujës në vitet 2020-2021

Në disa fshatra, si për shembull në Halil apo Arameras, një pjesë e madhe e numrit total të banorëve po penalizohen për kultivimin e kanabisit. Banorët e fshatit Halil, pjesa më e madhe të papunë, tregojnë se pamundësia për të prodhuar produkte bujqësore për shkak të dëmtimit prej dy dekadash të sistemit të vaditjes, ka “detyruar” një pjesë të madhe të këtij komuniteti t`i kthejë sytë nga kultivimi i bimës së ndaluar. Në kodrat sipër shtëpive të tyre edhe sot e kësaj dite gjenden dy rezervuarë të ndërtuar që nga koha e komunizmit, që janë plot me ujë, por që shërbejnë vetëm për të shtuar ngjyrën e gjelbër në pamjet panoramike. Prej rreth 20 vitesh uji nuk shfrytëzohet, pasi guroret e shumta, që kanë populluar këtë zonë, dëmtuan edhe sistemin e kanaleve vaditëse.

“Arsyeja janë guroret e licencuara pa kriter që gjithçka u shkatërrua. Kur është dhënë licenca, nuk është thënë, që të mos preket kanali. Kanalet u prishën nga guroret dhe askush nuk e vuri ujin në zjarr për këtë problem. Këtu është bërë krim ekonomik”, – thotë Kadri Voga, ish-kryeplaku i fshatit Halil.

Kadri Voga, ish-kryeplaku i fshatit Halil, thotë se për vite me radhë ka ngritur zërin për ndreqjen e rrjetit të dëmtuar të vaditjes

Por, gjendja vijon të mbetet pa zgjidhje. Edhe Flamur Halili, kryeplaku aktual, i arrestuar në vitin 2021 për shkak se në territorin e fshatit ishte mbjellë kanabis, e konfirmon situatën.

“Tokat bujqësore të fshatit Halil, që ka 3 mijë banorë, prej 20 vitesh nuk kanë ujë për vaditje. Në verë fshati është totalisht i djegur, nuk bëhet asnjë bimë, asnjë frut… Dhe kjo ndodh, edhe pse shteti në disa raste ka lëvruar fonde, që sistemi i ujitjes të ndreqet”, – pohon ai.

Flamur Halili, kryeplaku i fshatit Halil, pranë njërit prej dy liqeneve, uji i të cilëve nuk shfrytëzohet që nga viti 2000

Agimi, një tjetër banor i fshatit, që ka dy fëmijë për të mbajtur me të holla në shkollë të lartë, e thotë me bindje se banorët shkojnë të droga vetëm për mbijetesë.

“Kush e shtyn robin te krimi, te kanabisi? Varfëria! Po të kishte ujë vaditës në këtë zonë, nuk do të kishin nevojë të mbillnin kanabisin dhe do jetonin në paqe”, – thotë Agimi.

“Është mbijetesë, nuk kemi të hamë bukë. Në momentin që në fasoneri paguhem 150 mijë lekë dhe në familje jemi 5 anëtarë, ku do t`i çoj më përpara këto lekë? Po të kishte ujë, po të them se 80% e këtij populli këtu do ishin të kënaqur”, – përfundon Agimi.

Banorët e fshatit Halil rrëfejnë se deri në kohën kur sistemi i vaditjes funksiononte, bujqësia ishte shpëtimi i gjithë kësaj zone. Tirana ishte afër dhe atëbotë i thithte me një frymë të gjitha produktet e tyre, bujqësore. Ata akuzojnë neglizhencën e shtetit, që i ka çuar banorët drejt kësaj zgjidhjeje.

“E quaj të qëllimshme nga kushdo që ka qeverisur që nga viti 2000 e këtej. Deri në vitin 2000 kishte prodhime cilësore, kishin ku i çonin dhe nuk e kishte ndërmend askush të mbillte lëndë narkotike. Mbaroi uji, u thanë tokat, blegtoria mbaroi, çfarë do bëjë fshatari? Do shkojë të mbjellë drogë. Në fshatin Halil janë mbi 80% e banorëve që, ca janë në burg, ca janë në ndjekje penale”, – thotë ish-kryeplaku, Kadri Voga.

Ish-kryeplaku, Kadri Voga, thotë se e ka ngritur zërin, sa ka mundur për riparimin e rrjetit të dëmtuar të vaditjes. Ai ka njoftuar disa herë edhe drejtuesit e Bashkisë së Krujës e më tej ka trokitur edhe në dyert e qeverisë në Tiranë, por pa gjetur një zgjidhje.

“Për shkak të interesimit tim, në një rast në fshat ka ardhur edhe një drejtor i ujërave, i ka parë rezervuarët me ujë dhe kanalet e dëmtuara, por më kot. Asgjë nuk ndryshoi”, – kujton ai.

Plani i Zhvillimit të Territorit të Bashkisë së Krujës, që parashikon mirëmbajtjen e kanaleve të vaditjes

I kontaktuar në telefon në numrin 06820891xx, z. Artur Bushi, kryetari i Bashkisë së Krujës, nuk preferoi të jepte asnjë shpjegim, madje pas kësaj i bllokoi të gjitha thirrjet telefonike. Një tjetër funksionar i bashkisë, i cili këmbënguli për të ruajtur anonimatin, shprehu habinë për pretendimet e banorëve, duke shtuar se sistemet e vaditjes i përkisnin një tjetër kohe dhe se, me sa kishte ai dijeni, ato nuk funksiononin në asnjë zonë tjetër të Shqipërisë. Në vijim ai shtoi se ishte i bindur se historinë e mungesës së ujit për vaditje fshatarët e kishin shpikur për të justifikuar mbjelljen e bimëve të kanabisit. Por, letrat e Bashkisë së Krujës vërtetojnë një tjetër realitet. Në Planin e Zhvillimit të Territorit, të hartuar nga kjo bashki në vitin 2016, specialistët kanë parashikuar mirëmbajtjen e sistemit vaditës për bujqësinë dhe jo vetëm.

Aty shkruhet se mirëmbajtja e sistemit vaditës është kusht bazë për zhvillimin e bujqësisë dhe se tokat bujqësore, që gjenden në perëndim, pra edhe zona e fshatrave, ku tashmë kultivohet kanabis, konsiderohen si motori kryesor i zhvillimit ekonomik. Në fund të paragrafit specialistët kanë nënvizuar edhe problemin, që tashmë ngrihet nga banorët, në formën: “Pas viteve ’90 mungesa e mirëmbajtjes dhe në disa raste dëmtimi i rrjetit të kanaleve ka sjellë një rënie të ndjeshme të kapaciteteve prodhuese”. Kjo zonë, sipas banorëve, nuk ofron as ndonjë mundësi alternative për të siguruar të ardhura. Edhe pse në zonën e Fushë-Krujës ushtrojnë aktivitetin disa mobilieri dhe fasoneri, e vërteta thotë se pagat, që ofrohen, janë minimale. Ato sillen në masën rreth 15-23 mijë lekë të reja në muaj, një shifër që sipas banorëve në asnjë rast nuk mjafton për të mbajtur familjen.

Astrit Halili, një ish-emigrant i kthyer për të ndërtuar jetën në fshatin e tij të lindjes, ndihet i zhgënjyer nga realiteti i kësaj zone. Sipas tij, për shkak të papunësisë rinia e ka gjetur shpëtimin te kanabisi.

“Nuk ka punë. Dritat – më të larta se në gjithë botën, rrogat – më të ulëta. Vjen SPAK-u, bën kontroll për drogën dhe kap të vobektët. SPAK-u duhet të kapë ata që luajnë drogën me kuintalë e me tonelata, jo fshatarin që mbjell 10 rrënjë”, – thotë ish-emigranti.

Astrit Halili, ish-emigranti i zhgënjyer nga pamundësitë e sigurimit të jetesës në fshatin Halil

Banorët rrëfejnë se parcelat e mëdha me kanabis që të gjitha mbillen në marrëveshje me policinë, duke ndarë paraprakisht fitimin. Kështu, me qëllim që ta fshehë këtë pjesë, policia investohet të godasë banorët që kanë mbjellë nga 10 rrënjë për të përballuar jetesën. Nisur nga viti 2017, kur ministër i Brendshëm ishte Fatmir Xhafaj, në luftën kundër fenomenit të kanabisit Policia Shqiptare orientohet nga strategjia “Plani i Veprimit Kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit, 2017-2020”. Edhe pse nga afati i tij tashmë kanë kaluar dy vjet, krerët e policisë vazhdojnë t`i referohen nominalisht së njëjtës strategji, duke kërkuar edhe ndihmën dhe bashkëpunimin e pushtetit lokal, ndërmarrjeve shtetërore, drejtorive arsimore e të tjera. Në zbatim të kësaj strategjie, pak kohë më parë, më 11 mars 2022, në Krujë, pikërisht për t`i paraprirë fenomenit shqetësues të kultivimit të kanabisit në këtë zonë, u mbajt një konferencë rajonale me pjesëmarrjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.

Konferenca Rajonale Kundër Kultivimit të Kanabisit, mbajtur në Krujë, më 11 mars 2022

“Kjo nuk është vetëm një sfidë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe ekipit të tij, por është sfidë e qeverisë në radhë të parë me Planin Strategjik Antikanabis dhe detyrimet që rrjedhin nga të gjitha vendimet dhe planet e masave që kemi hartuar”, – tha në fillim të konferencës Drejtori i Policisë së qarkut, Neritan Nallbati.

Drejtori i Policisë së Durrësit, Neritan Nallbati, që thotë se goditja e fenomenit të kultivimit të kanabisit në zonën e Krujës është edhe sfidë e qeverisë, e përcaktuar në Planin Strategjik Antikanabis

Më tej Nallbati e quajti zonën me risk të lartë të kultivimit të bimëve narkotike dhe kërkoi ndihmën edhe të faktorëve të tjerë në kontrollin e territorit. Kryeprokurori i Krujës, Petrit Çano, pranoi situatën e pangjashme me asnjë zonë tjetër të vendit dhe se ndihej keq, kur në analizat e punës së prokurorive rezultonte që Kruja e vogël të kishte numrin më të madh të proceseve penale për shkak të kultivimit të kanabisit. Sipas tij, gjatë vitit 2020 vetëm për “Kultivim të bimëve narkotike” ishin regjistruar 386 procedime penale, ndërkohë që një vit më pas, në vitin 2021, ishin regjistruar 184.

“Kruja vijon të mbetet një nga rrethet me risk më të lartë sa i përket kultivimit të bimëve narkotike. Po t`i referohesh shifrave dhe statistikave, ato tregojnë që risku vazhdon të mbetet i lartë… Numri i çështjeve penale, të regjistruara për këtë fenomen, vazhdon të mbetet i lartë”, – deklaroi në këtë konferencë kryeprokurori i Krujës, Petrit Çano.

Kryeprokurori i Krujës, Petrit Çano, që pohon numrin e jashtëzakonshëm të procedimeve penale për krimin e kultivimit të kanabisit në zonat rurale të Krujës

Edhe statistikat e policisë për rastet e kultivimit të kanabisit në këtë zonë paraqiten në një linjë me shqetësimin e prokurorit Çano. Sipas të dhënave zyrtare, viti 2020 ka pasur 96 raste të kultivimit të bimëve narkotike, ndërsa në vitin 2021, edhe pse ka pasur 71 raste, numri i të proceduarve penalisht ka qenë më i rritur, me gjithsej 102 autorë të regjistruar.

Si të kishte dëgjuar me kujdes dëshminë e atij banorit nga fshati Halil, i cili kishte bërë dy herë burg për kultivim kanabisi, që thoshte se Policia e Krujës është e implikuar dhe ndan fitimet me kultivuesit dhe trafikantët, në këtë takim Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, z. Gledis Nano, shënjestroi pikërisht policët dhe ndershmërinë e tyre në detyrë.

“Ndaj atyre punonjësve të policisë, që do të shihet neglizhencë dhe, aq më keq, abuzim me detyrën, do të qëndrohet fort dhe unë për këtë jam shumë i vendosur. Do të ndalohet pa asnjë kompromis çdo punonjës policie, i cili bën, sikur nuk shikon dhe bën, sikur nuk dëgjon dhe bën, sikur harron për të raportuar çdo problematikë të tillë. Nuk ka kompromis…”, – do të shprehej kreu i policisë shqiptare, Gledis Nano.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, z. Gledis Nano, i cili premtoi se do të monitorohet rreptësisht puna e punonjësve të policisë në goditjen e fenomenit të kultivimit të kanabisit në zonat rurale të Krujës

Por, pavarësisht këtij qëndrimi të ashpër të drejtuesit të Policisë së Shtetit banorët janë të bindur se asgjë nuk ndodh pa dijeninë e policisë.

“Ai që merret me drogën, do paguajë paratë. Nëse s’paguan, do kapet. Janë të lidhur me policët, me shtetin. I ndajnë gjysmë për gjysmë”, – thotë Astrit Halili.

Për ta minimizuar këtë fenomen, ofertat në Planin e Veprimit Kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit, 2017-2022, janë krejt të pabesueshme.

Në strategji shkruhet për nxitje të vetëpunësimit, për shtrirje të programeve të ndihmës ekonomike te familjet në nevojë, për programe strehimi, për shkollim të fëmijëve të familjeve në nevojë, për tekste mësimore falas, për lehtësira fiskale, për heqje taksash, falje detyrimesh, për mbështetje financiare të fermerëve të riskuar, për vënien në dispozicion të kësaj kategorie të 10 për qind të shifrës së buxhetit të parashikuar për mbështetjen e prodhimit bujqësor etj. Në fund shkruhet edhe për programe për nxitjen e fermerëve, që të kultivojnë bimë mjekësore apo kultura të tjera, të ligjshme, prej të cilave sigurohet po aq përfitim sa edhe nga kanabisi. Por, realiteti dëshmon se strukturat e shtetit nuk e kanë në plan të tentojnë të largojnë banorët e fshatrave të Krujës e Fushë-Krujës nga kultivimi i kanabisit përmes orientimit dhe ndihmës, me qëllim që kjo popullsi të shkojë te mënyra alternative të sigurimit të jetesës. Madje, as strukturat e pushtetit lokal nuk kanë plan ta ndreqin sistemin e vaditjes për fshatrat pranë Fushë-Krujës, e konceptuar kjo si pjesë e Strategjisë Kombëtare Antikanabis.

Plani i Veprimit Kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit, 2017-2020, i miratuar me vendim të qeverisë dhe faqja, ku parashikohet shkurajimi i mbjelljes së bimëve narkotike, si dhe nisja e veprimtarisë së ligjshme, ekonomike

Vetë banorët pretendojnë se, nëse kanali vaditës do të rregullohej, “jeta” e fshatit do të ndryshonte rrënjësisht dhe fshati Halil nuk do të ishte më i “famshëm” për kultivimin e kanabisit.

“Me dashje apo pa dashje shteti po i çon fshatarët në krim, për të mbjellë drogë. Nëse shteti vendos atë sistem vaditës, që ka qenë në vitet 2000, ejani të shihni, sa prodhime bujqësore do të ketë. Dhe, do e shihni, a do ta ketë më njeri mendjen të mbjellë drogë fushave e maleve?”, – përfundon ish-kryeplaku, Kadri Voga. /Marrë nga Ina Media

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME